Loja e grekëve me naftën dhe prapambetja e Shqipërisë

Postuar në 07 Mars, 2017 19:48
Zamir Alushi

A e dini se i vetmi vendburim nafte në pjesën kontinentale të Evropës, në këto vitet e fundit, është zbuluar në Shqipëri? A e dini se pasi u zbulua ky pus nga një kompani modeste, u ofrua holandezja Shell, që pritet ta zhvillojë këtë zonë naftë dhe gazmbajtëse? Sigurisht, që mund ta keni dëgjuar, por iu ka kaluar “flash”. Nafta në Shqipëri nuk përbën lajm, sepse as Shqipëria në botë nuk i bën reklamë pasurive të saj. Këtu pasuritë po vidhen në mënyrë koloniale, fshehurazi. Ndryshe nga Shqipëria, edhe pse në krizë, qeveria greke ka ecur përpara me thithjen e investimeve të huaja në sektorin e naftës. Mos u çudisni, Greqia që deri tani nuk ka pasur naftë, ka marrë vëmendjen botërore të investitorëve të shumëkombësheve, të cilat po lidhin marrëveshje për kërkimin dhe shfrytëzimin.

Dy dallime duken qartë me Shqipërinë: Zhdërvjelltësia e shtetit grek për të tërhequr të tilla sipërmarrje; Kapërcimi i kufizimeve që sjell mungesa e marrëveshjeve kufitare detare me Shqipërinë dhe Turqinë. Greqia ka dhënë me koncesion zonat detare afër Korfuzit dhe Artës. Të dyja këto zona janë në afërsi të kufijve detarë të Shqipërinë.  Ndërkohë, një kompani britanike (Capricorne) që operon me një kontratë të qeverisë shqiptare në detin Jon nuk vazhdon punimet thjesht sepse nuk janë shënuar koordinatat e kufijve ndërkombëtarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Por cilat janë të rejat e fundit që na bëjnë “xheloz” për fqinjin tonë jugor? I fundit gjigant që ka mbërritur në Greqi për kërkimin e naftës është ExxonMobil. Kompania botërore e naftës, pas Qipros, kthen sytë nga Greqia dhe është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje strategjike me qeverinë greke për të marrë pjesë në kërkimin, shpimin e puseve të naftës në gjashtë zona, por edhe për të zbuluar vende të reja eksplorimi dhe shfrytëzimi të hidrokarbureve. E para në "listën" e zonave detare është sipërfaqja në jug të Kretës, formacionet gjeologjike të së cilës ngjajnë me ato të vendburimeve të mëdha të naftës në Egjipt.

Marrëveshja për bashkëpunim strategjik duket të jetë e mbyllur për disa muaj, dhe arsyeja e vetme që është vonuar nënshkrimi janë pengesat për përfundimin e kontratave të koncesionit dhe të nënshkrimit të procesit për katër nga gjashtë rajonet që janë dhënë më parë për Hellenic Petroleum.

Jo rastësisht, pas interesimit të ExxonMobil dhe kompanive të tjera shumëkombëshe, Drejtori ekzekutiv i HEP (Drejtoria e burimeve të energjisë)  Gregory Stergioulis, në fjalimin e tij në Delphi thekson vonesat.

"Detyra për Greqinë duhet të jetë regjistrimi dhe shfrytëzimi i rezervave të hidrokarbureve në Greqi. Ne jemi të vonuar dhe procedurat duhet të përshpejtohen ", tha ai, i cituar nga “Tribune.gr”.  Stergioulis shtoi se "HEP duhet të ketë burimet, ekspertizën dhe rolin ndërkombëtar për të vazhduar identifikimin e fushave që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së vendit. "

Zonat e caktuara për HEP të cilat do t’i kalojnë një pjesë për ExxonMobil janë:

1. Gjiri i Patras ku llogaritet të jenë 200 milionë fuçi naftë. Në këtë zonë është e përfshirë edhe kompania italiane Edison.

2. Zonat tokësore në Peloponezin veriperëndimor dhe rajoni  "Arta - Prevezë" (Bregdeti i Çamërisë) që duket të jetë premtuese në depozita nafte, por është bërë një mollë sherri me kompaninë “Energean”, e cila, edhe pse nuk ka fituar në tender, vazhdon kërkesën nëpërmjet gjykatave. Dhënia e këtyre dy rajoneve u bë në shkurt të vitit 2016 dhe kontratat janë "mbërthyer" në Gjykatë.

