Gjenocidi kundër muslimanëve të Perandorisë Osmane- i fshehur rreth 100 vjet

Postuar në 22 Prill, 2017 19:03
Milazim Krasniqi

Justin McCarthy, “Vdekje dhe dëbim-Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, ALSAR, Tiranë, 2015

Gjenocidi ndaj muslimanëve që jetonin në Perandorinë Osmane, i planifikuar dhe i zbatuar përgjatë shekullit XIX dhe pjesës së parë parë të shekullit XX (1821-1922) është fshehur që kur është kryer, jo vetëm nga shtetet që e kanë kryer gjenocidin (Rusia, Greqia, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi) po edhe nga Fuqitë Evropiane, të cilat e kanë pasur gjithashtu në prospektet e tyre largimin e të gjithë muslimanëve nga kontinenti, ngjashëm me dëbimin që u është bërë atyre nga Spanja e Portugalia në shekujt XV-XVI. Gjenocidin ndaj muslimanëve në pjesën lindore të Perandorisë Osmane e ka kryer Rusia, ndërsa në Ballkan ua kanë lënë në duar shteteve të rajonit (Greqisë, Serbisë, Bullgarisë e Malit të Zi) që gjoja po luftonin kundër Perandorisë Osmane, për çlirimin e tyre. Fuqitë e Mëdha të kohës janë fshehur pas kalkulimeve diplomatike, rivaliteteve gjeopolitike dhe rivizatimeve të hartave në bazë të rezultateve të arritura të gjenocidit në të gjitha hapësirat e Perandorisë Osmane.

Prandaj, përmasat e këtij komploti dhe të vetë gjenocidit kundër muslimanëve të Perandorisë Osmane, jo vetëm që janë mbajtur të fshehura nga të gjitha palët në kohën kur janë kryer, por ato nuk janë zbuluar ende plotësisht. Madje as shkenca nuk i ka trajtuar, sikundër pohon studiuesi i njohur, Justin MC Carthy, autori i studimit “Vdekje dhe dëbim – Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, i pari studim që nëpërmjet hulumtimit mirëfilli demografik, zbulon përmasat e atij gjenocidi.

Pesë milionë e gjysmë muslimanë të vrarë, pesë milionë të tjerë të dëbuar.

Me përllogaritjet e realizuara me saktësi shkencore, autori ka konkluduar se në periudhën 1821-1922, si rezultat i aneksimeve dhe pushtimeve ruse, armene e të shteteve ballkanike, në Perandorinë Osmane kanë vdekur pesë milionë e gjysmë muslimanë dhe pesë milionë të tjerë janë dëbuar nga vatrat e veta: “Ndërmjet viteve 1821 dhe 1922, më tepër se pesë milionë myslimanë ishin dëbuar nga trojet e tyre. Pesë milionë e gjysmë myslimanë vdiqën: disa prej tyre të vrarë në luftëra, ndërsa të tjerët u shuajtën si refugjatë nga uria dhe sëmundjet.” (f.21)

Njëra nga shkaqet që solli katastrofën e muslimanëve në Perandorinë Osmane, sipas autorit McCarthy ishte toleranca e tyre fetare dhe etnike, e cila u keqpërdor nga të huaj dhe nga të krishterët që jetonin brenda saj. Meqë Perandoria i respektonte liritë fetare, ajo nuk kishte planifikuar as kompaktësim demografik të muslimanëve, as segregim të të krishterëve, po kishte inkurajuar jetën e përbashkët në tolerancë e harmoni, gjë që u tregua fatale për vetë muslimanët. Mccarthy njofton: “Osmanëve u janë atribuuar merita të pakta për traditën e tyre të gjatë dhe unike të tolerancës fetare.

