Zgjedhjet e 25 qershorit, elektorati i partive dhe efekti i sistemit
Në këtë analizë do të shqyrtoj efektin e metodës së konvertimit të votave në mandate dhe mandatet e sigurta që subjektet do ti siguronin vetëm, në bazë të përqindjeve të tyre në çdo qark(në mënyrë të pavarur nga subjektet e tjera), si dhe mandatet që kanë varësi me subjektet e tjera (pra nga konfiguracioni i tyre në këto zgjedhje – 18 parti në çdo qark).
1. Efekti i metodës.
Në rezultatin paraprak të zgjedhjeve të 25 qershorit, PS ka fituar 74 mandate, PD ka fituar 43 mandate, LSI ka fituar 19, PDIU ka fituar 3 mandate dhe PSD (përmes kandidatit Tom Doshi) ka siguruar një mandat deputeti.
Kontributi i popullsisë në këto zgjedhje është rezultati në vota për çdo parti politike (në çdo qendër votimi) , madje edhe numri i popullsisë nëpër qarqe, sepse ndarja e mandateve për qarqet bëhet në raport me popullsinë e qarqeve. Procedura për të konvertuar në mandate kontributin e popullsisë në zgjedhje, përshkruhet detajisht në nenin 64 të kushtetutës dhe në nenet 74, 75, 162 dhe 163 të kodit zgjedhor. Gjatë procesit të konvertimit të numrave (njerëz apo vota), formulat e proporcionalit (Hamilton – neni 75 i kodit zgjedhor për shpërndarjen e mandateve sipas qarqeve, D’Hondt – neni 162 i kodit zgjedhor dhe Saint Lague – neni 163 i kodit zgjedhor) bëjnë rrumbullakimet e kuotave ekzakte (numrit ekzakt të mandateve) në numra të plotë, më të përafërt me kuotat ekzakte. Gjatë rrumbullakimit një numër votash bëhet inefektiv dhe kjo kthehet në favor apo disfavor për subjektet politike që konkurojnë në zgjedhje.
P.sh, gara PD-PS në Shkodër rrumbullakonte kuotat ekzakte PD-4.23, PS-4.07 në PD-5 mandate, PS-4 mandate duke i nxjerrë pa efekt subjektit PS mbi 12 000 vota {që do të thotë se të gjithë votuesit e PS nga qyteti i Shkodrës (10736 gjithsejt) mund të mos kishin dalë në votime dhe prapë mandatet në Shkodër nuk do kishin ndryshuar për asnjë subjekt}. Gara në Korçë rrumbullakonte kuotën ekzakte për LSI nga 1.72 në 1 mandat duke i bërë pa efekt mbi 10 480 vota {shumë më tepër se të gjitha votat e LSI në bashkinë e Korçës që ishin 5559}.
Vlen të përmendet që metoda D’Hondt i dha PS-së 74 mandate (ose 73 mandate, n.q.s eventualisht në rezultatin final PDIU rikuperon ato pak vota {më pak se 100 për të kaluar pragun elektoral në qarkun e Tiranës}, kurse po të ishte përdorur metoda Saint Lague në nenin 162 të Kodit Zgjedhor PS do kishte 71 mandate (ose edhe 70 mandate, në varësi të PDIU-së në Tiranë). Kjo e relativizon pak numrin 74 i pasojë e vullnetit të zgjedhësve.
Tani, në grafikun e mëposhtëm do shohim se sa efekt kanë patur procedurat e paraqitura tek nenet e kushtetutës dhe kodit zgjedhor, tek vota e zgjedhësve në shpërndarjen e mandateve në total, për secilin subjekt politik. Pra, bëhet fjalë se sa (në çfarë mase), rrumbullakimet (formulat e proporcionalit), kryesisht dhe pragjet elektorale nëpër qarqe, kanë neglizhuar vota dhe çfarë devijimi kanë patur këto “gabime të pashmangshme” të sistemit në shpërndarjen e mandateve për partitë.
