Prepotencë shtetërore dhe servilizëm institucionesh kundër arkeologjisë
E mora përsëri lapsin për ndodhitë arkeologjike në hapësirën “Vela/Veliera” të Durrësit, megjithëse e çmova të mjaftueshëm sqarimin që bëra në intervistën televizive në rubrikën e lajmeve të orës 19,30 të Report Tv më 09.02.2017, si dhe intervistën më shkrim të botuar në gazetën Shqiptarja.com ( Kush do të fitojë, Vela prej Betoni e kryetarit apo Hyrja e Lashtë e Dyrrahut?, 10.02.1017). Atje u mundova t’i kujtoja përgjegjësve shtetërorë për mbrojtjen ligjore të monumenteve të kulturës dhe të pasurisë arkeologjike të nëntokës - pra Ministrisë së Kulturës - se Ligja nuk lejon të bëhen ndërtime të reja në Zonën Arkeologjike A të Durrësit, ku përfshihen edhe dy këmbët veriore të ndërtimit të ri “Vela”. U përpoqa t’i kujtoja asaj të respektonte ligjin, të ndalojë nguljen e themeleve të skulpturës dekorative masive prej 2000 m² në nëntokën që ruan dëshmitë e ansamblit të Hyrjes së Lashtë të Dyrrahut nga ana e portit - duke e spostuar këtë ndërtim të ri për hir të mbrojtjes së dokumentit historik. E mora lapsin përsëri, kur dëgjova ministren e kulturës në seancën dëgjimore të Komisionit të Kuvendit, të mbulonte me zhavorr dhunimin e substancës arkeologjike përpara syve të qytetarëve, kur dëgjova të përdorte ajo vetë argumente fëminore duke mbrojtur me djallëzi ndërtimin e ri prej betoni në vend të mbronte trashëgiminë. Aq më keq kur dëgjova reagimin e drejtorit të Institutit të Arkeologjisë zotit Luan Përzhita, se ato që janë zbuluar deri tani në hapësirën e gërmimit arkeologjik të projektit “Vela” në Durrës, sipas mendimit të institutit të tij vlerësohen të “vona”, jo më të hershme se shek. 19 (Skandali me projektin “Veliera” në Durrës, Agjensia e Lajmeve Sot News 11.02.2017) – domethënë e përkthyer, se “këto gjetje arkeologjike meqenëse né arkeologët e Institutit Arkeologjik (IA) në Qendrën e Studimeve Akademike i datojmë të shek. 19, ato janë pa vlera historike dhe mund të prishen pa dhimbje, për t’i hapur rrugë ndërtimit të Velës prej betoni të dëshiruar nga udhëheqja”.
Për drejtorin e IA-së dokumentet arkeologjike ndërtimore urbane të shek. 19 (Rilindjes Kombëtare) janë apriori pa vlerë historike!? Sepse atij nuk i del një arkeolog as nga IAja e tij, as nga IMKja dhe as nga Departamenti Arkeologjik i Universitetit të Tiranës të denoncojë të tilla vlerësime fshatareske profesionale, të kërkuara vetëm nga politika antikombëtare. Këtu nuk është fjala vetëm e mungesës së specialistëve arkeologë dhe restauratorë të papërgatitur që mbushin sot institucionet shkencore të shtetit, por rasti i Velës po tregon në mënyrë të dhimbshme sëmundjen e rëndë tashmë në përmasa epidemike të servilizmit politik, që i ka pushtuar (mbërthyer) këto institucione dhe punonjësit e tyre, të cilat në solidaritet politik nuk po përdorin më ligjin për ruajtjen, mbrojtjen dhe vlerësimin e monumenteve të kulturës dhe të pasurisë arkeologjike, por po shesin të vërtetën dhe ndershmërinë e profesionit përpara presionit të pushtetit.
