Peshorja e kongresmenëve amerikanë në mes
Ambasada Amerikanë në Tiranë përmes një deklarate të shkurtër ka përcjellë rezymenë e vizitës së 9 kongresmenëve amerikanë në Shqipëri. Ndryshe nga qëndrimet e ambasadorit LU, kongresmenët nxisin dialogun dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe nënvizojnë rëndësinë që të gjitha partitë të marrin pjesë në procesin demokratik. Një deklaratë që nuk i ngjason asaj të Bashkimit Europian dhe që e mban peshoren në mes sa i takon rolit të qeverisë dhe opozitës në krizën aktuale.
Deklarata e Ambasadës së SHBA:
Një delegacion me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, udhëhequr nga kongresmeni Bob Goodlatte, kreu një vizitë në Shqipëri të mërkurën, gjatë së cilës nënvizoi partneritetin strategjik midis ShBA dhe Shqipërisë, rëndësinë e reformës në drejtësi për vendin, dhe çështje rajonale. Përfaqësuesit Steve King, Matt Gaetz, Dave Trott, David Cicilline, dhe Peter DeFazio iu bashkuan Z. Goodlatte, i cili shërben si Kryetar i Komitetit të Drejtësisë të Kongresit, gjatë takimeve me Presidentin Bujar Nishani, presidentin e zgjedhur Ilir Meta, Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.
Anëtarët e delegacionit i nxitën të gjitha palët për t’u bashkuar dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, si dhe për të vazhduar punën e vështirë të demokracisë. Ata nënvizuan rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi, forcimit të zbatimit të ligjit, si dhe theksuan rëndësinë që partitë të marrin pjesë në procesin demokratik.
Add new comment