Nxënësit e shkollave thirren për mitingun e Edi Ramës në Kavajë(Video)

Postuar në 27 Prill, 2017 15:23

Të flasësh me elektoratin është tjetër gjë dhe të japesh shfaqje politike me regji dhe audiencë të porositur, ku dekori janë nxënësit e shkollave dhe gjimnazeve është ajo që po u serviret shqiptarëve nga kryeministri dhe administrata partiake që militon në zyrat arsimore të Republikës. Partia në pushtet i quan takim me votuesit për herë të parë dhe në mitingjet që janë zhvilluar në Tiranë, Vlorë e Gjirokastër ka rënë në sy masiviteti i të rinjve që duartrokasin dhe brohorasin për kryeministrin. Këtë të enjte ishte programuar takimi me votuesit e herës së parë në Kavajë, fushëbetejën e parë të përplasjes së mazhorancës dhe opozitës në zgjedhje. Kryeministri e nisi ditën me një foto nga Kavaja Rilindur, por enthusiasmi për mitingun pësoi një çoroditje pas një video të publikuar që tregon sesi një mësuese e gjimnazit Aleksandër Moisu njofton nxënësit për të marrë pjesë në mitingun e Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama.
"Nesër në orën 16:30, zhvillohet një aktivitet i kryeministrit Edi Rama me të rinjtë, e gjithë shkolla do të përfaqësohet me mësuesit e vet dhe nxënësit e çdo klase, nesër në takimin që organizohet…!"- dëgjohet t'u thotë nxënësve mësuesja Elona Bizhdili.
Pas kësaj videoje reagoi kryeministri, duke njoftuar shkarkimin e mësueses në fjalë.
“Jam informuar se një mësuese në klasë u thotë nxënësve që duhet të shkojnë në takimin në Kavajë, ministrja e ka shkarkuar dhe larguar nga sistemi arsimor atë mësuese dhe unë ta them sot edhe njëherë qartë e prerë për të gjithë mësuesit dhe mësueset e vendit, secili ka lirinë dhe të drejtën të angazhohet politikisht me çdo forcë politike, të flasë me këdo, por është në shkelje flagrante jo vetëm të ligjit, por edhe etikës së shkollës nëse e thonë në klasë, brenda mureve të shkollës”- tha Rama në parlament. Kujtojmë që kryeministri gjatë kohës që ishte në opozitë kishte kritikuar ashpër pjesëmarrjen e mësuesve dhe nxënësve të shkollave në mitingjet e qeverisë, por dëshmia e radhës zbulon një tjetër realitet. 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.