Ilir Meta intepreton krizën sipas halleve të LSI-së
Ilir Meta ka bërë sot një tjetër interpretim të situatës politike ku ndodhet vendi, duke etiketuar si shkaktar të krizës paktin kushtetues të vitit 2008 mes Ramës e Berishës dhe në veçanti ndryshimet në Kodin Zgjedhor që penalizonin partitë e vogla. Në funksion të kësaj akuze ishte dhe tryeza që ai thirri me partitë parlamentare për të ndërmarrë ndryshime në Kodin Zgjedhor, pas urdhrit të ndërkombëtarëve për t’u futur në zgjedhje edhe pa opozitën. Meraku i Ilir Metës nuk është më mungesa e opozitës në zgjedhje, siç deklaronte pak javë më parë, por si do të dalë LSI-ja nga zgjedhjet e datës 18.
Një qëndrim që mesa duket vjen nga vendimi i Partisë Socialiste për të dale e vetme në zgjedhje, (siç deklaroi Vasilika Hysi për Abc News se afati për regjistrimin e koalicioneve ka përfunduar), çka i heq LSI-së rezervuarin e votave që përfitonte nga dalja në koalicion. Tashmë duket se nuk ka më dilema se Rama do të dalë pa aleatin e tij në zgjedhje dhe kjo e fundos elektoralisht Ilir Metën që në sondazhe nuk del mbi 10%.
Ndaj dhe sulmi i Metës është ndaj Kodit Zgjedhor, i cili mban në fuqi sistemin proporcional kombëtar të korrektuar. Ky sistem që mund të ndryshojë vetëm me ndryshim të Kushtetutës favorizon vetëm partitë që dalin në koalicion dhe penalizon partitë e vogla që dalin vetëm në zgjedhje.
“Ky është një kod i mallkuar zgjedhor që në 2008-n, një kod i bërë në errësirë nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe përsëri ky kod dëshiron të mbajë në errësirë zgjedhjet në Shqipëri për fat të keq. Sepse nëse ka një konsensus është ai i nëndheshëm për të penguar çdo përpjekje që rrit transparencën e procesit zgjedhor dhe që e kalon atë nga dy-tre duar në një proces të hapur, konkurrues dhe demokratik. Pasojat e krizave të këtyre viteve, të gati një dekade, janë pasojat e kodit të bërë në errësirë me ndryshimin e dhunshëm që iu bë Kushtetutës me konsensusin e madh”-deklaroi Meta. Ai tashmë do të jetë lojtar i vetëm në zgjedhje dhe me gjasë në opozitë pas 18 qershorit, çka ngre shumë pikëpyetje për veprimet e LSI-së në funksion te përshkallëzimit apo zgjidhjes se krizës.
Add new comment