Kriza e Fajdeve - E parë nga një tjetër këndvështrim
20 vjet më parë në Shqipëri ndodhi kriza e fajdeve që në të vërtetë ishte katastrofë, një katastrofë kombëtare e shkaktuar jo nga natyra, por nga një udhëheqës, për të thënë më të paktën, i papërgjegjshëm, i cili, pasi vodhi, rrahu, burgosi dhe vrau popullin, shkatërroi edhe vendin. Sot, nga ajo katastrofë ka mbetur ideja e rreme se një popull budalla u gënjye nga disa pronarë mashtrues të firmave piramidale, se mbyllja e firmave piramidale nga Sali Berisha e shpëtoi Shqipërinë, se firmat piramidale falimentuan, se i vetmi gabim i Sali Berishës ka qenë lejimi i firmave piramidale duke mos ditur rrezikun e tyre, se socialistët kryen një rebelim komunist e të tjera si këto. Këto mendime nuk janë vetëm të popullit tonë të zakonshëm që ka një kujtesë historike fare të shkurtër, të popullit që gënjen dhe ka qejf të gënjehet, por edhe i shumë njerëzve të kultivuar të tij.
Një analizë serioze e asaj që ndodhi nuk është bërë kurrë, por në qoftë se do të bëhet ndonjëherë, së pari duhet të zgjidhë disa çështje të tilla që u deformuan që në fillim dhe mbeten të deformuara edhe sot, si:
- A ishin vërtet të gjitha firmat e fajdeve piramidale?
- Firmat falimentuan apo i mbyllën?
- A kishte të drejtë shteti të ndërhynte në marrëdhëniet që ishin krijuar midis privatësh, siç ishin huadhënësit (populli) dhe huamarrësit (firmat), të cilat vepronin me lejen dhe përkrahjen e shtetit?
- Në qoftë se shteti pati të drejtë t’i mbyllte ato firma, a kishte mënyra mbylljeje që ta bënte mbylljen e tyre më pak traumatike?
- Përse nuk u bënë gjyqe të hapëta të pronarëve të firmave nga të cilat populli të merrte vesh se si kishin funksionuar ato firma dhe se sa para ndodheshin në to?
- Në qoftë se nuk do të detyroheshin të mbylleshin firmat ashtu siç u mbyllën, ç’e keqe më e madhe mund t’i ndodhte popullit dhe vendit në qoftë se ato firma do të falimentonin vërtet, krahasuar me atë ndodhi?
- Përse nuk u lejuan përfaqësi të huadhënësve të merrnin pjesë në inventarin që iu bë firmave?
- Kush i vodhi paratë e firmave pasi ato i mbyllën?
- A i zgjidhi marrëveshja politike e 9 marsit 1997 problemet shqiptare?
- Dhe, së fundmi: a kishte ndonjë shtet të huaj që mund të përfitonte nga trazirat që do të ndodhnin në Shqipëri në atë kohë dhe, a ishte e mundur që ai shtet me anë të njerëzve të tij në Tiranë të kishte nxitur atë që ndodhi?
Strumbullari i të gjithë asaj që ndodhi në Shqipëri ishte një person: Sali Berisha. Ndërkohë që mbante fjalime dhe thoshte se paratë e shqiptarëve ishin më të pastrat në botë, duke i nxitur kështu shqiptarët të linin paratë e tyre në firmat e fajdeve, ndërkohë që pronarë të firmave i ftonte të merrnin pjesë në mbledhje të rëndësishme shtetërore dhe i shfrytëzonte për të financuar aktivitete të ndryshme partiake, ndërkohë që me to fitoi dhe zgjedhjet e vitit 1996, Sali Berisha befas vendosi t’i mbyllte, duke thënë se firmat falimentuan. Përse ndodhi ky kthim i menjëhershëm, krejtësisht në të kundërt, dhe përse, sipas interesave të tij të momentit, Sali Berisha herë thoshte se firmat falimentuan dhe herë se ishte ai që i mbylli?
Saliu mbylli së pari firmën “Sude”, në një kohë kur ajo firmë ishte në kulmin e aktivitetit, kur njerëzit mbanin radhën që në mesnatë për të lënë aty paratë pra, kur nuk mund të kishte falimentim. E urdhëroi Suden të dilte në një dritare shkallësh të pallatit ku banonte me një megafon në dore, në krahë të së cilës qëndronin njerëz të ShIK-ut që e mësonin së ç’të thoshte dhe ajo tha fjalët që i përdorte për herë të parë në jetën e saj e, për pasojë, i tha me vështirësi: “Firma ime ishte piramidale. Unë falimentova.”