3. Zona në perëndim të Korfuzit në detin Jon, e cila i është dhënë kompanisë franceze ‘Total’ dhe asaj italiane ENI. Vendimi për dhënien e kontratës së koncesionit u nënshkrua në tetor 2016, por deri më tani nuk është finalizuar teksti i kontratës. Tenderi për 20 kompani që pretendonin zona kërkimi në det në Kretë, u hap në nëntor të vitit 2014. Në të njëjtin tender Hellenic Petroleum u deklaroi investitor preferencial edhe për dy fusha naftëmbajtëse, në veriperëndim të Korfuzit dhe në gjirin Kyparissia, për të cilat pritet finalizimi i kontratave.

ExxonMobil e sheh Mesdheun Juglindor si pjesë të strategjisë  së tij të zhvillimit. Interesi për Greqinë u shfaq në vitin 2014, kur një kompani amerikane bëri të ditura të dhënat sizmike për zonën e Kretës. Gjigandi amerikan thuhet se është i gatshëm për të paraqitur një kërkesë në HEP për marrjen e rajonit juglindor të kufirit detar të Kretës me Egjiptin.

Në fokus të kompanisë Hellenic Petroleum është gjithashtu një një kontratë e "ngrirë" për shumë vite për zonën detare të Trakisë, ku ka 25% të aksioneve së bashku me kanadezen “Calfrac”, e cila mban 75%.

Hellenic Petroleum po negocion me kanadezët për të marrë aksione me vlerë rreth 2,5 milion euro, ndërkohë që pritet të fillojë diskutimet me kompaninë Energean, e cili vepron në zonën fqinj të Prinos, për një operacion të përbashkët dhe, gjasat e pjesëmarrjes të kompanisë spanjolle “Repsol”, janë afër një partneriteti strategjik me Energean.

Edhe pse ka indikacione të fushave shumë të rëndësishme të naftës në këtë rajon, (70% e zonës së identifikuar që ka gjetjet më të rëndësishme, ndodhet në largësi 6 milje detare nga kufiri), sipas mediave greke, ka çështje të pazgjidhura mes diplomacive greko-turke. Duhet theksuar se studimi i parë i kompanisë “Robertson” njoftoi se në zonën e Prinos mund të ketë rreth 320 milionë fuçi nafte. Një zonë tjetër, që është në kufi me Shqipërinë, është Janina, e cila vlerësohet nga gjeologët të ketë 50-100 milionë fuçi nafte. E kundërta ndodh me industrinë tonë të kërkimit dhe të nxjerrjes së naftës, që ka traditë më shumë se një shekull. Sigurisht e dini se pjesën më të madhe të tregut të karburanteve e furznojnë nga importi kompanitë greke. Sektori i naftës në Shqipëri është zhytur në krizë për shkak të politikave të ndjekura gjatë privatizimit, por edhe për shkak të abuzimeve dhe korrupsionit.  Shumë pak kontrata janë lidhur këto tre vite, megjithëse janë shpallur disa zona të lira për kërkimin e naftës në tokë dhe në det, të cilat janë të sigurta, nga të dhënat sizmike, se kanë naftë dhe gaz. Në Shqipëri kemi vendburime nafte,  naftëtarë, gjeologë, specialistë të fushës, shkencëtarë që e njohin naftën dhe gazin, por nuk kapacitetin, zgjuarsinë dhe efikasitetin e diplomacisë greke. Ndërkohë që merremi me retorika bosh me patriotizëm folklorik,  le të zhvillojmë “paralelisht” sektorin kombëtar të naftës dhe ta kthejmë atë në markë të njohur në botë, në një referencë për vendin. Qeveritarët e djeshëm dhe të sotëm nuk do të gjykohen nga brezat për Çamërinë (që e humbëm se u shkëputëm vonë nga Turqia), apo për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të luftës italo-greke, por sa prapa Greqisë e lanë Shqipërinë.  

"TemaTv"

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Mire e ke ti, po kujt i flet!? Murit? Ja, te vdesin edhe ata pak specialiste nafte qe ka Shqiperia, dhe pastaj me kete problem merret vetem bota! Deri me sot Shqiperia i kishte forcat materiale te niste edhe vete kerkimet ne det, apo me pak ndihme nga specialiste te huaj mund te ecte ne kete drejtim, por me pare na duhet patriotizmi ne thonjza, qe te stabilizojme me pare ndergjegjen e hajdutit, sepse me kete lloj patrotizmi folklorik i hedhim hi syve kujdo qe na ka dalluar deri me tani se kemi vjedhur toka, para, gjithshka. Dhe kur them hajdute, te korruptuar, mashtrues, nuk kam parasysh vetem ata "lart", por edhe qindra-mijra "poshte". Ky lloj populli ben pershesh kur gjen shesh!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.