Eurocontrol zbardh faturat që na fsheh qeveria
Biletat nga aeroporti “Nënë Tereza” do të jenë edhe më të shtrenjta. Shkak për këtë është rritja e taksës së terminalit nga agjencia e kontrollit të ajrit Albcontrol për çdo avion që ulet në pistë.Njoftimin që në fakt duhet ta bënte qeveria, e ka bërë Eurocontrol, institucioni që menaxhon rrjetin ajror në Europë. Duke iu referuar këtij dokumenti Tv Klan raporton se nga 158.7 euro për fluturim që ishte më parë, kjo tarifë ka shkuar në 202 euro.
Çmimet e biletave në aeroportin e Tiranës janë ndër më të kripurat në rajon e Europë. Nëse kërkon të presësh një biletë për një fundjavë në Paris, çmimi i saj shkon nga 233 deri në 502 euro. Por nuk është i njëti çmim, nëse bileta pritet për të udhëtuar në të njëjtat data, nga një tjetër aeroport, nga ai i Romës, apo i Vienës. Edhe pse me shërbime më të mira, ku ofrohen linja direkte, një biletë vatje – ardhje nga aeroporti i Romës kushton 145 euro, ndërsa nga Viena 150.
Një vit më parë parlamenti miratoi ndryshimet në kontratën konçesionare për aeroportin e Rinasit, duke iu hequr ekskluzivitetin e fluturimeve ndërkombëtare, në mënyrë që të mundësonte vënien në punë edhe të aeroportit të Kukësit, gjë e cila nuk ndodhi për arsye që i di vetëm qeveria.
Add new comment