Privatizimi i bregdetit
Prokuroria e Kavajës ka urdhëruar sekuestrimin e mbi 360 mijë metra katrorë truall në zonën bregdetare të Spillesë, e dyshuar si e përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme të Prokurorisë së Kavajës, gjykata ka pranuar kërkesën për vendosjen e sekuestros mbi 4 parcela toke.
Nga hetimet e Prokurorisë së Kavajës ka rezultuar se kjo sipërfaqe e tokës, e shpërndarë në katër parcela, u është dhënë banorëve të ndryshëm në kundërshtim me aktet ligjore që rregullon procesin e marrjes së tokës në pronësi. Në bazë të ligjit “Për Tokën”, duhet të shpërndaheshin vetëm tokat bujqësore.
Ndërkohë, nga verifikimet e kryera nga Prokuroria e Kavajës, rezulton se sipërfaqja e sekuestruar tashmë është tokë pa fryt (ranishte), e cila ka qenë e përjashtuar nga procesi i privatizimit. Nga veprimet hetimore në terren të Prokurorisë së Kavajës ka rezultuar se të gjitha këto pasuri të kthyera dhe regjistruara në emër të personave të ndryshëm me ndërrim të zërit kadastral nga “tokë pa frut” ose “pyll” në “tokë bujqësore” dhe në vijim të ndara me Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), në fakt janë ende ranishte në breg të detit ose pyll.
Më pas këto pasuri të regjistruara në emër të shtetasve sipas AMTP janë tjetërsuar (shitur) me anë të kontratave noteriale tek blerës të dytë ose të tretë. Për këto arsye ngrihet dyshimi i bazuar se të gjitha praktikat për regjistrimin e pasurive në Spille Kavajë (bregdeti) janë bazuar në dokumentacione tërësisht të falsifikuara. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se AMTP-të e përdorura për regjistrimin e pasurive dhe kalimin e pronësisë nga shtet në privat janë të gjitha të pas vitit 2000.
Prokuroria e Kavajës ka vlerësuar se është e nevojshme vendosja e masës së sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi parcelat 1, 35, 37 dhe 178 të ZK 3501 ndodhur në Spille Kavajë (bregdeti). Vendosja e kësaj mase është e nevojshme pasi lënia e lirë e këtyre pasurive dhe të transaksioneve mbi to krijon mundësinë e tjetërsimit, ndryshimit dhe fshehjes së pronësisë reale dhe të origjinës së regjistrimit të pasurive dhe të personave të përfshirë në krijimin e praktikave të falsifikuara për përvetësimin e sipërfaqeve të tokës.
Add new comment