Fotoja e publikuar nga Nano virtual paralajmëron ekzistencën e ditarit sekret të Olldashit  

Postuar në 08 Maj, 2017 09:56

Fatos Nano është vetëm një njeri, por në Facebook gjen me dhjetëra po të kërkosh. Në morinë e profileve që janë krijuar për ish-kryeministrin shqiptar, socialistin liberal, me siguri secili nga krijuesit e llogarive ka krijuar Fatos Nanon që pëlqen, mes tyre ndodhet edhe ai që fiton zgjedhjet e vitit 2005. Ky variant i Fatos Nanos fitimtar që nuk tërhiqet i jep oksigjen edhe nostalgjisë që shfaqet në një nga profilet Nano, ku postohet një foto e ish-kryeministrit me Sokol Olldashin. Mediat e kanë qarkulluar këtë foto-postim që është publikuar në “Gazeta Shqiptare” më datë 9 prill dhe është shkrepur në “Living Room” gjatë kohës kur Olldashi kandidonte për Bashkinë e Tiranës, por edhe kur në kryeqytet kishte mbërritur grupi rock “Europe”. Siç shihet fotoja ka disa kuptime dhe mesazhe, që bashkë me tekstin e Fatos Nanos misterioz të Facebook, “Mungesa jote nuk ndihet vetem ne politike...”, e shton dozën e bindjes se kemi të bëjmë me diversion.

Nano është I vdekur politikisht, kjo ishte zgjedhje e tij, por me sa duket për të, Olldashi, ndonëse i vdekur fizikisht jo për zgjedhje të tij, ka ende peshë politike. Pra rron politikisht. Mungesa e tij politike hamendësisht duhet të ndihet te PD-ja, ku mbretëron Lulzim Basha, që së fundmi nga Fatos Nanua fizik humbi aleancën e Agron Dukës. Situata  këtu bëhet vërtet serioze, pasi mundet që ky Fatos Nano virtual, të ketë në dispozicion ndonjë ditar të Olldashit, material me gjasë përvëlues për Bashën, ndonëse ky i fundit e ka shumë kollaj edhe të qajë, por sidomos të qeshë.

Si ta lexojmë pra këtë mesazh virtual? Në sfond qëndron grupi “Europë”, alegori kjo për kursin antieuropian të PD-së së Çadrës, një socialist liberal, dikotomi kjo e mundësuar nga hedonizmi i mirënjohur nanoist dhe Olldashi, i njohur i vjetër familjar i Nanos, por edhe rival i Bashës për kreun e PD-së.

Rrugët e kriptuara të këtij mesazhi të çojnë në një konkluzion: Mesazhi është aq esëll, saqë atë me siguri profilin e këtij Fatos Nanoje e administron Edi Rama. Teksti le t’i njihet Majlinda Bregut si atribut, pa harruar që të mbahet në llogari edhe ndonjë dijeni e Genc Rulit. Komploti është mëse I qartë: ai është organizuar nga ambasada amerikane që siç tha Ngjela pak ditë më parë, “nuk e dëshiron pjesëmarrjen e PD-së në zgjedhje”.

PS: Për lexuesit duhet shtuar se profili më i besueshëm I Fatos Nanos në facebook është ai që ka një qen të bardhë në foto profil dhe ku si përshkrim biografik ka fjalën: Retired(në Pension).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.