Ambasadori italian shmang termin Zonë Ekonomike Rajonale: “Në Trieste, plan veprimi për vitet e ardhshme”
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se në samitin e Triestes, mund të miratohet një plan veprimi që përafron në planin tregëtar dhe ekonomik vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Termi treg i përbashkët nuk është i saktë teknikisht, por koncepti pas tij është mjaft i qartë: Si të lehtësojmë raportet, mbi të gjitha të natyrës tregtare, mes vendeve. Ne besojmë se po punohet mirë në këtë drejtim dhe se në Trieste mund të miratohet një plan veprimi që në vitet e ardhshme do të mundësojë që të reduktohen një sërë barrierash që sot e bëjnë këtë treg kaq të fragmentuar dhe të lehtësohen modalitetet dhe të reduktohen kostot e të bërit biznes mes vendeve të Ballkanit. Këtu kemi shumë besim te kontributi që vetë sipërmarrjet e këtyre vendeve, sidomos ato shqiptare, do të japin për të identifikuar se cilat janë masat më të rëndësishme, si p.sh., masa të tipit rregullator, p.sh., të kesh rregulla të njëjta, ose shumë të ngjashme, si normat sanitare ose ambientale. Fakti që Komisioni Europian do të jetë subjekti që mbikëqyr këto masa, është një garanci që ato do të jenë të vlefshme edhe për hyrjen e këtyre vendeve në Bashkimin Europian, sepse do të ishin të orientuara drejt normativave të BE-së (Acquis Communitaire)”, shprehet ambasadori.
Ky është një hap mbrapa në raport me idenë e tregut të përbashkët dhe heqjes së barrierave që u propozua nga Serbia. Ambasadori flet për masa të caktuara, ndërkohë që do të shihet se cili është qëndrimi gjerman dhe austriak, që në kuadër të Nismës së Berlinit peshojnë më shumë në këtë drejtim.
Siç ndodh rëndom në Shqipëri, për çështje kaq të rëndësishme, politika dhe qeveria nuk flet dhe nuk shpjegon se cilat do të jenë vendimet e saj, konkretisht dhe në terma të kuptueshëm. Për këtë arsye lajmet se çfarë ndodh me Shqipërinë vijnë nga jashtë apo nga të huaj, diçka që flet më mirë për rolin e vërtetë të vendit tonë. Në një intervistë të tri ditëve më parë, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, foli për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale, një përkufizim që shkon më larg sesa ajo që sugjeron ambasadori italian Cutillo. Po kështu Bushati foli edhe për një Traktat të Transportit, që do parë në letër se çfarë sugjeron.
Për t’u kthyer tek intervista e ambasadorit, vlen të sillet edhe një vërejtje – sugjerim prej tij që i përgjigjet realitetit. Sipas tij, Shqipëria duhet të shfrytëzojë më mirë burimet njerëzore dhe në këtë kontekst, nuk mjafton që të rinjtë të mësojnë gjuhë të huaja që gjithësesi shërbejnë.
“Është e rëndësishme që tregu shqiptar i punës të mbështetet te të rinjtë, që të mos jenë vetëm të motivuar, të aftë, të prirë të mësojnë gjuhët e huaja, që është një avantazh shumë i rëndësishëm, por edhe të formuar për të marrë përsipër aktivitete teknike të karakterit të rëndësishëm, si teknikë informatike, përveç zanateve të tjera si kuzhinierë, marangozë. Janë një sërë zanatesh që kërkojnë përgatitje teknologjike dhe që përbëjnë pjesën më të madhe të tregut të punës europian”, shprehet Cutillo.
Add new comment