Zaev, një fotokopje e Edi Ramës
Shqipëria dhe Maqedonia po konsumojnë javët e para pas krizave politike që angazhuan edhe faktorin ndërkombëtar për tejkalimin e mosmarrveshjeve politike. Në thelb të dyja krizat promovuan një lloj qasje të Brukselit zyrtar pro krahëve të caktuar politik dhe udhëheqësve që u atashuan si partizanë të një axhende properëndimore dhe paralajmërimeve për të mos rrëshqitur në influencën ruse. Është e njëjta prirje që shfaqi si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ashtu dhe lideri socialdemokrat i Maqedonisë Zoran Zaev. Të dy janë në përpjekje të vazhdueshme për të bindur Brukselin të përshpejtojnë futjen e dy vendeve në Bashkimin Europian, ndonëse si Shqipëria ashtu dhe Maqedonia përballen me prombleme të shumta që nuk përputhet me rimëkëmbjen e përgjithshme që liderët e dy vendeve premtojnë.
Një javë më parë në një intervistë për rrjetin MRT në Shkup, kryeministri Zoran Zaev veproi në të njëjtën mënyrë si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas ardhjes në pushtet. Ashtu si qeveria socialiste e Tiranës deklaroi se kishte gjetur një borxh të fshehur edhe Zaev tha se ishte përballur me një situatë të tmerrshme të buxhetit, për të cilën nuk ishte në dijeni. "Situata e buxhetit të shtetit është e tmerrshme. Megjithë garancitë që na dha VMRO DPMNE, në arkat e shtetit gjetëm vetëm 6 milionë euro në vend të 130 milionë eurove”- tha Zaev duke fajësuar paraardhësit e tij për ekzistencën e një borxhi të fshehur prej 1 miliardë euro.
Ndërkohë, Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, pas takimeve që Zaev kishte në Bruksel me, Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tousk dhe shefen e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini theksoi rëndësinë e përfundimit të reformave, veçanërisht në fushën e drejtësisë. Madje Hahn premtoi se Brukseli do të dërgojë një ekip ekspertësh për të përshpejtuar programin e reformës. Të njëjtat detyra shtëpie që i janë vënë edhe Tiranës zyrtare ku kryeministër është Edi Rama i predispozuar për të thënë po për gjithçka dhe për të negociuar një hapje të negociatave të anëtarësimit në dhjetor.
Add new comment