Qeveri teknike për një Republikë të re

Postuar në 07 Mars, 2017 12:40
Prof. dr. Romeo Gurakuqi

Qeveria e koalicionit të PS-LSI ndodhet në katër muajt e fundit të mbylljes së mandatit dhe në këndvështrimin formal konstitucional është një qeveri e ligjshme. Mirëpo, legjitimiteti i qeverisë në parlamentarizëm është i kushtëzuar nga prova e përgjegjësisë së saj para organit sovran, në rrethana krizash e skandalesh (të pasosura në erën e Rilindjes së Qarkut Shoqnor Autoritarist); është e ndërvarur nga ruajtja e paanshmërisë dhe zhvillimi i shpjegueshmërisë transparente para publikut; nga aktiviteti legjitim i Këshillit të Ministrave si organ kolegjial, në aspektin procedural dhe dokumentar; nga plotësimi i standardeve të barazisë në procesin e përgatitjes e financimit të partive për fushatën e zgjedhjeve të lira; nga kontrolli i territorit prej Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme e agjencive të saj; nga vendosja e parasë në qarkullim në vend nën “sovranitetin” ekskluziv bankar; nga garantimi i lirisë së shtypit, shmangia e konfliktit të interesave dhe shkëmbimit të favoreve në ushtrimin e detyrës nga kushdo në rrethin familjar; nga mbyllja e siguria e burgjeve për kriminelët dhe respektimi i lirive të të akuzuarve.

Mirëpo, koha kur unë po i shkruaj këto radhë është një ditë e zezë rekordesh të pangjashme (jo të reja në fakt) për një vend në brigjet e Adriatikut, (që nuk kanë filluar sot, janë sistematike dhe tani të kulmuara), por normal për stepat e Azisë Qendrore, brigjet e Aralit e Kaspikut: Në Tiranë, bashkëshortja e Kryeministrit të qeverisë legjitime, njëlloj si Mehriban Aliyeva e Azerbajxhanit, u vendos në krye të drejtimit të një banke, pronarët e së cilës janë një kompani e regjistruar off shore në Ishujt Cayman; sot është një ditë, kur pas Lalëzave, në Kurorën Rrethuese të Tiranës, nga Dajti drejt Krrabës, qeveritarë, qehajallarë, eunukë ndërmjetësues dhe koketa të ndërtesave qeveritare, kanë porositur dhe prenotuar vilat e tyre në rezervatet e reja me paratë e tenderëve të rregullimit të zyrave (të marra nga taksa progresiste vendosur klasës së mesme: janë 360 milionë euro në tri vitet e para të deklaruara nga ministri aktual i Financave), me paratë e ryshfeteve të lejeve të aktivitetit të klientëve të qeverisë, të cilët ua heqin me dhunë pagave të punonjësve nga përqindjet e shpërblimeve për trafikun e interesave (objekt verifikimesh së paku për organin e hetimit). Fenomeni i përfshirjes së familjarëve, të afërmeve, në afarizmin e madh dhe në ofrimin e shërbimeve lehtësuese duhet të ndalet me ligj për periudhën gjatë dhe pas përfshirjes në detyrë të lartë të drejtuesit politik.

Çdo qytetar i lirë i këtij vendi do të dëshironte që pas katër muajsh të shkonte drejt kutive të votimit, pa tronditje, pa ndryshime qeverish, me një proces të pastër dhe të drejtë të vetingut dhe të ngritjes së institucioneve të drejtësisë së re, me një dekriminalizim të përkryer të politikës, të drejtësisë, të medias, kondicione që do të hapnin vërtet rrugën për çeljen e negociatave me organizmat e institucionet e BE-së.

