Thjeshtohet bashkëqeverisja, shqiptarët po ikin. Në horizont kriza e azilkërkuesve shqiptarë në Francë?
Disa javë më parë u qarkullua në media një sondazh i Gallup sipas të cilit 56% e shqiptarëve duan të ikin nga vendi. Kryeministri e shpërfilli lajmin duke shtuar se sondazhet e Gallup kanë gabuar jo rrallë, e duke komentuar se largimi është pjesë e lirisë për të lëvizur.
Në fakt ikja nga ky vend sikundër edhe qëndrimi në finale është faturë për njerëzit, jo për kryeministrin që ka vendosur të bashkqëqeverisë me ata që mund të mbeten këtu. Pasi siç bëhet me dije nga gazeta franceze “Le Figaro”, ministri i Brendshëm francez, Zherar Kolomb ka telefonuar Edi Ramën për çështjene azilkërkimit në Francë nga shqiptarët dhe “kanë vendosur bashkë të ndërmarrin një numër masash kooperimi midis forcave të sigurisë të të dyja vendeve”.
Këto masa sigurie mund të imagjinohen qysh tani si shtrëngime në daljet doganore të Shqipërisë, pse jo policë francezë në pikat kufitare, njësoj sikundër u veprua në rastin e “krizës së azilkërkimit” në Gjermani. Masa të tjera sigurie nuk ka se çfarë të ndërmerren përveçse të shqyrtohen me “sy francez” shqiptarët që duan të kalojnë kufirin.
Çështja ka fituar edhe një karakter të brendshëm politik, sa kohë që lëvizja opozitare, “Zgjidhja” ka reaguar përmes kryetarit Koço Kokëdhima:
“Në qytetin lindor francez të Metzit fenomeni i arritjes në masë të shqiptarëve ka marrë përmasa të tilla sa po krijohen kampingje gjigande me çadra në qiell të hapur për të strehuar fatkeqët nga Shqipëria, ndër të cilët një numër i jashtëzakonshëm i minorenëve, fenomen ky që po e shqetëson seriozisht qeverinë mike franceze. "Oqeani" i çadrave me refugjatë nga Shqipëria është pasqyruar gjerësisht edhe në median franceze. ZGJIDHJA e denoncon Edi Ramën se në vitin 2017 po rikthen imazhet tronditëse të refugjatëve të vitit 1991. Shqiptarët po i thith pa pushim kurbeti dhe ky kryeministër po na merr erzin. Kjo qeveri tutkunësh nuk është e zonja për asnjë punë, nuk është e aftë të krijojë asnjë perspektivë për qytetarët tanë. Rama meret vetëm me kurim imazhi e fasada, me manipulimin e publikut dhe listat e zeza, me shkatërimin e shtetit ligjor dhe vjedhjen e zgjedhjeve, me luftën ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe blerjen e mediave, me dëgjesa publike ku flet vetë dhe nuk dëgjohet populli halleshumë, me shantazhimin e gjykatësve, prokurorëve e zyrtarëve, me debate të kota në rrjetet sociale, me shkatërrimin e demokracisë dhe me ushqimin e ëndrrës së sulltanit të mjerimit në njē vend ku sundon krimi dhe korrupsioni”, thotë ai.
Add new comment