Dojaka nuk heq dorë nga ankimimi në Kolegjin Zgjedhor. Data e zgjedhjeve në kufij të ligjit
Nëse dispozitat e Kodit Zgjedhor anashkalohen, atëherë është hapur rruga për çdo ankimim në të ardhmen
Partia Aleanca Popullore e drejtuar nga Artur Dojaka nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ankimi I vet në Kolegjin Zgjedhor ku ka depozituar kërkesë kundërshtinë e vet për listat e kandidatëve. Kolegjji ka vendosur të shtyjë në datën 22 maj shqyrtimin e kërkesës së PAP dhe në seancë do të thirren 15 partitë që janë regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit.
“Do të të vazhdojmë pranë Kolegjit Zgjedhor me ankimimin që nuk është asgjë tjetër përveçse ankimim në mbështetje të ligjit dhe shtetit ligjor. Nuk mund të lë pa përshëndetur marrëveshjen e mbrëmshme mes kreut të PS dhe atij të PD, gjë e cila i hap rrugë gjithë proçesit. Por në fund të fundit ne pas 27 viteve tranzicion duhet të kuptojmë se proçesi nuk është thjesht marrëveshje e disave në veçanti por është një proçes ligjor. Proçesi ligjor mund të quhet i tillë vetëm në momentin që vendosin gjykatat dhe e tillë është dhe dita e sotmë në Kolegjin Zgjedhor ku ne presim vendimin. Ankimimi mbështet marrëveshjen. Nuk ka asnjë lloj synimi për sfumim të marrëveshjes dhe as arsye tjetër. Jemi në vazhdim të asaj që kemi ankimuar dhe nuk shohim asnjë arsye pse ne të tërhiqemi nga vazhdimi i ankimimit. Jemi forcë politike e përgjegjshme. Në mbështetje të marrëveshjes, ne po i japim hapësirën që për ne është rruga e vetme që mund ti mundësojë gjithë forcave politike me një proçes ligjor të çertifikuar tashmë përmes proçesit të Kolegjit Zgjedhor të marrin pjesë në zgjedhje. E shoh si mbështje të marrëveshjes së arritur” tha kreu i Partisë Aleanca Popullore Artur Dojaka.
Një tjetër parti, ajo Agrare, e ka tërhequr ankimimin e vet pas arritjes së Marrëveshjes. Listat e dorëzuan në afate të dyshimta pas disa akrobacive juridike të Denar Bibës që drejton sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nuk dihet se çfarë mund të prodhojë një vendim i Kolegjit për ankimin e PAP, por marrëveshja sanksionon afate të reja nga ato të dekretit të Presidenti, të cilat ende nuk dihet sesi do të përfaqësohen në ligj. Nëse Kolegji pranon ankimin e PAP, listat e dorëzuar konsiderohen të pavlefshme dhe mandej procedohet me vendim të ri të KQZ-së. Këtij të fundit do t’i duhet të veprojë në përmbushje të vendimit të Kolegjit, ndërkohë që marrëveshja parashikon një datë të re zgjedhjesh. Debati aktual për datat 25 qershor apo 16 korrik është vendimtar për të ruajtur formën ligjore të procesit. Kodi Zgjedhor parashikon qartë në nenin 8 të tij, “Periudha Zgjedhore” se:
Zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor. Bëjnë përjashtim nga ky rregull rastet e parashikuara në pikat 3, 4, 5 dhe 6 të nenit 9 të këtij Kodi
Neni 9 i Kodit rregullon dekretimin e datës së zgjedhjeve që tanimë ka ndodhur në zbatim të nentit 65 të Kushtetutës.
Ky nen thotë:
Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij Kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit. Në rast se mandati i Kuvendit përfundon më herët se 30 ditë nga fillimi i periudhës zgjedhore, zgjedhjet zhvillohen në periudhën zgjedhore pararendëse. Për efekt të këtij Kodi, mandati i Kuvendit mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së mbledhjes së parë të tij
Këto përcaktime janë deçizive dhe rastet përjashtimore për të cilat flet neni 8 lidhen me shpërndarjen e Kuvendit. Kuvendi aktual ka mandat deri në muajin shtator kur edhe është mbledhur ai pas zgjedhjeve të vitit 2013, por kur Kodi sanksionon 30 qershorin si datë kufi, caktimi i 16 korrikut, hap rrugën e çdo ankimimi në të ardhmen. Kodi nuk mund të ndryshojë 6 muaj para zgjedhjeve dhe sot që flasim, marrëveshja mund të jetë një hap, por ajo do të duhet të shikohet mirë në planin teknik dhe veprimet plotësuese ligjore, për të analizuar nëse ajo anashkalon ligjin aktual, duke krijuar premisat e një krize edhe më të thellë nesër. Në çdo rast Kuvendit, nëse do të hyjë sërish në veprim i duhet të ketë vendimmarrje konsensuale për çdo gjë që lidhet me zgjedhjet nga këtej e tutje.
Add new comment