Veliaj rrit edhe çmimin e ujit të pijshëm, preken familjarë e biznese
Dardha e ka bishtin mbrapa dhe kështu mund të thuhet edhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe fushatën e tij për të kursyer ujin e pijshëm dhe ndërprerë lidhjet e paligshme. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet ditën e mërkurë për të miratuar tarifat e reja të ujit të pijshëm. Çmimi propozohet të rritet nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset. "Panorama" zbardh vendimin që propozon Bashkia Tiranë për Këshillin Bashkiak, ku janë parashikuar të gjitha tarifat e reja. Rritja e çmimit do të prekë edhe tarifën fikse mujore. Aktualisht, çdo familje paguan 100 lekë në muaj si tarifë fikse dhe propozohet që kjo tarifë të dyfishohet në 200 lekë në muaj.
Bashkia argumenton se, "bazuar tek nevoja totale për të ardhura, UKT sha., ka zhvilluar një strategji të tarifave dhe çmimeve për periudhën 5-vjeçare. Tarifat propozohen të ndryshojnë në të gjithë komponentët e secilës kategori konsumatori duke u bazuar në shitjet e ujit dhe normat e arkëtimit.
Tarifat rriten edhe për furrat e bukës apo buxhetorët. Sipas projekt-vendimit, furrat e bukës do të paguajnë nga 95 lekë/m3 që është tarifa aktuale në 130 lek/m3. Gazeta boton tabelën e plotë të tarifave ekzistuese dhe sa do të bëhen. Çmimet e reja parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2018.
Bashkia ka bërë edhe analizën e saj për të argumentuar rritjen e tarifave. Element i rëndësishëm i kësaj analize është studimi i statistikave mbi popullsinë. "Bazuar në të dhënat e INSTAT dhe regjistrit civil në ish NJQV (Bashkia Tiranë), popullsia totale është 832,302 brenda kufijve administrativë të Bashkisë. Mbulimi është 85% (Tirana e madhe) ose 707.800 banorë dhe objektivi është arritja e mbulimit mesatar prej 95.3% UKT", thuhet në relacion.
Add new comment