Cinizmi si arsye shtetërore/Dokumentet hedhin dritë mbi mbulimin e skandaleve në Britani

Postuar në 21 Korrik, 2017 00:09

Disa dokumente të deklasifikuara së fundmi në Britaninë e Madhe hedhin dritë mbi karakteristikën universale të politikës, pavarësisht sistemit ku ajo manifeston forcën e vet. Çështje të famshme si ajo për Kim Philbyn, John Cairncross, çështja “Profumo” apo edhe disa urdhëra të ish-kryeministres Margaret Thatcher për të mos lejuar rishikimin e dënimit për dy vrasës të famshëm, dalin tashmë në një dritë të re të abuzimit, mbulimit për të mos prekur sfera të larta, për të ruajtur karriera dhe të abuzimit si pasojë e ndërhyrjeve dhe gjykimeve arbitrare. 
Rasti i Kim Philbyt është më emblematiku edhe pse vetë ish-agjenti në kujtimet e veta lë të kuptohet se lehtësia me të cilën arriti të largohej drejt Rusisë shpjegohet vetëm me dëshirën e politikës britanike që ai të mos fliste para publikut për çështje që do të provokonin skandal. 
Dosja Philby, që dokumenton fluturimin e tij drejt Moskës…konfirmon dëshirën për të mos akuzuar dhe prekur ata në sferat e larta…Ai punonte si gazetar në Bejrut që nga viti 1955…por dezertimi i tij u pranua zyrtarisht në vitin 1963…ndërkohë që ambasada në Bejrut duhet të kishte shmangur çdo kontakt me të që nga momenti kur ai u deklarua spiun”, raporton “The Guardian”. 

https://www.theguardian.com/uk-news/2017/jul/20/government-cover-ups-rev...
Në fakt një ditë përpara largimit, zyrtarë të ambasadës darkuan me agjentin e njohur, ndonëse ambasadori ishte informuar për statusin e Philbyt, por ai nuk e kishte informuar stafin e vet. Në Londër menduan të shmangnin çdo implikim “pasi më shumë dëm do të bëhej”. 
Edhe në rastin e një tjetër personi të implikuar në Rrethin e Kembrixhit, Cairncross, akademik dhe që kishte rrëfyer se kishte spiunuar për llogari të Bashkimit Sovjetik në vitet 1936-1951, u veprua njësoj. FBI-ja nuk pranoi ta kthente britanikun pasi nuk e konsideronte kërcënim, ndaj ish-kryeministri Macmillan urdhëroi që çështja mos të bëhej publike, për arsye se mund të sillte kritika nga amerikanët, por edhe sepse do të ndikonte në karrierën e të vëllait të Cairncross, këshilltar kryesor ekonomik i qeverisë britanike. Arsyeja shtetërore në këtë rast kshte thjesht shqetësimi nga reagimi i publikut për punësimin në rangje të larta të vëllait të dikujt që ka spiunuar për sovjetikët. Do të duhej pritur viti 1990 që John Cairncross të konfirmohej si Njeriu i Pestë i Rrethit të Kembrixhit, makthi i Britanisë për 50 vjet. 


Edhe Margaret Thatcher, ish-kryeministrja britanike vjen në vëmendje me ndërhyrjen e saj për çështjen e vrasësve Myra Hindley dhe Ian Brady, për të cilët Sekretari për Çështjet e Brendshme, Leon Brittan kërkoi në vitin 1985 që dënimi për ta të ishte minimumi 30 vjet për Hindley dhe 40 për Brady, ndërkohë që ata kishin qenë në burg për 19 vjet. Thatcher e vlerësoi kërkesën e Brittan si shumë lehtësuese, pasi krimi i dyshes në fjalë meritonte vetëm burgun përjetë.

https://www.theguardian.com/politics/2017/jul/20/margaret-thatcher-moors...
 “The Guardian” shkruan se deri më sot ishte menduar se burgimi përjetë i të dyve ishte dakorduar mes gjykatësve dhe sekretarëve të Brendshëm, por tani rezulton që aty ka luajtur rol Thatcher. Për më tepër që Brady u diagnostikua si psikopat dhe u transferua në një spital ku vdiq në maj 2017. Vrasëses Hindley iu deklarua dënimi me 25 vjet burgim përpara lirimit me kusht. Në vitin 1985 Brittan e çoi atë në 30 vjet, kurse “tarifa e jetës” u urdhërua nga sekretari konservator, David Waddington në vitin 1990. Vetë Hindley u njoftua për këto triblime vitesh vetëm më 1994. Në vitin 2002 Dhoma e Lordëve, që asokohe shërbente si Gjykata më e Lartë e aplimit në Angli dhe Uells vendosi që do të ishin gjykatat dhe jo politikanët që sanksiononin masën e dënimit për kriminelët. Hindley kishte vdekur 10 ditë më parë se të ndodhte ky normatim. 

Të gjitha këto hollësi ridimensionojnë të vërtetën publike për çështje që janë të njohura kryesisht në Britaninë e Madhe në një periudhë kur ajo bashkë me disa vende të tjera luante në botë me kartën e lirive dhe të demokracisë. Deklasifikimi i sotshëm vjen si një kuriozitet historik që nuk korrigjon ndonjë gjë, sa kohë personat përgjegjës dhe viktimat nuk jetojnë më, por edhe epokat kanë ndryshuar. 

Nuk mund të mos vihet re se praktika të këtilla, të konsoliduara sidomos në një vend me traditë imperiale si Britania, krijojnë një bazë logjike me atë që u pa të ndodhte me vendimin për të sulmuar dhe mandej shkatërruar Irakun. Nga ky mentalitet udhëhiqej dikur në Krizën e Suezit edhe ish kryeministri Anthony Eden dhe ishte vetëm dështimi i tij në terren që çoi në largimin nga detyra. Nuk është çështja për të kërkuar drejtimin ideal të një shteti, por për të vënë në dukje se në lëmin e politikës nuk ka as lindje dhe as perëndim kur vjen puna te skrupujt. Dhe këta skrupuj kanë rëndësi të madhe sidomos në raport me vende si tonat, pa peshë dhe pa rëndësi, e që kanë marrë statusin e spektatorit të detyruar në një skenë ku nga vende si Britania vjen predikimi moralizues ndërkohë që mbështetja dhe shtrëngimi i duarve shkon për ata njerëz që janë bërë shumë pis. Dhe siç e dimë shtrëngimi i duarve nga të huajt, në Shqipëri ka kredencialin e vettingut dhe të hipotekës politike në një dyshek të rehatshëm që e quajnë demokraci. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.