Këtu dhe tashti filloi revolta e parë e popullit. Policia dhe ShIK-u i Sali Berishës iu vërsulën revoltës me dhunë. Nga politika opozitare në këtë fazë nuk pati asnjë ndërhyrje. Nga ajo u konsiderua, ashtu siç ishte, një çështje privatësh. Asnjë nuk mori vesh se sa para kishte depozituar populli te Sudja dhe se ku shkuan ato. Dihet vetëm se makinat që transferonin paratë e Sudes, shoqëroheshin me policë e shikas. Sudja përmendte gjithnjë një person, që ajo e quante “kompetenti”, i cili dinte çdo gjë dhe vendoste për gjithçka. Nuk u mor vesh kurrë se kush ishte ky person edhe pasi Suden e arrestuan, i bënë hetimin, e gjykuan, e dënuan dhe e nxorën nga burgu të traumatizuar. Sekretet e firmës së Sudes mbetën sekrete të përhershme, edhe sot.
Në qoftë se shteti nuk do të kishte dorë në aktivitetin e Sudes, ai, duke qenë më i interesuari për t’u shfajësuar nga dyshimet që binin mbi të, do të shfaqte të gjithë të vërtetën dhe të sqaronte popullin për grupin “Sude” dhe “kompetentin” e saj.
Ndryshe prej firmave të tjera, firmës “Sudes” nuk iu bë inventarizimi. Prej saj nuk u kthye asnjë lek, të gjitha u vodhën. Nga kush? Pas Sudes, u tha se kishte falimentuar firma Gjallica në Vlorë. Protesta u egërsua dhe u shtri në disa qytete.
Firmat e tjera ushtronin aktivitetin, por shumë shpejt aktivitetin e tyre financiar e kufizuan, duke i lejuar të merrnin nga bankat vetëm 30000 dollarë në ditë dhe kështu, praktikisht, ua mbyllën aktivitetin. Protestat tashti kapën të gjithë vendin. Të gjitha forcat ushtarake të Sali Berishës si dhe vullnetarë të paguar të thirrur nga veriu, ushtruan të gjithë egërsinë e tyre për t’i shtypur protestat. Pronarët e firmave u arrestuan. Ata u zëvendësuan me administratorë të vënë nga shteti, duke u bërë kështu ata zotër të parave dhe pronave të firmave, pra të popullit. Ata që kishin lënë paratë në to nuk patën asnjë rol. Gjykatat memece nuk thanë kurrë asnjë fjalë. Revolta u përhap dhe u egërsua. Asnjë përpjekje nuk u bë nga shteti për të qetësuar gjendjen, përkundrazi çdo gjë që bëhej, bëhej për ta revoltuar sa më shumë popullin, për të krijuar reaksionin maksimal prej tij. Filloi shkatërrimi i çdo gjëje, i çdo ekonomie, ashtu siç ishte bërë disa vite më parë po nga regjimi i Sali Berishës, kur u shkatërrua ajo që ishte ndërtuar gjatë komunizmit. Depot e armëve u hapën, populli u armatos, filloi vrasja e njerëzve mes njëri-tjetrit. Shteti u paralizua. Filloi emigrimi masiv jashtë vendit. U shtua migrimi brenda vendit që kishte filluar me droje disa vite më parë. Grupe të shumta u nxitën të boshatisnin në masë zonat veri-lindore dhe të dyndeshin, duke grabitur toka e troje në zonat qendrore të Shqipërisë, kryesisht të Tiranës. U shpall gjendja e jashtëzakonshme. Shtypi u mbyll. Mjediset e punës të gazetës “Koha Jonë” u dogjën. Televizioni shqiptar u vu nën censurë të rreptë. Të vetmet informacione mbi atë që ndodhte në Shqipëri, shqiptarët e merrnin vesh nga televizionet e huaja.
Pronarët e firmave që u burgosën, u nxorën në gjyq, por gjyqet u bënë të fshehta. Asnjë nuk mori vesh se si e zhvillonin aktivitetin. Nga gjyqet nuk doli që ato firma të kishin qenë piramidale, por iu vu emri piramidale, sepse vetëm ashtu mund të besohej nga populli se kishin falimentuar, se vetëm ashtu mund të besohej se nuk kishin më para për të shlyer huadhënësit, se vetëm ashtu mund të besohej se pronarët e tyre kishin mashtruar popullin, se vetëm ashtu populli do të fajësonte veten që kishte futur para në to si dhe pronarët e firmave që e kishin vjedhur. Vendosja e emrit “piramidale” u bë me shumë djallëzi. Tek ne ky emër përdorej për herë të parë.
