Portretizimi i opozitës si reaksionare
Çadra e PD-së është nën sulm frontal që nga dita që nisi jetën e saj. Protesta e ndrydhur në kufijtë horizontalë dhe vertikalë të saj përfaqësojnë një histori politike të ndërlikuar, por që kompromentohet keqaz nga kronika e veprimeve të partisë dhe krerëve të saj.
Çadra parimisht manifeston të gjitha liritë për të cilat kemi nevojë jetike t’i mbrojmë përditë dhe jo t’i delegojmë. Ajo flet për zgjedhje të lira e të ndershme, ajo flet për drogën dhe penetrimin e krimit në vendimmarrjes, çadra dhe protesta e saj flasin përditë për papunësinë, varfërinë, apo edhe klientelizmin e qeverisë. Ironia këtu është se me disa veprime të fundit qeveria ka ligjëruar vërtetësinë e kërkesave të opozitës: plani i veprimit kundër drogës është një detyrim që buron nga nevojat e negociimit në procesin e integrimit, por edhe nga diskreditimi i qeverisë në këtë drejtim i ardhur nga opozita, por edhe mediat.
Para disa ditësh, ish-kryeministri Sali Berisha mbrohej dhe argumentonte kërkesën për zgjedhje të lira dhe qeverinë teknike si garante të saj me raportin e OSBE-ODIHR-it të vitit 2015, ku blerja e votës me paratë e krimit u dokumentua. Berisha dhe pas tij edhe Basha kanë shtuar dozën e kërcënimit për kryeministrin, i kanë përmendur burgun, si për t’i dhënë protestës cilësitë e një strategjie për ndryshim nga opozita, parë deri më tani si aktore që operon vetëm në nivel taktik.
Dhe ky është ndoshta minusi i madh i Çadrës: leximi i saj si taktikë për të shmangur gjykimin e një drejtësie të reformuar. Si rruga e vetme për të bllokuar reformën në drejtësi.
Mundet të pranohen të gjitha këto aspekte për të cilat ka shumë të dhëna që i mbështesin. Por kjo është një çështje që instrumentalizohet nga palët politike. Paradoksale, apo më saktë, fare jashtë logjike është këtu rreshtimi i mediave dhe analistëve të mirëpaguar që kanë harruar përherë e më shumë se janë aty si zëdhënës të interesit publik, përpara se të lëshojnë veten në llogjikën se mes dy të këqijave duhet zgjedhur më e mira. Tezë kjo shumë relativizuese dhe destablizuese. Duket qartë se në këtë drejtim analistët, apo disa prej tyre, kanë rënë pre e vetëmanipulimit, kur shohin pas çdo ndryshimi pozitiv në opinion për PD-në një alarm se “po fiton diçka Berisha”. Kjo është të pështysh opioninin publik, rolin që pretendon se ke, por edhe të profesionohesh në zanatin e të pabesit.
Të argumentosh apo të dalësh pro tezave të ndryshme të PD-së, apo Berishës, nuk do të thotë aspak të jesh militues i vendimeve të tyre as të betohesh për besnikëri, apo të ndërrosh “krah”. Që në çdo rast është legjitime. Do të thotë – dhe këtë e di shumëkush – edhe të përkrahësh nisma që korrigjojnë gabimet jo të vogla që vijnë nga një pushtet arrogant dhe të cilit po i del frika e ligjit në çdo drejtim. Do të thotë ndërkohë, që me rreshtime për çështje me interes, të bëhesh pjesë e një presioni pozitiv ndaj një shumice, që sot që flasim nuk di akoma se çfarë ka bërë e se çfarë do të bëjë. Që ka krijuar probleme jo pak, e që nuk funksionon siç duhet për shkak të mungesës së vizionit, por edhe të karaktereve që prevalojnë mbi raportet institucionale. Dekriminalizimi, droga, konçesionet, arbitrariteti, mungesa e transparencës, janë arritje të opozitës së tanishme si tema të debatit publik, ndonëse janë fare minimale.
Kjo opozitë e ka tradhëtuar qytetarin sa kohë që nuk ka konsumuar as 1% të instrumenteve ligjorë që ka në dispozicion, sa kohë që Çadrën e ngriti si negociatë edhe për veten. Mirëpo kjo tradhëti nuk është aspak më e madhe sesa ajo që mendimtarë të medias, që livadhisin nga faqja në faqe, a nga ekrani në ekran, me pashaportën e të pavarurit prej 20 vitesh, kryejnë kur nuk duan të vënë në kandar të keqen dhe zullumet që trashëguam, gjykimin e tyre, me perspektivën që po krijon kjo qeverisje. Përkeqësimi i situatës mundet të jetë edhe rrjedhojë e faktorëve të jashtëm, por kjo nuk është arsye që media t’i bashkohet spektaklit të qeverisë që është në thelb i vetmi që mban të angazhuar vëmendjen e përditshme. Sigurisht PD-ja nuk ka argument: Vettingu duhet votuar. Por ajo ka patjetër argument për të tjerat. Të mbidozosh gjykimin “moral” mbi një opozitë ndaj të cilës pushteti që ti mendon se po bën shtet, thjesht bën llogari, është të bëhesh pa dashje pjesë e dënimit me vdekje të një institucioni që është mirë që edhe në zgjedhjet që vijnë, edhe nëse rrëzohet, të rrëzohet në këmbë. Do të ishte alarmante likujdimi i PD-së, qoftë edhe me votë, pasi kemi parë se vota ligjëron pushtetin, por nuk e legjitimon dot atë, sa kohë që ai parimisht referon vlera, europianizëm etj.. Ajo edhe mund të dëmtohet, të dalë në vend të tretë, por pas kësaj “fitoreje” vjen vetëm një boshllëk më shumë moral, të cilin nuk e mbushin dot me dokrrat e blera të pavarurit e medias që meqë ra fjala do mbeten pa subjektin e rrëfenjës së tyre të preferuar.
Add new comment