Vlen të theksohet që tek kuotat ekzakte çdo votë e vlefshme ka ndikim, kurse tek numri i mandateve, shumë vota mund të jenë pa efekt nga aplikimi i procedurës së konvertimit të votave në mandate. E thënë ndryshe: po t’i shtohet një subjekti një votë, kolona blu e ndjen lëvizjen, kurse kolona e kuqe e mandateve nuk e ndjen edhe lëvizjen e mijëra votave.
Kështu, mund të konstatojmë që rrumbullakimet dhe pragu elektoral i dhanë PS-së 6 mandate, duke e bërë fituese absolute e zgjedhjeve të 25 qershorit. Sikur të kishte patur pak më tepër vota në qarqet Shkodër, Kukës, Berat dhe Vlorë {gjë që do të ndikonte me më pak se 0.5 në kuotat ekzakte}, PS mund të merrte plot 78 deputetë nga efekti i ndihmës së sistemit, pra afër 10 mandate.
2. Mandatet e sigurta dhe efekti i konfiguracionit të partive.
Tek tabelat e mëposhtme, del në pah efekti i konfiguracionit të subjekteve politike në zgjedhje, tek shpërndarja e mandateve.
Në kolonat -1M dhe +1M, paraqitet se çfarë lëvizje në përqindje, i rrezikon apo i siguron, edhe një mandat subjektit. P.sh. nga tabela për qarkun e Dibrës, PS-ja ka 2 mandate të sigurta, në bazë të përqindjes së votave të saja, kurse për të siguruar mandatin e tretë (në mënyrë të pavarur nga të tjerët) do i duhej një rritje prej 8.4% dhe për ta nxjerrë nga siguria mandatin e dytë do i mjaftonte një rënie prej 5.9%.
Gjithashtu për subjektin PS nga tabela vërejmë që, në bazë të përqindjeve të votave të vlefshme nëpër qarqe, i kishte të sigurta 67 mandate. Në Gjirokastër -0.26% mund të rrezikonte mandatin e tretë por nga fakti që partite e tjera konkuronin më vete, ky rrezik largohet disi. Kurse për PDIU në Tiranë, përqindja i siguron një mandat të cilin ia heq pragu 3% i votave të vlefshme {i vetmi rast}.
Nga tabelat mund të konkludohet:
PD ka përfituar nga një mandat (nga konfiguracioni i subjekteve në zgjedhje) në qarqet Shkodër, Kukës, Tiranë, Korçë dhe Vlorë.
PS ka përfituar nga një mandat (nga konfiguracioni i subjekteve në zgjedhje) në qarqet Durrës, Korçë, Elbasan, Fier dhe Vlorë , kurse në Tiranë përfitoi dy mandate.
LSI ka përfituar nga një mandat (nga konfiguracioni i subjekteve në zgjedhje) në qarqet Tiranë, Fier dhe Berat.
Kurse subjektet PDIU dhe PSD i kishin të sigurta mandatet e tyre, madje PDIU-në e penalizon pragu në Tiranë dhe aspak formula D’Hondt së bashku me konfiguracionin e subjekteve të tjera në zgjedhje.
Comments
Dmth ,kutia e votimit mund te
Dmth ,kutia e votimit mund te trajtohet si
1)kuti votimi
2)kosh plehrash
3)investim (nqse te ndihmon fati, si ne poker,ne varesi te letrave te kundershtareve)
Asnjeri nga ne nuk e di se ku e ka hedhur voten (ne cilin nga versionet e kutise),rezultatet e tregojne shansin qe vota ime ka ndikuar ose jo ne qellimin tim :)!
Llogarite
Ketu jane manipuluar qindra mijera vota, se LSI nga force e pare qe pretendente u vodh sa u be force e trete. Republikes se re i mungojne 200mije vota nga terrori i narkobandave. Po te ishin marre ne shqyrtim edhe keto faktore atehere ndryshe do ishin analizat. Saktesia e pretendimeve PD dhe LSI eshte me reale se ky rezultat qe eshte produkti i narkobandave.
Add new comment