Firmat e forta me aktivitet ekonomik si VEFA, SILVA e ndonjë tjetër deklaruan se, edhe në qoftë se kishin falimentuar firmat e tjera, ato merrnin përsipër mbulimin e borxheve të tyre. Kjo nuk u pranua. Nuk ishte puna për gjetjen e një zgjidhjeje që do të qetësonte gjendjen, përkundrazi, gjendja duhej acaruar deri në ekstrem.
Mund të themi me siguri se nuk ishte aktiviteti i firmave të huamarrjes shkaktare për ato që ndodhën. Mënyra se si u detyruan ato të mbylleshin: mbyllja e njëkohshme, e përnjëhershme, qëndrimi tepër armiqësor ndaj tyre, përhapja e panikut, përdorimi i gënjeshtrës, mashtrimit, propagandës së trashë, rrahjet, burgosjet, vrasjet, zhdukja e plotë apo e pjesshme e parave të tyre ishin shkaktaret e vërteta të asaj qe ndodhi.
Deri sot i vetmi burim të dhënash dhe informacioni të besueshëm dhe të hollësishëm për gjendjen dhe llogaritë e firmës VEFA, që ishte edhe firma më e fuqishme, është ai i hartuar nga Komisioni Parlamentar i Transparencës, i kryesuar nga Z. Pelingu, i cili është botuar në gazetën “ALBANIAN DAILY NEWS” më 18 prill 1997.
Për kompaninë VEFA në atë raport thuhej se në mars të vitit 1997 ajo kishte pasur 86500 kreditorë me 38,627 miliardë lekë të kredituara, ose rreth 386 milionë dollarë.
Sipas po atij raporti, rezulton se në 31 janar, 1997, ende pa u vjedhur, depozitat e VEFA-s në të gjitha degët e saj, që, natyrisht ruheshin në bankat shtetërore, ndodheshin 11,3 miliardë lekë (113 milionë dollarë) ose 30% të shumës së depozituar nga kreditorët, dhe rreth 50 miliardë lekë asete (500 milionë dollarë) si dhe 20 milionë dollarë pasuri të tjera në ndërmarrje të përbashkëta me të huaj.
Sipas Komisionit Pelingu, del se VEFA kishte 613 milionë dollarë pasuri kundrejt 386 milionë dollarë borxhe, pra ajo kishte 227 milionë dollarë tepricë. Kështu, në qoftë se ajo firmë nuk do të vidhej më pas, të gjithë huadhënësit e saj mund të merrnin të plota paratë e tyre, madje me fitim
Ku shkuan paratë e firmave? Sipas kryeadministratorit të fajdeve, kryemashtruesit profesionist Farudin Arapi, 210 milionë dollarë të firmave kishin humbur, 100 milionë të tjerë ishin tërhequr nga persona të lidhur me pushtetin dhe firma Deloit & Tush, që gjoja bëri inventarin e firmave, u pagua me 7.2 milionë dollarë prej vetë firmave.
Nga asetet e firmave, prej të cilave vetëm VEFA kishte 500 milionë dollarë pasuri, pasi iu shitën miqve e shokëve për një copë bukë nga Farudin Arapi, u morën vetëm 40 milionë dollarë.
Kështu humbën paratë e shqiptarëve, fillimisht nga shteti i Sali Berishës e më pas, ato që mbetën, nga ai i Fatos Nanos. Ndiqni sot po mundët burimin e pasurisë të pasanikëve të Shqipërisë dhe do të gjeni se në shumicë burimi i tyre është te firmat e fajdeve.
Nuk është për t’u çuditur se, ndërsa nga firmat “Populli” dhe “Xhaferri”, që mund të mendohet më shumë të kenë qenë piramidale, u ndanë nga 50-60% të parave dhe nga firma më e fortë, nga firma që kishte edhe aktivitet prodhues, nga firma “VEFA”, që sipas raportit të Komisionit Pelingu dilte të kishte teprica, thanë se do të ndaheshin nga 11%, kur në të vërtetë u ndanë 4-5%. Pse? Sepse nga firmat “Populli” dhe Xhaferri” paratë u ndanë shpejt, pa arritur të vidheshin nga administratorët shtetërorë, ndërsa nga firma “Vefa”, ato u ndanë pasi u vodhën gati tërësisht.
