Totalitarizmi dixhital – nën një survejim të paprecedentë në histori

Postuar në 20 Mars, 2017 16:15

Vault 7 – projekti i ri i WikiLeaks në publikimin e veprimtarive ekstraligjore të agjenciave amerikane të spiunazhit zbulon më së miri se kapacitetet e këtyre enteve janë të tilla që mund të kryejnë survejim global të rrjetit. Programe dhe motorë kërkimi që operojnë në kontratë me milionë përdorues janë ekspozuar si të manipulueshëm nga agjencitë që përdorin në këto raste “boshllëqe” të sistemit dhe programimit për të realizuar qëllimet e tyre. Mjafton të thuhet se ekipi i CIA-s që menaxhon këtë punë ka koduar më shumë rreshta se Facebook, kjo sipas WikiLeaks. Jo më kot kjo e fundit e ka quajtur Viti Zero. Ekspozimi është në thelb një këmbanë alarmi për mbarë botën që ndodhet nën agresion teknologjik dhe institucional nga pesë agjenci të vetme të një shteti, modeli survejues i të cilit po kopjohet shumë shpejt nga shtete të tjera. Google, Microsoft, VLC, CISCO, Apple, të gjitha këto janë në ekranin operativ të hakerave të paguar nga SHBA për të jetësuar një perde dixhitale të replikimit të aktivitetit njerëzor duke shkelur çdo ligj dhe duke e vënë tregun e internetit në krizë sigurie.

https://wikileaks.org/ciav7p1/

Në themel po hyjmë në epokën e dytë të internetit, ku në vend të aksesit të shpejtë dhe të lirë merr përparësi siguria. Se kush do ta ofrojë këtë siguri dhe me çfarë çmimi kjo është çështje e së ardhmes, por Viti Zero ka nisur dhe pasojat e tij do të ndjehen shumë shpejt. Si për të shtuar dozën në këtë situatë, sot revista Foreign Policy, shkruan se administrata e re amerikane po synon të kthejë edhe një agjenci të dedikuar për operacione jashtë SHBA-së si Agjencia Kombëtare për Inteligjencën Gjeohapësinore në përdorim të brendshëm. Revista nuk ka ndonjë të dhënë konkrete për këtë, por dedukton nga fakti se Trump po i kushton rëndësi mbrojtjes, ku NGA-ja ka shumë rëndësi. Është kjo agjenci që përgjigjet për zbulimin me dron, për të cilat SHBA ëshhtë akuzuar gjerësisht. Fondet e akorduara e bëjnë të qartë se për çfarë bëhet fjalë:

Godina në Uashington ka kushtuar 1.4 miliardë dollarë , ajo është e treta më e madhe në kryeqytetin amerikan, e barabartë me katër fusha futbolli. Në vitin 2016 agjencia bleu edhe 99 akra shtesë në St. Louis për ndërtimin e godinave shtesë me vlerë 1.75 miliardë dollarë ku punojnë 3 000 njerëz. Revista shtron një çështje si kthimi i surveejimit drejt qytetarëve amerikanë, ndërkohë që në mënyrë implicite e konsideron survejimin e vendeve të tjera, “aspak problem”. Nga një hetimi Departamentit të Mbrojtjes rezulton se NGA-ja përdori droët brenda territorit vetëm 20 herë mes viteve 2006-2015. Mirëpo dronët tashmë kanë nisur të përdoren edhe nga policia ndërkohë që qytetet amerikane po shkojnë drejt kamerizimit total. Dhe këtu nis shqetësimi. Pasi siç zbulon WikiLeaks nuk bëhet më fjalë vetëm për masa mbrojtëse për sigurinë, por për një politikë që po e shtyn survejimin si të vetmen politikë sigurie. Analizimi i të dhënave dhe shkelja e privatësisë po normohet dhe mesa duket shumë pak janë ata që shqetësohen, ndërkohë që kompanitë kryesore në këtë sektor po pranojnë të aneksohen nga qeveria në disa shërbime që ofrojnë. Ky realitet që përbën në të vërtetë anën e errët të kohës së internetit është kërcënim për demokracinë, sa kohë që sot që flasim në mënyrë komike, edhe vetë presidenti amerikan ankohet lart e poshtë se parardhësi e ka përgjuar.

http://foreignpolicy.com/2017/03/20/the-multibillion-dollar-u-s-spy-agen...

Në botën e Luftës së Ftohtë u stigmatizua regjimi sovjetik për natyrën repressive të tij dhe kjo natyrë e çoi te survejimi masiv si politikë parandaluese. Mirëpo për aq sa është bërë e ditur, ky survejim njerëzor, për nga vetë konceptimi dhe burimet, ishte shumë më racional se totalitarizmi dixhital i sotshëm që po i merr frymën çdo lirie, ndërkohë që qëndron në hije pse deshifrimi I tij është çështje ekspertësh. Tingëllon cinike politika e eksportimit të demokracisë, apeli për të drejtat e njeriut nga një shtet që u shndërrua nga garant dhe promovues të tyre në atë që Jimmy Carter e quajti Oligarki, por që është në fakt një Oligarki policore.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.