Vizita pa kuptim e Yee
Siç është bërë e ditur nesër mbërrin në Tiranë për një vizitë të radhës, zëvendësndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee në një përpjekje për zgjidhjen e krizës. Formalisht mund të thuhet për zgjidhjen e krizës politike, pasi nëse shohim disa hollësi, Yee vjen në Tiranë për të presuar mbi PD-në dhe asgjë më tepër.
Zgjdhja e nje krize dhe ndërmjetësimi kalojnë nga shtrimi në tryezë i opsioneve të kompromisit, ndërkohë që Yee sot ka lëshuar sinjalin se “bojkoti është i papranueshëm”. Ky është një avantazh në paradhënie që zyrtari amerikan i bën qeverisë shqiptare, kreu i së cilës nuk ka asnjë fije hezitimi që të përfitojë nga situata për të likujduar opozitën. Politikisht ky është akt i logjikshëm, si burrë shteti apo si pasardhës i Skënderbeut apo Ismail Qemalit, kjo lëvizje nuk qëndron.
Më tej akoma, Yee e ka infektuar vizitën me përfshirjen në axhendë të një takimi me Majlinda Bregun, dikur një ushtare e qeshur e pushtetit të Sali Berishës, sot opozitare e vetëshpallur.
Mundet fare mirë të pyetet se çfarë do të ofrojë zyrtari amerikan për zgjidhjen e krizës në këto kushte? Nëse i besojmë kësaj axhende dhe deklarimeve të tij ai vjen në Tiranë vetëm për të shtuar presionin mbi PD-në. Kjo është me gjasë një lëvizje e dështuar, pasi opozita sot ka shkuar shumë larg sa të pranojë një kërkesë të ngjashme. Në çdo rast kjo mbështetje e pakufizuar për qeverinë më të inkriminuar dhe korruptuar në Europë, patjetër që do të ketë reflektimin e vet në opinion, pasi jo çdo njoftim që vjen nga jashtë duhet pranuar si i vlefshëm. Sigurisht që PD-ja dhe lidershipi i saj kanë frikën e tyre, axhendën e vet, por parimisht kauza se me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të garantuara është objektive. Mbetet në tagrin e opozitës të dëgjojë edhe njëherë PS-në të flasë me gojën e një përfaqësuesi të SHBA, por do të ishte çudi dhe thjesht kundërsens politik nëse do të pranoheshin këshilla si këto që njoftohen sot pa lëshime reciproke.
Add new comment