Çfarë shteti i papërgjegjshëm! Anglia e ruajti arin e një vendi të huaj, të Shqipërisë, për gati 50 vjet pa prekur asnjë qindarkë, ne nuk i ruajtëm dot paratë e popullit tonë as për 5 muaj.
Edhe sikur të gjitha firmat e fajdeve të kishin falimentuar vërtet dhe të kishin shpërdoruar të gjitha paratë e qytetarëve shqiptarë, për të mirën e vendit, për të mirën e popullit, për të mirën e kombit, shteti, dhe kur themi shteti - Sali Berisha, - duhej të kishte gjetur një rrugë për të qetësuar njerëzit, për t’i bërë ata të kishin shpresë, qoftë edhe duke shpenzuar edhe nga paratë e shtetit. Dëmi në tërësi do të qe shumë më i vogël nga ai që u shkaktua. Kryeministri Meksi, për shembull, tha se kreditorëve mund t’u jepeshin paratë e tyre pa interesat, ndërsa Sabri Godoja tha se mund të privatizohej një objekt i madh në të cilin të kishin pjesë kreditorët. Të tjerë dhanë zgjidhje të tjera. Sali Berisha bënte të kundërtën. Qëllimi i tij ishte jo që të qetësonte gjendjen, por ta acaronte sa më shumë dhe këtij qëllimi ia arriti.
Në luftë me Sali Berishën, populli triumfoi, por ai u tradhtua nga politikanët e tij të cilët shihnin pasojat e veprimeve të Sali Berishës si mundësi të pasurimit të tyre. Në një kohë kur Sali Berishës populli i kishte prerë këmbë e duar, kur njerëzit e tij qenë arratisur, partitë politike, me demek opozitare, e rehabilituan politikisht dhe Shqipëria vuan edhe sot e kësaj dite, 20 vjet më pas, nga ky njeri.
Nata e 9 marsit 1997 duhej të ishte për Sali Berishën fatale, por ai arriti ta kthente atë në natën më fatlume e më të suksesshme të karrierës së tij. Pas një takimi flirti midis tij e partisë së tij dhe 9 "partive kryesore opozitare", u ngjiz atë natë fëmija i tyre i përbashkët që u pagëzua me emrin “Qeveri e Pajtimit Kombëtar”.
Atë natë, ai, me marifetet e tij, e pse të mos themi edhe me zotësinë e tij djallëzore, arriti të rrëzonte në mënyrën më përulëse e me qesharake "elitën e opozitës shqiptare", duke i dhuruar asaj një qeveri të re, zgjedhje të parakohshme. amnisti për kriminelët dhe duke vazhduar vetë si president në krye të vendit. Sali Berisha llogariti që me partitë që zgjodhi dhe me njerëzit e tyre që, gjithashtu, do të zgjidhte më pas, do të mund të krijonte një qeveri që, ndoshta, do t'i shërbente atij për të mbijetuar më mirë se qeveria që pati. Dhe nuk u gabua.
Opozita, në qoftë se do të ishte në lartësinë që i kërkonte momenti, atë natë kishte plot arsye të mos pranonte autoritetin e Sali Berishës si autoritetin e presidentit dhe t’i tregonte atij vendin, duke e zhdukur një herë e mirë nga skena politike shqiptare.
Sali Berisha ishte zgjedhur president pak ditë më parë nga një parlament që nuk njihej nga vetë opozita. Zgjedhja e tij ishte bërë në kushte lufte, kur Tirana dhe e gjithë Shqipëria ishin mbërthyer në shtetrrethim, pikërisht për të shmangur protestat e parashikuara për atë ditë për të penguar fronëzimin e tij. Atë natë, edhe pse Sali Berisha e quante veten President të shtetit shqiptar, shteti shqiptar nuk ekzistonte. Shtetin shqiptar e kishte shpërbëre politika e tij. Ai shtet nuk kishte më as ushtri, as polici, as prefektura, as bashki, as kryeministri, as taksa, as dogana, as shkolla, as burgje, as gjyqe; praktikisht nuk kishte asgjë nga ato që përbejnë shtetin.
Dhe tashti, më në fund, na lind pyetja përmbledhëse: përse Sali Berisha i mbylli në atë mënyrë firmat e fajdeve dhe krijoi reaksionin më të fortë të mundshëm në popull?
Së pari, Berisha mund të ketë vepruar ashtu për shkak të natyrës së tij konfliktuale dhe destruktive që gjen qetësi dhe kënaqësi vetëm përmes konfliktit dhe shkatërrimit.
Së dyti, ai mund të ketë vepruar ashtu se në atë mënyrë shikonte pasurimin e tij, të familjes së tij, të partisë së tij, të partiakëve të tij.
