"Fasadë me ngjyra artistiko-statistike, por jo Kujtesë"
Kreu i Partisë Aleanca Popullore për Drejtësi, Bilal Kola, që rrjedh nga një familje të persekutuarish politikë, publikon sot një opinion në gazetën “Panorama” rreth kujtesës kolektive dhe nismave të fundit për muzealizimin e mjediseve të aparatit represiv të Diktaturës së Enver Hoxhës. Sipas Kolës ajo që ka bërë qeveria aktuale është thejsht fasadë, asgjë më shumë. Si shembull për të ilustruar këtë, Kola sjell faktin se tekstet e librave shkollorë nuk janë prekur në këtë drejtim.
“Qasja e asja e Kryeministrit Rama në lidhje me kujtesën kolektive dhe muzealizimin ka qenë krejtësisht fasadë dhe aspak substanciale. Kurrikulat shkollore përgjatë këtyre 26 viteve kanë qenë dhe mbeten në gjendje skandaloze në raport me të vërtetat e pakontestueshme të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri. Nuk ka asnjë fjali të vetme në librat shkollorë në lidhje me shifrat reale të përndjekjes politike në Shqipëri (mbi 7,500 të ekzekutuar me ose pa gjyq, mbi 28 mijë të burgosur politikë, mbi 60 mijë të internuar dhe dëbuar). Vendosja e një “historiani-politikan” si Paskal Milo, në krye të një grupi “ekspertësh” (që për “koincidencë” janë të gjithë të majtë) për rivlerësimin e kurrikulave është një veprim sa qesharak, po aq edhe paradoksal, kjo për faktin se personi në fjalë është shumë më tepër i interesuar për “peshkimin” e votave të enveristëve sesa për pasqyrimin objektiv të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri”, shkruan ai. Dy fjalë edhe për formatin e Bunk’Art që ka zënë vend si modë e një metropoli së fundmi.
“Gjithashtu në lidhje me bunk-art(et) kuptohet qartazi sipërfaqësia dhe fasada e kësaj qeverie, pasi muzealizimit në raport me të shkuarën tragjike të mbi 1/3 së popullit tonë i jepen më shumë ngjyra artistiko-statistike, sesa fakte reale të krimit komunist dhe keqbërësve të diktaturës. APD ka në programin e saj krijimin e muzeve te kujtesës në ish-burgjet e diktaturës komuniste (Spaç, Gjirokastër, Qafë-Bari etj.) dhe kampeve të internimit (Tepelenë, Porto Palermo, Gradisht, Savër, Plug, Grabjan etj) dhe vënia në shërbim dhe menaxhim të këtyre muzeve nga vetë anëtarët e komunitetit (duke përfshirë shoqatat) e të përndjekurve politikë”, shkruan ai që shton se duhen disa nisma për simbolizimin në rrafsh nacional të asaj që ndodhi në atë kohë.
“APD synon ndërmarrjen e iniciativave për ndërtimin e Memorialit Kombëtar të Kujtesës në Tiranë, së bashku me Murin e Nderit, si dhe caktimin e Ditës Kombëtare të Kujtesës, ku shoqëria dhe shteti shqiptar në mënyre solemne të kujtojnë dhe nderojnë martirët e lirisë dhe viktimat e komunizmit”, mbyll opinionin Kola.
Add new comment