Premtohen vende pune, por investimet e huaja serioze brugosen te TAP-i
Para disa ditësh u bë e njohur se në Maqedoni kompania amerikane e prodhimit të sediljeve “Adient” hapi një fabrikë në zonën industrial të Strumicës. Vetë përfaqësuesi i saj ndër të tjera tha:
“Një vit më parë ne njoftuam ndërtimin e fabrikës tonë dhe sot po qëndrojmë përpara saj. Ky investim është një tjetër provë e qartë e synimeve tona për të investuar në Maqedoni dhe një hap i rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit tonë në Europë, duke ofruar produkte të ndryshme të bazuara në cilësi, teknologji dhe rezultat për klientët tanë”.
Fabrika është një investim prej 20 milionë dollarësh dhe punëson 1 300 njerëz. Çfarë është interesante këtu është fakti se vendet e ish-Jugosllavisë, vijojnë traditën e nisur për thithjen e investimeve serioze në impiantet e inddustrisë automobile, e cila jo vetëm punëson, por edhe sjell ndryshime sociale dhe nevojën për rritje profesionale.
Tjetra që na sjell edhe ne si vend në kontekst, është fakti se investimi u përurua edhe pse Maqedonia prej një viti e më shumë ndodhet në një krizë politike, për të cilën u përfolën shumë skenarë. Ish-kryeministri Gruevski postoi diçka në profilin e vet në Facebook për këtë duke nënvizuar se kjo është punë e qeverisë së tij.
Sot agjencia serbe e lajmeve. “B92” raporton se një kompani kineze do të investojë në ndërtimin e një fabrike të ndërtimit të makinave elektrike, një tjetër për ka shprehur interes për një minierë bakri dhe një kompleks përpunimi. Pra kemi dy vende fqinj që përfitojnë investime jo të vogla dhe ç’është më e rëndësishmja, kapin trenin e duhur për të gjallërimin e sektorëve që përndryshe nuk vihen dot në lëvizje.
Shqipëria është mbrapa në këtë drejtim. Ndoshta kryeministri ka të drejtë kur thotë se “Punë ka, duhen profesionistë”, por investimet nuk mungojnë vetëm për këtë gjë. Është e vërtetë se tregu i punës në Shqipëri është shumë i ulët në tregues profesionalë, por le të kthehemi pak vite në kohë dhe të kujtojmë se qeveria bëri përpjekje për zona të lira ekonomike, ndryshoi ligjin e investimeve strategjike për të ftuar kompani në 7 sektorë të ndryshëm, u përpoq të krijonte lidhje me shtete të mëdha për të gjeneruar kapitale të reja, por ndonjë gjë e madhe nuk u arrit. Sot që flasim jemi në fushatë dhe palët po mburren ose me Rilindjen Urbane, ose me politikat fiskale, ose me premtime për ndryshime dhe në rastin e z. Basha me deklaratën misterioze se “nëse fitoj unë, dy kompani shumë serioze amerikane do vijnë në Shqipëri”.
Punësimin e premtojnë të gjithë: kush 300 mijë, kush 170 mijë, kush 200 mijë. Si do të krijohen këto vende pune, asnjë nuk e tregon. Ndoshta filxhani I kafesë nuk e tregon akoma, por këto përralla kanë kohë që nuk hahen më. Shqipërisë i kanë mbetur edhe shumë pak punë në investimet e transportit: projektet kryesore të rrugëve ose janë miratuar, ose janë në fazën e miratimit. Dikush duhet të kujtohet se investimet e huaja nuk po duken dhe se ndonëse këtë fakt palët e trajtojnë me shifra dhe statistika evazive, rastet e vendeve fqinj na kujtojnë sa larg jemi. Pasi ka rëndësi të vijnë investime, por duhet mbajtur parasysh edhe se çfarë lloj investimesh.
Add new comment