Pushteti i vërtetë në dorë të burokracisë?
Angelo Panebianco shkruan sot në “Corriere della Sera” mbi një libër të ri që ka dalë në qarkullim në vendin fqinj me Shqipërinë, e I cili sugjeron një lexim “ndryshe” të pushtetit të vërtetë në Itali. “Zotërinjtë e kohës së humbur”, titullohet libri që ka për autorë Francesco Giavazzi dhe Giorgio Barbieri. Në libër tema qendrore është ai proces i zëvendësimit të pushtetit të vërtetë që është mbajtur deri më dje nga politika, me pushtetin e administratës. Burokracisë. Është thuajse e pabesueshme por ja që një zhvendosje e tillë duket se sipas autorëve ka ndodhur në një vend ku politika mallkohet për çdo gjë, ndërkohë që drejtorët dhe gjykatësit ja hedhin paq duke u pasuruar dhe qëndruar në drejtim për dekada. Sipas Panebianco kjo situatë është paradoksale dhe evidenton se opinioni nuk po kupton mirë përgjegjësitë duke e përqendruar luftën retorike ndaj politikës, armikut kryesor të së mirës publike.
Mirëpo në thellësi ndoshta diçka tjetër zhvillohet.
Politika italiane ka kaluar në një pozitë impotence përballë administratës dhe rrëzimi i reformës së administratës publike, ndërmarrë nga Matteo Renzi e dëshmon një gjë të tillë. Renzi donte që të mundësonte me ligj shkarkimin e drejtuesve, por sipas autorit u kundërshtua nga “shefat e fuqishëm të kabineteve, shumë më të rëndësishëm sesa ministrat…nga Këshilli i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”. Çka do të thotë se kultivimi i një administrate civile solide, immune ndaj politikës, çon në burokratizim dhe ndryshim raportesh
Sipas dy autorëve të librit lufta e administratës ndaj Renzit mund të barazohet në efekte me rezultatet e referendumit. Arsyet pse është mbërritur në këtë pikë janë interesante.
Mungesa e konkurencës në sektorët kyç të ekonomisë është një nga shkaqet kryesore. Një tjetër, e lidhur me të parin, ka të bëjë me ngadalësinë dhe inefiçencën e drejtësisë civile…Shumëfishimi i rregullave e rrit pushtetin diskrecional(në fushën e veprimit) të burokracisë, duke e bërë të pakontrollueshme. Veset e administratës publike italiane janë antike, por në dekadat e fundit është përkeqësuar ndjeshëm
shkruan Panebianco.
Përpjekjet për reformism kanë dështuar të gjitha pikërisht sepse fronti i kundërshtimit është i jashtëzakonshëm. Analogjia? Japonia e ‘800-ës. Perandori u kundërshtua nga kasta e samurajve në modernizimin e vendit dhe për pasojë zgjidhja ishte jo lufta, por Kompensimi. Sugjerimi që jepet në kushtet kur burokracia po rëndon shumë është reformimi i saj dhe heqja dorë nga rregullimi i çdo gjëje. Një rrugë e dytë është praktika franceze e pantouflage, që konsiston në kalimin e drejtuesve të administratës në sektorin privat. Rruga e tretë, kthim pas në realitetin e para 30 viteve kur politika kontrollonte deri diku adminstratën. Të trija rrugë thuajse të pamundura.
Lufta frontale, e përditshme mes opinionit publik me politikën ka zhvendosur vëmendjen nga një problem i madh që paradoksalisht dhe gabimisht shihet si garanci për shtetin: ruajtja e administratës nga politizimi, ndonëse pranohet se ajo gjeneron korrupsionin dhe është e paaftë.
Problemi është prezent deri diku edhe në Shqipëri, ndonëse në përmasë tjetër. Sot që flasim kemi ish-drejtorë drejtorish që kanë bërë karrierë politike, e që nga pozicionet e reja arrijnë të jetësojën politika që përndryshe deri më dje ishin thuajse të pamundura. Po kështu ka institucione si Banka e Shqipërisë, apo borde dhe Fonde që duken thuajse të pronësuar nga e njëjta kategori, ndërkohë që me qeverinë aktuale u arrit në flagrancë të plotë sidomos me dy drejtoritë delikate: të tatimeve dhe doganave. Sigurisht që Shqipëria nuk ka tregun e Italisë, as strukturën e pasur ligjore dhe nënligjore të saj, por ajo po ndodh përditë. Me akte dhe vendime, me taksa që shtohen aty e këtu, pas të cilave qëndron sa nevoja për para, paaftësia e politikës, por edhe një firmë “eksperti” që vë në lëvizje procesin. Dhe përherë e më shumë miti i nënpuësit civil, paprekshmërisë së tij, nuk është çudi që të mbulojë shumë probleme, njësoj si këto që na thonë autorët në Itali.
http://www.corriere.it/cultura/17_marzo_01/i-signori-del-tempo-perso-gia...
Add new comment