Mirëpo, qeveria që kishte për detyrë të ruante parametrat e Respublicas, me një diletantizëm reformativ dhe me pikësynime meskine, në fakt bëri të kundërtën: çekuilibroi edhe me tej balancat ndërinstitucionale të vitit 1998: deformoi dhe shkatërroi balancat e drejtimit në një përmasë sa, sipas këndvështrimit tonë, ka humbur arsyen për të qenë në pozicionin e arbitrit e garantit të paanshëm të rendit politik, institucional, social, kulturor dhe krahinor: Kjo qeveri nuk arriti të ndante bazën e pushtetit politik të Republikës së Shqipërisë, që është e të gjithë qytetarëve të regjistruar në Regjistrin Nacional të Gjendjes Civile, nga ushtrimi i qeverisë dhe nga administrimi. Baza e pushtetit u përqendrua në qarkun e tyre të rindërtuar, të mbështetësve të organizuar në brigada politike, ndërsa fati i shtetit u lidh vetëm me mbijetesën e këtij divizioni të dyfishtë politik. Madje, kjo qeveri bëri hapa të sigurt prapa, drejt një modeli që ndërthur ca organe prozhmimi e survejimi të diktaturës së Feçor Shehut me ato të Kolumbisë së kohës së lulëzimit të Escobar-it; njëjtësoi Ministrinë e Brendshme, për të cilën ende nuk ka një ligj organik, me Policinë e Shtetit në Kupolë (të cilën dua ta ndaj nga qindra djem dhe vajza të devotshme, me të cilët qytetarët ndeshen përditë në rrugë); i bashkoi këto dy institucione nën një strukturë politike e krahinore, të cilën e transferoi në Tiranë, duke nxjerrë jashtë këtij shërbimi jetik për Shtetin-Respublica-n, të gjithë të diplomuarit në akademitë policore të vendeve partnere; prishi balancat mes pushteteve dhe ka lejuar të vendosën në qarkullim informal dhe të pakontrollueshëm nga sistemi informatik i financave të shtetit, sipas të dhënave të shpallura nga ambasadori i OSBE-së, rreth 2 miliardë euro para nga droga e klientelës së elementëve privatë. Kësaj shifre iu bashkëngjitën edhe paratë e shpërblimeve për favoret, që gratë e burrat e pushtetarëve marrin përmes përfshirjes gjoja në projekte, në borde, në studime kërkimore budallenjsh, nga fondacioni në fondacion, nga shpk-të drejt “qendrave kërkimore” e organizatave të sajuara rishtazi pas shiut të vjeshtës 2013. Një rrymë e tërë e lëvizjes së parasë kalon nën dhe, jashtë syve të publikut dhe larg vëmendjes së njerëzve të varfër me shumë halle të këtij vendi. E çfarë duhet të bënte më pak ngrehina e Rilindjes që të humbiste legjitimitetin zoti Kryeministër?! Këtu kemi të bëjmë me interes publik të prishur, kemi barazi segmentesh të thyer edhe më tej nga pararëndja që pretendove ta korrigjojë. Dhe kjo u bë nga ju, që institucionalisht dhe në mënyrë programore kishit për detyrë ta respektonit Kushtetutën dhe t’i kthenit në balancë institucionet. Është metamorfoza juaj e shndërrimit nga një liberal i ri guximtar që thyente dikur tabutë, duke rindërtuar estetikisht e thelbësisht polisin, në prijësin antidemokratik të një klike oligarkësh dhe një kopeje të ngushtë kooperativistësh të bindur, që janë në alert permanent për të “retweet” mesazhet tuaja.

Një kuadër institucional i prishur në balanca, një qeveri që nuk i vërteton publikut me mocion besimi se është ende një qeveri legjitime, edhe pas skandaleve të brendshme që nuk kanë të sosur; një maxhorancë e Komisionit Zgjedhor që nuk pranon të zbatojë ligjin e dekriminalizimit deri në fund, as t’u përgjigjet arsyetimeve procedurale të prokurorisë dhe as të regjistrojë një parti liberale sikurse është LIBRA; institucione të kontrollit të pastrimit të parave në duar të Kryeministrit që nuk veprojnë; një sistem vetingu i drejtë- sisë i porositur dhe i dirigjuar nga binomi Kryeministër-Speaker i Parlamentit, përmes koketave të avokaturës së popullit të lënë pa mbrojtje (1. Sekreti i aplikimit për organet e vetingut, KLGJ, KP, i shpartalluar; 2. Anëtarë militantë të PSSH dhe komisionerë të shtabit elektoral të PS-së si aplikantë të përzgjedhur, gjë që bie në kundërshtim me ligjin, që parashikon kandidatë të depolitizuar; 3. Kontroll i plotë nga drejtuesit e Akademisë së Shkencave dhe dekanatit të jurisprudencës së kandidaturave të shoqërisë civile); një mobilizim pothuajse ushtarak i dy partive qeverisë në qendrat e tyre e tyre organizative; një Shqipëri e ndarë administrativisht, që “rëndon” dhe “anon” artificialisht në peshën politike drejt zonat elektorale të deputetëve të maxhorancës aktuale; një fushatë jakobiniste e drejtuar nga ebertistët e Rilindjes, kundër liderëve të opozitës; asnjë garanci për votimin e sigurt të të gjithë shtetasve shqiptarë të regjistrit civil, përmes votimit elektronik, të koduar, të sigurt dhe kudo ku ndodhen.

Të gjitha këto veprime dhe mosveprime, të cilat në aspektin e respektimit të paanshmërisë së detyrës mund t’i konsideroj si të papërgjegjshme, e kanë vendosur në konditat e anësisë së plotë dhe të ilegjitimitetit me kornizën demokratike parlamentare, vijimin e mëtejshëm të qeverisë aktuale, që nuk siguron dot parametrat funksionalë të Respublica-s. A keni kohë ju të ndryshoni qasje, kur ju nuk e mendoni fare se na keni sjellë ne qytetarëve të thjeshtë një traumë të plotë mosbesimi dhe pasigurie?