Së treti, ai mund të ketë vepruar ashtu për një qëllim tjetër më serioz, por më të fshehtë. Lufta në Kosovë nuk u projektua në vitin 1998, atëherë kur plasi. Ndonëse populli mund të mos e dinte se ç’do të ndodhte, serbët i kishin planet të përgatitura dhe të detajuara. Çdo vend kështu i bën planet. Ajo që populli sheh apo ndjen në një çast, është përgatitur kohë më parë fshehtas. Për atë që do të ndodhte, kërkohej që krahu kryesor i Kosovës, Shqipëria, të ndodhej në gjendjen më të mjerë të mundshme, që ajo jo vetëm të mos kishte asnjë mundësi për t’i dhënë ndonjë ndihmë Kosovës, por të linte edhe një përshtypje sa më të keqe për botën, ta bënte atë të mendonte mirë, përpara se mund të jepte ndonjë përkrahje çështjes kosovare në veçanti dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.
Bërja leckë e Shqipërisë, shkatërrimi i saj, boshatisja e zonave verilindore për t’u mbushur me kosovarë të dëbuar, largimi i shqiptarëve nga Shqipëria, fillimi i luftimeve veri-jug e popull-shtet, do të ishin kontributet më të mira që mund të jepte Shqipëria në ndihmë të planit të Millosheviçit për pastrimin e Kosovës nga kosovarët. Fajdet ishin grushti i parë që i jepej luftës së kosovarëve për pavarësi. Pas një viti, do të jepej grushti i dytë me vrasjen e Azem Hajdarit dhe shfrytëzimin e asaj vrasjeje për të krijuar një tjetër krizë në Shqipëri një vit para se të fillonte lufta në Kosovë. Bota do ta kishte të vështirë tashti të ndihmonte dhe të njihte një shtet të dytë shqiptar, kur shteti i parë po tregonte, ashtu siç kanë pretenduar gjithnjë dashakeqët e tij, se nuk dinte të vetëqeverisej.
Në parlamentin serb është thënë se Milosheviçi kishte shpenzuar 18 milionë dollarë në Shqipëri për të shpërblyer njerëzit e tij për veprimtari agjenturore. Luan Rama, kur ishte ministri i Brendshëm, deklaroi: " Me përgjegjësi qytetare dhe zyrtare, ju bëj të ditur se ish kryetari i Shërbimit të Fshehtë shqiptar zoti Bashkim Gazidede është takuar me Zelko Raznjatovic (Arkan).” (Gazeta Shqiptare, shtator 2002). Është shumë e mundshme që kjo deklaratë të ketë shkaktuar heqjen e Luan Ramës si ministër dhe, megjithëse ishte dhe është një person shumë i rëndësishëm në partinë e Ilir Metës, nuk u vu kurrë më ministër. Nuk është rastësi kjo.
Sali Berisha nuk ndodhej në vend kur Luan Rama bëri atë deklaratë. Me t’u kthyer, gazetarët e pyetën në Rinas nëse ishte e vërtetë që Arkani të kishte qenë në Shqipëri. Ai, në një mënyrë të paqartë, tha: “...Unë nuk di gjë, nuk kam te dhëna, sepse e vërteta është që me paratë e Arkanit u ndërtuan skemat piramidale dhe se kush i ka ndërtuar skemat është shume e qartë." (Gazeta Korrieri 20/10/2002). Berisha, në njëfarë, mënyre pranonte që Arkani dhe, rrjedhimisht, Serbia të kishin gisht në ato skema. Serbia e kishte vendosur tashmë dinamitin, fitilat duheshin ndezur prej nesh.
Një aspekt i ngjarjeve që të shtyn të besosh se çështja e fajdeve u nxit nga të huajt, kryesisht nga serbët, në kohën që deshën ata dhe si deshën ata, është se Sali Berisha nga një përkrahës dhe mbrojtës fanatik i fajdeve, brenda pak kohe, ndërroi krejtësisht qëndrim ndaj tyre dhe i mbylli ato. Asnjëherë deri sot nuk është analizuar ky ndryshim qëndrimi. Përse ndryshoi? A mundej Berisha të mos kuptonte, se me atë trajtim që do t’u bënte fajdeve, jo vetëm që nuk do të mund të mbante dot pushtetin, për të cilin vdiste, por mund të humbte edhe kokën? Berisha duket se ka qenë nën trysninë e papritur të urdhrave serbe si dhe të një garancie prej tyre të rikthimit në pushtet. Dhe, ashtu ndodhi.
Add new comment