Ç’është më ironikja, ata e paguan atë me një çmim shumë të shtrenjtë. Të huajt përdoren justifikimin e mbrojtjes së mileteve të krishtera dhe vëllazërive të krishtera si pretekste për të ndërhyrë në punët e brendshme të osmanëve. Anëtarët e mileteve të krishtera e përdoren këtë sens të ndarjes fetare si burim për të krijuar një nacionalizëm anti-osman” (f. 28)

Me nxitjet nga jashtë, që nga kapitulacionet franceze, kultusprotektorati austro-hungarez e ai rus e deri te krijimi dhe financimi i organizatave terroriste kozake, armene, bullgare, greke e serbe, Rusia dhe Fuqitë e tjera Evropiane nxitën ideologjinë e urrejtjes tek të krishterët që ishin brenda Perandorisë Osmane, deri sa ajo urretje u shndërrua në ideologji të gjenocidit, me synimin e zhdukjes fizike të çdo muslimani.

Por, zhdukjet e tilla mund të bëheshin vetëm me luftëra agresive, të sponsorizuara nga Rusia e nga Fuqitë e Mëdha, e kurrsesi me ndonjë epërsi kulturore të të krishterëve, ose me ndonjë program më të avancuar social se sa ai osman, që ishte në zbatim. Ndaj u zgjodh lufta si mjeti i vetëm për ta realizuar gjenocidin kundër muslimanëve. “Mjeti nëpërmjet të cilit nacionalizmi dhe imperializmi pruri humbjen e muslimanëve të Ballkanit, Anadollit e Kaukazit, ishte lufta”(f.39)

Autori rikujton kalendarin e luftërave antiosmane që nga revolucioni grek i vitit 1821, Lufta Ruso-Turke e viteve 1828-1829, Lufta e Krimesë, 1853-1856, Lufta Ruso-Turke 1977/78 e deri te dy luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore, për të konkluduar kështu:

“Në çdonjërën prej luftërave të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të atij njëzetë, myslimanët u masakruan dhe u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre. Miliona myslimanë vdiqën dhe miliona të tjerë u zbuan. Secila luftë ishte mjaft e ndryshme nga të tjerat, por efekti i gjithësecilës mbi myslimanët ishte i pandryshuesëhm – në numër të madh ata u vranë ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre. (f.39)

Rusia dhe sllavët fituesit më të mëdhenj nga gjenocidi kundër muslimanëve osmanë

McCarthy në parathënien e botimit shqip të këtij libri thotë se edhe ai vetë e kishte nisur studimin e kësaj tematike pothuajse aksidentalisht: “Kur fillova studimet rreth demografisë së Perandorisë Osmane, zbulova, për habinë time, se askush nuk e dinte me të vërtetë se sa myslimanë kishte patur në kohërat osmane. Teksa përllogaritja shifrën e saktë të popullsisë së myslimanëve të Anadollit, zbulova një tjetër fakt që nuk ishte përfshirë kurrë në librat evropianë dhe amerikanë të historisë: pothuajse tre milionë myslimanë anadollas kishin vdekur në luftërat gjatë periudhës nga viti 1912 deri në vitin 1922. (…) Njëlloj si ata të Anadollit, edhe myslimanët e Evropës Juglindore ishin masakruar. Ky hulumtim pat si rezultat librin Vdekje dhe dëbim.” Pra, për një kohë të gjatë i gjithë krimi është fshehur, aq sa as shkenca nuk ka arritur ta zbulojë në përmasat e tij të vërteta. Por, ky studim i McCarthyt nuk është aspak aksidental, sepse ai po të donte do të mund ta mbulonte me injorim gjithë atë faktografi që i doli përpara, siç kanë bërë shumë të tjerë para tij.

