Ministria e Kulturës reagon për manastirin e Shën Thanasit: E rrëzoi tërmeti

Postuar në 08 Qershor, 2017 19:39

Minisria e Kulturës ka reaguar ndaj rrëzimit të Manastirit të Shën Athanasit në Leshnicën e Poshtme në Sarandë. Sipas saj, manastiri është në listën e objekteve që po restaurohen, por tërmeti i muajit shkurt shkaktoi të tjera dëme.

Reagimi:

Në kishën e Shën Thanasit në Leshnicë janë kryer inspektime dhe ndërhyrje përforcuese nga DRKK Vlorë, ndërsa gjatë dekadave kjo kishë ka pësuar degradime të rënda në të gjithë elementët strukturorë përbërës të saj dhe nuk është kryer asnjë ndërhyrje deri në vitin 2014. 

Gjatë inspektimeve të kryera në 2014 -2016 u konstatua se pavarësisht ndërhyrjeve me qëllim stabilizimin e strukturës të kryera efektivisht nga DRKK Vlorë në këtë kishë, domosdoshmëria për investime të konsiderueshme mbeti prioritare. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka realizuar disa punime mirëmbajtjeje dhe konsoliduese në struktura dhe pikturë murale gjatë viteve 2014-2016. Konkretisht janë kryer ndërhyrje si: pajantimi i mureve më të rrezikuara, prerja e pemëve të rritura që kishin mbirë mbi kupolën e objektit dhe injektimi i rrënjëve në strukturën e objektit, sigurimi i objektit në vijim të heqjes së bimësisë dhe  sigurimi i pikturave murale. Në këto kushte IMK dhe DRKK Vlorë hartuan projektin e emergjencës në shkurt 2017 me vlerën 1 milion lekë të reja dhe janë në proces ngritje fondesh për financimin e tij.

Projekti i restaurimit tërësor të objektit është në proces që prej 2016 dhe po realizohet me profesionalizëm të lartë në mënyrë që të rindërtohet pjesa e dëmtuar e kishës dhe të rekuperohen vlerat e rralla të saj.

Pavarësisht masave përforcuese të marra, fatkeqësisht, gjatë tërmetit të fuqishëm të shkurtit 2017 me epiqendër ne Janinë, ra një pjesë e çatisë dhe mureve të kishës.

Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë së bashku me Sektorin e Sarandës kanë sistemuar të gjithë elementët e materialeve të objektit në mënyrë që të ripërdoren gjatë realizimit të projektit të restaurimit të objektit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës mbeten të dedikuara në punën vështirë të ruajtjes dhe restaurimit të pasurive kulturore në mbarë territorin e Shqipërisë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.