PS-LSI ngjishen në një karrige. Miratohen kandidatët për vettingun, rrëzohet PDIU
Ulsi Manja i PS-së, Vasilika Hysi e PS-së, Luan Rama i LSI-së janë tre emrat e shumicës parlamentare për komisionin ad hoc për vettingun. Shpëtim Idrizi i PDIU-së nuk është miratuar duke u bllokuar qëllimisht me 50 abstenime. Siç mund të merret me mend, pas 35 milionëshit të sotshëm për rrugën Tiranë-Elbasan, kryeministri ka qenë i qartë kur duke rrëzuar idrizin ka pasuruar ofertën për LSI-në e cila është regjistruar për në zgjedhje, merr pjesë në komsionet e vettingut, bën si opozitare dhe del edhe si konstruktive. Sot pra nuk ranë as ngjalat, as halat, por ra loja e opozitës së ngujuar në çadër me besimin te diversioni dhe jo te parimet. Ilir Meta mund të vazhdojë të flasë për qeveri besimi, por askush nuk e merr më seriozisht. Ai do të presë edhe tensionin e Kavajës për të parë nga do fryjë era e fundit e kësaj legjislature për të marrë edhe thelat e fundit. Keqardhja më e madhe për ata që janë kundër kësaj qeverie pavarërsisht se çfarë është sot PD-ja. Vendet e PD-së në komisione janë aty si prek kush, kapitali politik i shpresuar u dogj, por rrëzimi i kandidaturës së Idrizit mundet të shihet vetëm në një prizëm: lëshim ndaj LSI-së. Çdo ndryshim eventual që mund të ndodhë në skemën e koalicioneve, pra të përkatësisë në koalicione do të ishin aksidente që do ta nxirrnin qesharake shumicën dhe pa llogari. Diçka që ka pak gjasa të ndodhë në frymën e kësaj lëvizjeje.
Add new comment