Por, nuk e bëri. Studimi i tij është një studim korrekt, sistematik, me statistika e me burime të shumta, lidhur me ngjarjet tragjike, në një skenë të gjerë të gjeografisë e në një periudhë mjaft të gjatë të historisë. Meqë e ka parë gjithë atë gjeografi dhe gjithë ngjarjet kryesore që ndodhën për njëqind vjet, konkludimi i autorit është se “pasi luftërat përfunduan, komunitetet myslimane në një hapësirë të gjerë sa e gjithë Evropa Perëndimore, ishin pakësuar ose shkatërruar” (f.383) Pra, sipas autorit, komunitetetet muslimane jo vetëm i kishin humbur territoret në të cilat kishin jetuar, por edhe ishin pakësuar demografiksiht, në mos edhe shkatëruar tërësisht. Duke e shikuar Perandorinë Osmane në procesin e shkatërrimit të saj, nën trysninë e armiqve, Rusisë në rend të parë, autori konstaton se përfituesi më i madh nga humbjet osmane në periudhën 1821-1922 ka qenë pikërisht Rusia. ““Homogjentiteti etnik dhe fetar i rajoneve nga Serbia deri në Kaukaz, ishte rezultat i dëbimit të myslimanëve. Madhësia dhe pushteti i Rusisë (më vonë Bashkimit Sovjetik)ishin gjithashtu drejtpërdrejt të lidhura me zgjerimin rus në kurrizin e myslimanëve në Rusinë Jugore, Krime dhe në Kaukaz.”(f.383) Ndërsa, lidhur me modelin që ndoqi Rusia për të shkatërruar muslimanët në territoret që pushtonte, autori sjellë këtë mendim: “… pjesa më e madhe e ekspansionit rus u krye në kurriz të popujve myslimanë.

Grupi i parë i myslimanëve që iu nënshtruan migrimit me dhunë, ishin tatarët e Krimesë. Përvoja e tyre ishte kuptimplotë jo vetëm për shkak të vuajtjeve të tyre, por për shkak se përvoja tarare krijoi një model për ekspansionin e mëvonshëm rus.” (f. 35) Si për ta vënë në spikamë edhe më shumë absurditetin e historisë përkatësisht miopinë e shteteve evropiano-perëndimore, edhe sot nga Krimeja e ripushtuar nga Rusia në vitin 2014, dëbohen tatarët e fundit që patën mbetur atje, për ta finalizuar një Krime të pastër etnikisht.

Komploti i evropianëve dhe gjenocidi i ballkanasve kundër shqiptarëve

Brenda kësaj tablloje të madhe të tragjedisë që kishte pllakosur për njëqind vjet banorët e Perandorisë Osmane, autori ka portetuar edhe shqiptarët dhe tragjedinë e tyre të madhe, që u shndërrua në gjenocid kundër tyre nga fqinjtë ballkanik, ndonëse edhe me lejen e disa prej Fuqive të Mëdha, Rusisë, Francës e Anglisë, në rend të parë. Gjenocidit mbi muslimanët e Ballkanit, ku bien edhe shqiptarët, autori ia kushton një pjesë të konsiderueshme të librit të tij, duke analizuar rrethanat, dokumente e statistika të numërta. Lidhur me gjenocidin ndaj shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike autori vëren edhe një specifikë: krimi ndaj tyre maskohej nga kryesit e krimit, Greqia e Serbia, por fshehej qëllimisht edhe nga ana e politikanëve të shteteve të mëdha evropiane, përfshirë edhe ata të Britanisë së Madhe. Politikanët evropianë, sipas McCarthyt, i fshehnin edhe raportet e konsujve të vet, lidhur me krimet që bëheshin ndaj shqiptarëve! Ky zbulim i tij de facto hedh dritë mbi ekzistimin e një komploti në përmasa evropiane për zhdukjen e kombit shqiptar! Mc Carthy njofton:

