“Asnjë Pazar. Të shpëtojmë Shqipërinë nga Edi Rama!”
Koço Kokëdhima, kryetar i lëvizjes “Zgjidhja”, ka menduar të dalë sot me një editorial të vetin që merret me trajtimin e krizës politike në vend. Editoriali shfaqet në ditën kur është njoftuaar takimi mes kreut të PD-së dhe kryeministrit Edi Rama, mes të cilëve Kokëdhima, duket se zgjedh të parin në funksion të kauzës së zgjedhjeve të lira.
“Thirrjet e Edi Ramës se opozita ka frikë nga reforma në drejtësi nuk e fshehin dot makthin që Ai ka nga reforma zgjedhore. Çjerrjet e Ramës s’janë veçse një ekran tymi për të fshehur prapaskenat ku po luhet një tragjedi e vërtetë shekspiriane me metodat nga më të shëmtuara për ta detyruar popullin shqiptar të shkoje në zgjedhje pa reformë zgjedhore. Kryeministri, si hajduti thërret: "kapeni hajdutin". “Zgjidhja” i kërkon publikisht edhe një herë lidershipit të opozitës, të rikthehet pa humbur më kohë në Parlament dhe të votojë ato ligje që kanë mbetur nga Reforma në Drejtësi. Vetëm kështu i hiqet çengeli i fundit dhe alibia ku janë kapur Edi Rama dhe klika e tij, të cilët pasi kanë uzurpuar Partinë Socialiste dhe të majtën shqiptare, po synojnë të kapin edhe të ardhmen e Shqipërisë”, shkruan Kokëdhima.
Sipas tij, ka një manipulim dhe keqinformim edhe të aktorëve ndërkombëtarë të cilët kanë përdorur presion ndaj opozitës duke shtyrë kalimin në zgjedhje “sa për sy e faqe”.
“Këto lloj zgjedhjesh nuk na çojnë asgjëkund, përveç se në konfrontim, destabilizim, konflikt dhe në shpërthime sociale të rrezikshme për paqen, sigurime, ekonominë dhe jetën e popullit shqiptar. Klasa politike shqiptare po shantazhohet nga diplomatët e huaj, të cilët po tejkalojnë kufizimet e mandatit që përcakton Konventa e Vjenës, vetëm e vetëm për të arritur gjunjëzimin e atyre politikanëve shqiptarë që nuk duan të bëhen pjesë e procesit të dyshimtë dhe jodemokratik elektoral”, vijon botuesi i gazetës “Shekulli”. Sipas tij zgjedhjet duhen garantuar në përmbushje të standardeve demokratike dhe pa asnjë kompromis në kurriz të tyre. Kokëdhima shikon destabilitet edhe si pasojë e mënyrës si po vepron kryeministri, dikur miku I tij, ndaj të cilit bën një thirrje:
“…Edi Ramës dhe këshilltarëve të tij, të cilët e drejtojnë këtë vend jua ripërsërisim: mos e çoni vendin drejt një greminë, që do t’u thithë juve të parëve. Është koha për t’i hequr “Rilindjes” suaj erën e drogës dhe të eurove të grabitura nga taksat e popullit shqiptar. Kush bën pazar kundër zgjedhjeve të lira do të përgjigjet, jo vetëm përpara historisë, por edhe para këtij populli të drobitur nga kjo klasë politike. Edhe diçka të fundit: PD dhe PS, Sali Berisha dhe Edi Rama janë respektivisht dy parti dhe dy liderë të kriminalizuar deri në palcë edhe për sa i përket zgjedhjeve dhe proceseve zgjedhore. PD, sot ka një avantazh moral të dhuruar nga Edi Rama: Ajo po mban në dorë flamurin e luftës për zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është një bonus i pamerituar. Pavarësisht kësaj, një gjë është shumë e qartë: kauza e zgjedhjeve të lira është kauzë fituese. Fronti që mbron këtë kauzë nuk duhet të trembet, nuk duhet të bëjë asnjë lëshim. Pushteti që ngrihet mbi zgjedhje të manipuluara është tigër prej letre dhe i ka orët e numëruara! Të shpëtojmë zgjedhjet! Të shpëtojmë paqen! Të shpëtojmë stabilitetin! Të shpëtojmë Shqipërinë! Lërini të shiturit të flenë në shtratin e tradhtisë! Askush të mos trembet nga kërcënimet! Populli ynë është i vetmi Zot i vërtetë në këtë vend”, mbyll editorian Kokëdhima.
Add new comment