Formaliteti i një qeverie legjitime në fund të mandatit nuk mund të justifikojë dhe arsyetojë më, pa fund, sjelljen thelbësore ilegjitime, arrogante ndaj dëgjesës, në kohën kur vendi pret me shpresë një proces zgjedhor të garantuar, të drejtë dhe të ndershëm. Modulet e Dibrës dhe Kolonjës e kanë varrosur këtë shpresë, njëlloj si më 26 maj 1996. Jemi në rrethanat e një krize republikane që duhet të korrigjohet në gjashtë muajt e ardhshëm, paralelisht me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me procesin e Prigjimit (Vetingut), atë të Dekriminalizimit, zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Dhe ky ndryshim thelbësor nuk mbart më marrëveshje përqindjesh mes partive të komprometuara, por veç një skemë të re të Republikës, e ardhur nga konstitucionalistët shkencëtarë dhe jo diletantë të palexuar partiakë. Ky është thelbi i ndryshimit, të cilin pati forcën që në emër të publikut ta sjellë veç lideri i ri i ppozitës së publikut atdhedashës, Lulzim Basha.

Pyetja që bëhet është kjo: a mjaftojnë katër muaj për ta kryer këtë ndryshim? Përgjigjja është: në qoftë se katër muaj janë pak, gjashtë muaj janë mjaftueshëm. Francës së vitit 1958, me 58 milionë banorë, i kanë mjaftuar gjashtë muaj për të realizuar një ndryshim të tillë. Shqipërisë me 2.8 milionë banorë dhe 2 milionë refugjatë në epokën e informatikës, me patjetër do t’i duhet të gjejë mënyrën dhe vullnetin për ta realizuar transformimin rrënjësor institucional drejt një shteti për ligj, liri, të drejtë, nën balancë e kontroll nga sovrani. Partitë politike duhet të lëshojnë pe dhe të merren vesh që Presidenti aktual i Republikës, në marrëveshje me partitë, të ngarkojë një personalitet të paanshëm për të formuar një qeveri të të gjithë talenteve, me mandat të përcaktuar kohor dhe në rrugë të përkohshme. Kësaj qeverie i duhen dhënë pushtete të plota për t’i bërë ballë gjendjes së jashtëzakonshme të zhbalancimit ndërinstitucional dhe mundësia për të proceduar me rishikimin e Kushtetutës së vitit 1998, duke ruajtur thelbin e Reformës së Drejtësisë së re, por duke vendosur në kontroll të dyfishtë nga një organ i zgjedhur prej sovranit (Presidentit të Republikës), përveç Parlamentit, të organeve të reja të drejtësisë dhe hetimit penal. Pra, qeverisë së përkohshme duhet t’i jepet një delegim për të proceduar me rishikimin e Kushtetutës. Qeveria e përkohshme e talenteve mund ta përgatisë vendin njëkohësisht për zgjedhje të reja dhe për referendumin mbi Kushtetutën e Republikës së re, tashmë nën kontroll të sovranit dhe jo të partive politike. Ky proces duhet të përmbyllet brenda shtatorit 2017. Në punën për përgatitjen e ligjit të ri kushtetues, qeverisë së re do të duhet t’i saktësohen disa kritere, nga të cilat ajo duhet të frymëzohet për procesin rindërtues: Kushtetuta e re duhet të parashikojë sërish përgjegjshmërinë e qeverisë përballë Parlamentit, të garantojë ndarjen e pushtetit gjyqësor, të risjellë në mënyrë të shprehur qartë të drejtat dhe liritë e njohura të njeriut. Po ashtu, kreu i shtetit duhet të bëhet konstitucionalisht një figurë qendrore e organizimit të Republikës, mbasi një president me pushtete shumë të kufizuara, sikurse është tani, u jep edhe më tutje mundësinë partive politike të privatizuara të vazhdojnë lojën e tyre të rrjepjes së popullit. Presidenti i Republikës së re duhet të jetë një institucion që do vigjilojë respektimin e Kushtetutës, të sigurojë, përmes pozicionit të tij të arbitrit, funksionimin e rregullt të pushteteve publike, ashtu edhe vazhdimësinë e shtetit. Është koha për të ndjekur shembullin e vendeve më të përparuara dhe më të civilizuara të Europës Lindore postkomuniste, në korrigjimin e njëmendte të sistemit. Është koha për një Republikë të re, jo më të partive politike të korruptuara, por të sovranit. Kjo republikë e re mund të ecë veç në unison me aleatët tanë strategjikë, pa dyshimet e hijeve të së shkuemes.

"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.