Llogaritë dalin vetëm me bashkëqeverisje PS-PD*

Postuar në 26 Maj, 2017 10:33
Mustafa Nano

Ilir Meta përcaktoi një tavan, mbi të cilin asnjë parti shqiptare, sipas tij, nuk do mund të ngjitet në këto zgjedhje. Ky tavan, sipas tij, ishte baraz me 53 deputetë. Kuptohet, jemi në betejën propagandistike të shifrave (nëse këtë tavan do ta linte më të lartë, i binte që të mos mbetej gjë për LSI-në). Është një betejë që do ta bëjnë edhe partitë e tjera. Madje, Partia Socialiste e ka filluar përpara tij. “Synojmë të marrim 71 deputetë”, është dëgjuar Rama të thotë më shumë se njëherë. Dhe është e qartë se kemi të bëjmë me një wishful thinking. Kjo e Ramës duket më larg të vërtetës se sa “tavani” i Metës. Janë shumë të pakta gjasat që Partia Socialiste të marrë, e vetme, mbi 70 deputetë. Nëse kjo do të ndodhte, do të ishte surpriza më e madhe në historinë elektorale të Shqipërisë postkomuniste, e cila nuk ka qenë shumë e pasur me surpriza. Në zgjedhjet tona nuk para ka surpriza, si rregull. Ndonjë përjashtim i rrallë në zgjedhjet komunale (si fjala vjen në Shkodër kur është refuzuar në një rast Partia Demokratike dhe votat iu dhanë një kandidati të djathtë) ka qenë thjesht përforcim i rregullit. Shqiptarët mund të jenë qeniet më të paparashikueshme në botë, por si zgjedhës nuk janë hiç të paparashikueshëm. Në këtë kuptim, dihet pothuaj me siguri që socialistët do të dalën të parët si parti në këto zgjedhje. Si gjithnjë. Por nuk do të jenë të vetëmjaftueshëm për të ndërtuar një shumicë qeverisëse.

Nëse biem dakord se është kështu, atëherë ka diçka që kërcet në llogaritë e Ramës për t’u futur i vetëm në zgjedhje. Me cilën parti do ta ndërtojë ai koalicionin qeverisës? Kështu si u bë, me partitë që do garojnë individualisht në zgjedhje (nuk do ketë koalicione parazgjedhore), parlamenti i pas 25 qershorit do të ketë në rastin më të koklavitur katër parti (PS, PD, LSI e PDIU) e në rastin më të thjeshtë tre (tre të parat). Kjo është një situatë që nuk e favorizon PS-në e Ramës. Kur vjen puna te bashkëpunimi, Rama është më i vështiri, për rrjedhojë më pak i preferuari, qoftë për LSI-në, qoftë për PDIU-në. Kjo e fundit, sidoqoftë, edhe sikur të demonstronte vullnet për të bashkëpunuar me Ramën pas zgjedhjeve, nuk do të ishte një barkë e sigurt shpëtimi për Ramën. PS plus PDIU nuk e kapin dot shifrën magjike 71. Vetëm koalicioni PS plus LSI do të jepte garanci 100%. Mirëpo, ky koalicion ose nuk ka për të ndodhur (Metën më kollaj mund ta detyrosh të vërë një bombë në brez e të hidhet në erë në mes të parlamentit se sa të bëjë një koalicion të dytë me Edi Ramën), ose do të ndodhë pas një marrëveshjeje me terma të tjerë, të cilat do të bënin të mundur valorizimin politik e parlamentar të LSI-së si kurrë ndonjëherë më parë, pavarësisht nga numri i deputetëve. Të njëjtat vështirësi do të jenë edhe për PD-në, nëse do të negociojnë me LSI-në krijimin e një shumice qeverisëse së bashku (Nëse kjo do të ishte e mundur, kuptohet: mund të ndodhë që të dyja bashkë të mos kapin dot numrin 71). Madje, në këtë rast LSI-ja do ta hapte më shumë gërshërën e vet të pretendimeve. Dhe kështu, do të ndodhë ajo që ka ndodhur edhe më parë: përpjekja për dobësimin numerik të LSI-së do sillte fuqizimin real të saj. Në këto rrethana lind pyetja: Ç’ishte kjo që bëri Rama? Pse nuk preferoi koalicionin parazgjedhor me LSI-në që, ishte si ishte (në fakt, ishte si mos më keq), i jepte garanci të plota për të mbajtur frenat e drejtimit të vendit edhe për katër vjet të tjera?

Në fakt, këto pyetje bëhen ngaqë ne nuk dimë se për çfarë janë marrë vesh Rama e Basha gjatë negociatave që kanë patur. Nëse në këto negociata nuk është biseduar gjë tjetër, përveçse asaj që është bërë e njohur, atëherë Rama, në rastin më të mirë për të, është duke luajtur një bixhoz shumë të rëndë, është duke hedhur në një bast të rrezikshëm gjithë karrierën e tij politike. Basha është në një situatë më të keqe, të kuptohemi, por puna është që Basha nuk ia ka komplikuar jetën vetes. Përkundrazi, ai ishte në sallën e reanimacionit dhe tani po e sheh veten, më të këndellur, në një dhomë pavijoni. Ndërsa Rama ishte mirë e bukur dhe tani e sheh veten në pavijonin e një spitali, tok me Bashën. Të gjithën e bënë për të futur fillimisht në reanimacion, e më pas në varr, LSI-në e partitë e tjera të vogla.

Shpëtim Nazarko mbron idenë se Rama ka lëvizur si një mjeshtër i madh në këtë situatë. Mirëpo mjeshtër i madh mund të dalë veç nëse PS-ja merr 71 deputetë. Madje, sa më e pamundur të ngjajë kjo gjë sot, aq më i madh do të shfaqet Rama nesër, me 71 deputetët në xhep, e për rrjedhojë aq më leshko do të dalin njerëz si puna ime që këtë skenar e konsiderojnë si një ngjarje me probabilitet zero. E megjithatë, unë vijoj ta përjashtoj variantin, në të cilin PS-ja do të jetë në gjendje të formojë e vetme shumicën qeverisëse.

Për mua, Rama del si një llogaritar i mirë veçse në një rrethanë, veçse ai ka nënshkruar një marrëveshje me Bashën, nëpërmjet së cilës kanë rënë dakord për të qeverisur së bashku pas zgjedhjeve. Nëse kjo marrëveshje nuk futet në ekuacion, nuk kuptohet se ku del madhështia e Ramës. Kushdo që të ishte në vendin e tij, me një opozitë idiote të ngujuar në çadër e me të gjitha qeveritë e botës kundër çadrës, do të dinte të nxirrte Bashën fare të vdekur nga çadra. Ndërsa Rama bëri tjetrën. I dha jetë atij. Përse vallë e bëri këtë? Vetëm një shpjegim ka. Kanë vendosur të qeverisin së bashku. Nëse nuk është kështu, qoftë ai që është. Madje, edhe kështu sikur të ishte, socialistët do duhej të ishin pak të trembur. Sepse kjo marrëveshje është lidhur me Lulzim Bashën. T’i besosh Bashës kur ai thotë se flet në  emër të PD-së është si t’i besosh një clochardi kur thotë se ka nxjerrë në shitje vilën e tij.

*Titulli origjinal: Çfarë llogarish ka bërë Rama? 

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.