“Askush nuk i ka mbajtur shënim vdekjet e shqiptarëve teksa ndodhnin. ( …) Mirëpo, në rastin e shqiptarëve, kjo ishte e pamundur. Mbretëria serbe dhe ajo greke nuk i regjistruan siç duhet shqiptarët dhe në Shqipërinë e pllakosur nga lufta, ishte e pamundur që të bëhej një census i të mbijetuarve. Pavarësisht nga të gjitha këto, të dhënat nuk mungojnë. Konsujt britanikë dhe të vendeve të tjera, shpesh kanë raportuar me saktësi atë që iu është bërë shqiptarëve, ndonëse politikanët nuk lejuan që publiku i vendeve të tyre të shikonte raportet e konsujve. Për shembull, diplomatët mbajtën shënim se menjëherë mbasi Mali i Zi mori trojet shqiptare të veriut, në vitin 1878, të gjithë shqiptarët e territoreve të pushtuara ose u vranë ose dëbuan me dhunë. Të dhënat e Luftërave Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16) Sikundër shihet, vdekshëmria e shqiptarëve në luftërat ballkanike ishte shumë e lartë, gjë që bashkë me eksodin, solli përgjysmimin e popullsisë shqiptare në këto hapësira. Fjala vjen, në statistikat e vitit 1911, të cilat i publikon dhe i analizon autori, Kosova kishte këtë përbërje demokrafike: 950.000 myslimanë, 93.000 grekë, 531.000 bullgarë. (Pra, serbët ishin aq të parëndësishëm e të padefinuar, saqë konsideroheshin si bullgarë!) Po të shikohet numri i banorëve të Kosovës në censusin e vitit 2011, rrafsh njëqind vjet pas gjenocidit në luftërat balkanike, bëhet më e qartë përmasa e atij gjenocidi, sepse pas një shekulli, Kosova mezi ka pasur 1.739.825, pra, kund 200.000 banorë më shumë se sa në vitin 1911. Ky spastrim etnik i tmerrsëhm, sipas autorit Justin McCarthy ishte i planifikuar nga shtetet ballkanike, veçmas gjatë Luftës së Parë Ballkanike, gjë që e vërteton ekzistimin e qëllimit të gjenocidit: “Në Luftërat Ballkanike, secili nga fitimtarët gjithashtu dëshironte që të shihte një fund të pranisë muslimane në tokat që ata kishin pushtuar.”(f.171

Synimet e politikave të tilla gjenocidale të Greqisë, Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi nuk u realizuan deri në fund vetëm për një arsye, sipas autorit: në Luftën e Dytë Ballkanike shtetet e krishtera të Ballkanit u kthyen kundër njëri-tjetrit (Greqia e Serbia kundër Bullarisë), gjë që i mundësoi Perandorisë Osmane të kthente disa nga territoret e saj të humbura nga Bullgaria dhe u mundësoi një pjese të muslimanëve të Ballkanit, përfshirë shqiptarët, që të mbijetonin gjenocidin. Por, tashmë duke u shndëruar muslimanët e Ballkanit në një pakicë të papërfillshme në gadishull:“Kur merren në shqyrtim humbjet muslimane në Luftërat ballkanike, fillimisht duhetkuptuar se myslimanët ishin komuniteti shumicë në Ballkanin Osman përpara se luftërat të fillonin. Ndonëse popullsia ishte etnikisht dhe fetarisht e përzier, myslimanët ishin komuniteti më i madh fetar. Ata njëlloj si banorët e tjerë të Ballkanit, ishin të shpërndarë në të gjithë rajonin.” (.167)Pra, raporti i sotëm demografik ndërmjet të krishetërve dhe muslimanëve në Ballkan, që është raport shumëfish në favor të të krishterëve, është rezulat direkt i gjenocidit e jo i natalitetit ose i politikave sociale të shteteve ballkanike.

