Debati për filmin, nuk mjafton interneti vallë?

Postuar në 21 Mars, 2017 11:41

Fatos Tarifa ka vendosur të përfshihet në një debat që është hapur së fundmi për transmetimin e filmave të prodhuar nga Kinostudio në kohën e regjimit të Enver Hoxhës. Tarifa shfaqet menjëherë si dashamirës i artit dhe i atyre që i quan “vlera kulturore të popullit tonë”, duke deklaruar se ndalimi i filmave është censurë neobolshevike.

Shkrimi i tij polemizues nis disi keq, pasi prodhimi i filmave dhe transmetimi I tyre në kohën e regjimit nuk ka sesi të vlerësohet si “vlerë kulturore e popullit tonë”, sa kohë që me popull kuptohet një bashkësi më e gjerë sesa shoqëria dhe kultura politike që ideoi dhe prodhoi ato filma.

Tarifa kërkon nga Agron Tufa që ka bërë propozimin për ndalimin ose transmetimin me material shpjegues të filmave, nëse ka ndonjë studim që “të provojë empirikisht shkallën e përhapjes së kësaj frike “intoksikimi”…si dhe gjendjen aktuale të “shëndetit moral” të publikut shqiptar për shkak të “trashëgimisë komuniste të filmit”?

Kjo është një kërkesë sa për të shtruar një argument për shkrimin e z. Tarifa sa kohë që dihet se perceptimi mbi këta filma nuk ka qenë i njëjti në 25 vite. Në këtë kuptim çdo “studim empirik” do të ishte fotografim çasti dhe nuk ka të bëjë me sugjerimin e Tufës për një qasje morale dhe etike ndaj këtyre prodhimeve. Të mos ngatërrohet një gjë: bëhet fjalë për ndalimin e tyre ose sqarimin në transmetimin e mediave audiovizive, jo për përdorim privat apo në internet. Askush nuk merr mundimin të ndalet edhe te mosrespektimi i të drejtës së autorit nga transmetuesit privatë, ndërkohë që çdo film i prodhuar në atë kohë krijon asosacione politike dhe sociale që bashkëshoqërojnë një përballje klasore që zhvillohej në atë kohë e që ishte drejtimi kryesore ideologjik.

Tarifa e spërkat shkrimin me ndonjë citat që synon të legjitmojë qasjen e tij dhe thellësinë e saj. Ja një p.sh: “Unë i përmbahem mendimit të Hannah Arendt, njërës prej mendjeve më të shquara të shekullit që lamë pas, e cila shprehej njëlloj si kundër konservimit nostalgjik të së shkuarës, ashtu edhe kundër zhbërjes destruktive të saj”. Ky është referim për hir të referimit, pasi askush nuk po kërkon zhbërjen destruktive të së shkuarës e cila tanimë ka ndodhur. Por filmat e asaj kohe, me çdo klishe dhe përmbajtje komunikuese, veprime dhe ide vendosin para shikuesit të sotshëm dy kategori që janë qartësisht të perceptueshme: fituesit dhe humbësit. Ndërkohë që kërkohet një tjetër marrëveshje në vendin tonë për të eliminuar një dikotomi që ka rezultuar shkatërrimtare.

http://www.gazetatema.net/2017/03/21/kunder-nje-censure-neobolshevike/

Regjimi i asaj kohe ishte shumë racional dhe nuk i linte asgjë rastësisë. As spontanitetit, sidomos në fushën ideologjike. Filmat kanë patur synime të qarta ideologjike dhe ndërkohë që Tarifa si sociolog na garanton se regjimi ra dhe nuk ringrihet më, pinjollët e tij edhe përmes këtyre filmave, konservojnë së paku një krenari prej fitimtari për shkak se shoqëria jonë nuk ka ditur të distancohet, e lëre më të bëjë drejtësinë.

Është emblematik incidenti i Ilir Hoxhës pak ditë më parë, përcjellë në media, kur i drejtohej një zonje që i deklaronte se “ishte nga familje të përndjekurish”, se “na keni rruar bythën”

E vërtetë është edhe kjo. Po nuk kemi ama pse të dëgjojmë akoma këngën e tyre. Të mos lëmë mënjanë faktin se sot bota debaton dhe e bën çështje botimin e një libri si “Mein Kampf”, ndonëse po të përdorim metrin e Tarfiës, nazizmi nuk rikthehet më e ndaj nuk ka pse të shqetësohemi. Ja që nuk është kështu. Filmat dhe kompleksiteti tematik i tyre, realizimi cilësor, konstituojnë në fakt një formë propagande që rikontekstualizohet pavarësisht se sociologu shqiptar na sugjeron se ato mundet edhe të soditen ashtu thjesht, si art për hir të artit. Edhe ligji për mediat audiovizive, kur flet për parimet themelorepër veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, përcakton moslejimin e “transmetimeve që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve”, ndërkohë që meqë flitet për demokraci, është po I njëjti ligj që i detyron Ofruesit e Shërbimit mediatik audioviziv që “t’u rezervojnë veprave europiane, shumicën e kohës së tyre të transmetimit”. Ky është një kuadër thuajse ideologjik, pasi kur flitet për të drejtën e transmetimit nuk ka sesi të sanksionosh drejtimin e përmbajtjes. Kushtëzime të tilla është mirë të bëhen edhe për filmat e Kinostudios pasi për admirues të artit si z. Tarifa interneti është një hapësirë e bollshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.