Disa observime pas leximit të librit “Vdekje dhe dëbim”

Natyrisht, shndërrimi në një pakicë, me anë e gjenocidit, nuk ka lënë vetëm pasoja demografike po edhe psikologjike e kulturore tek shqiptarë muslimanë. Këta shqiptarë të mbetur në Ballkan, e kanë ndiesinë se janë nën presionin permanent gjenocidal të shteteve ballkanike, po edhe të shumicës së shteteve të mbarë kontinentit. Gjenocidi i viteve 1991-1995 në Bosnjë e Hercegovinë ndaj boshnajkëve muslimanë dhe gjenocidi i viteve 1998-1999 kundër shqiptarëve të Kosovës, janë dëshmi se politikat e gjenocidit serb ende janë aktive në Ballkan. Kjo bën që edhe shqiptarët muslimanë të jenë me trauma identitare. Shumë prej tyre, fakikisht kanë drojë ta shpalosin identitetin e tyre si muslimanë dhe e fshehin pas sloganeve të palogjikshme poetike, si “feja e shqiptarit është shqiptaria”, ose konstruksione të ngjashme. Po qe se do të ishte nacionalizmi shqiptar i fortë, agresiv dhe ekspansiv, slogani i tillë edhe do të mund të akceptohej në funksion të ekspansionit nacionalist. Por, nacionalizmi shqiptar është tej mase i degraduar, i rrëgjuar dhe i paaftë që të prodhojë aktivizëm, në pajtim me parimet e nacionalizmit. Prandaj sloganet e tilla nuk përdoren për mobilizim kombëtar, sepse ai mobilizim nacionalist nuk ekziston fare, veçse përdoren për zbehjen e identitetit fetar të shumicës së shqiptarëve. Por, duke ua krijuar kompleksin e inferioritetit nga të qenët muslimanë, këta shqiptarë privohen nga identiteti i tyre i natyrshëm, sipas të cilit ata kombëtarisht janë shqiptarë, por fetarisht janë muslimanë. Ky presion mbi këtë shtresë të identitetit, ua zvogëlon vetërespektin dhe dinjitetin instiktiv, i bën më pasivë e më letargjikë në jetën shoqërore. Meqë është fjala për shumicën, kjo gjendje pastaj ka ndikime në gjithë jetën tonë kombëtare. Kjo është gjendja sot, veçmas në Kosovë, ku nuk mungojnë as përndjekjet sistematike, qoftë dhe vetëm për ndonjë shprehje naïve në rrjete sociale. Gjendja nuk është shumë më ndryshe as në Shqipëri dhe as në viset e tjera shqiptare, ku islamofobia është gjendja dominante. Por, letargjia nuk buron vetëm nga politikat e brendshme islamofobike të shteteve ku jetojnë shqiptarët. Shqiptarët muslimanë e dinë se projektet e fqinjve për t’i zhdukur janë ende në fuqi, gjë që i ngarkon edhe me pasiguri dhe frikë reale. Sikundër që rritja e islamofobisë gjithandej në Evropë e në SHBA e bën këtë gjendje letargjie e frike edhe më të vështirë.

Sidoqoftë, mësimi që duhet të nxjerrim edhe nga leximi i këtij studimi tronditës po edhe nga përvoja jonë jetësore e historike është kjo: nëse duam të sigurohemi që të shpëtojmë nga gjenocidi i armiqve në të ardhmen, duhet të fuqizohemi si komb, me identitetin tonë të natyrshëm, pra duke e respektuar diversitetin fetar. Nga ana tjetër, pikërisht me këso vlerash duhet ta thellojmë aleancën strategjike me SHBA-në e Turqinë, brenda ombrellës së NATO-s. Jashtë kësaj ombrelle jemi tërësisht të pambrojtur, që do të thotë potencialisht objekt i politikave të reja gjenocidale të fqinjve dhe aleatëve të tyre të vjetër.

Libri “Vdekje dhe dëbim – Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, jep mundësi të shumta për të reflektuar për të kaluarën, për të kuptuar të tashmen e për ta menduar të ardhmen, sado që e tëra kalon nëpërmjet dhimbjes, e cila nxjerrë thimthin e saj në çdo germë e në çdo fjalë. 

"Shenja.tv"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.