1. Vetë Ministresha e Kulturës loz “kuk a m’çefthi” para Komisionit të Kuvendit, se hapësira ku po ngrihet Vela nuk është zona A por zona Arkelogjike B, ç’ka është për mua një skandal i shpërdorimit të detyrës nga ana e saj. Madje askush nuk e po e vë re, se përgjegjësinë ligjore për të lejuar ndërtimin e Velës nga Ministria e Kulturës nuk e ka vetëm Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, por në radhë të parë Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR). Sepse në rastin në fjalë prania e monumenteve të kulturës në hapësirën “Vela” është më e madhe se sa dijet që Ministria e Kulturës posedon mbi pasurinë që ruan nëntoka nën këmbët e Velierës. Konkretisht, uniteti që formon Torra veneciane, Bastioni iliro-helen në themelet e Pallatit “Fly” dhe segmenti i murit rrethues lidhës midis tyre përbën monument kulture të kategorisë së lartë, si pjesë e fortifikimit të qytetit. Në bazë të kritereve të Kartës së Restaurimit për monumente të kësaj kategorie, distanca deri në 50 m në jug të këtij muri (rruga automobilistike) përcakton kufirin mbyllës të Zonës Arkeologjike A. Këto orientime të mbrojtjes së monumentit të kulturës, të cilat janë në themel të kritereve të Kartës së Restaurimit të Venecies (1961) - ju kujtoj se Shqipëria u bë anëtar i saj qysh në atë kohë – kanë qenë edhe kriteret që janë zbatuar përveç të tjerave edhe në hartimin e Zonifikimit të potencialit arkeologjik të nëntokës së Durrësit. (Autori i këtij shkrimi është vetë një veprimtar si specialist dhe drejtues i zbatimit të këtyre kritereve në vitet 1972-1990). Pra, meqenëse dy këmbët veriore të Velës ngulen në zonën A arkeologjike, ndërtimi i saj duhet ligjërisht të spostohet. Fakti që deri më sot KKRja nuk është “përzjerë” fare në një vendim të detyruar ligjor nga ana e saj, është një shpërdorim flagrant i ushtrimit të kompetencave nga ana e Ministrisë së Kulturës. Është e nevojshme të dëgjojmë njëherazi, pse operohet me këto vegla dhe jo me ato që kërkon salla e operacionit? Titullari i Ministrisë së Kulturës duhet të mësohet të zbatojë këto rregulla dhe ligje. Në se nuk mëson duhet larguar nga ushtrimi i detyrës. Për mendimin tim kupa po derdhet në kuptimin e dëmeve që po shkakton. Mbi projektin Vela fryn erë prepotence shkeljesh shtetërore.
2. Çfarë presin arkeologët të dalë nga gërmimet në hapësirën Vela të Durrësit?
Në hapësirën ku po ndërtohet “Vela” - midis Torres Veneciane dhe Pallatit “Fly” dhe në anën e jashtme (jugore) të murit rrethues historik të qytetit nuk është kryer asnjëherë gërmim arkeologjik, megjithëse aty janë ndërtuar pallate të reja. Njëri prej tyre është edhe Pallati “Fly” i ndërtuar në kohën kur drejtori i Institutut të Monumenteve të Kulturës ka qenë zoti Artan Shkreli, zëvendës ministër i Ministrisë së Kulturës zoti Artan Lame dhe përgjegjësja e Zyrës Urbanistike të Durrësit ka qenë zonja Lida Miraj. Sipas revistës Candavia (Gërmime arkeologjike Durrës) në vitet 2001-2003 në sheshin e ndërtimit të Pallatit Fly plotësisht në Zonën Arkeologjike A është kryer një gërmim arkeologjik nga arkeologët Afrim Hoti, Eduard Shehi, E.Metalla. Për kuriozitet, gërmimi nuk është kryer në të gjithë gropën e ndërtimit të pallatit (!), por vetëm në një sipërfaqe të kufizuar nga ana e brendshme (veriore) e saj. Më se dy të tretat e sipërfaqes së këtij sheshi në anën e jashtme (veriore) të murit rrethues, e cila është edhe ajo Zonë Arkeologjike A, dokumentacioni mungon në mënyrë absolute. Nuk quhet kjo një masakër arkeologjike? Institucionet tona ministrore dhe shkencore nuk e quajnë të tillë, por dikush do ta çojë një ditë me bindje dhe ndërgjegje në dyert e prokurorisë.
Kështu deri më sot për hapësirën në fjalë nuk kemi të dhëna dokumentare të nxjerra nga gërmimet in situ. Në vëllimin e parë të librit tonë Dyrrahu ilir të dalë nga botimi një vit më parë në gjermanisht (Illyrisches Dyrrah, Grabung Lulishtja 1 Maj, me përmbledhje anglisht e shqip, shtypur në Leipzig) kemi arritur në përfundimin, se hapësira ku sot po ngrihet “Vela”i takon ansamblit të Hyrjes jugore historike të qytetit. Aty është vendi më i afërt me portin historik të Dyrrahut antik dhe të Durrësit mesjetar. Kjo hapësirë ka ofruar përherë segmentin më të afërt që e lidhte Portin me qytetin. Përfundimi ynë se aty ka qenë Hyrja e Lashtë Dyrrahut nga ana e portit nuk vjen vetëm nga logjika e topografisë urbane, por edhe nga burimet e shkruara dokumentare dhe bibliografike, të cilat janë analizuar me hollësi në botimin e përmendur.
Ndërkohë prej gërmimeve për hapjen e gropës së themelit të këmbës verilindore të Velës, kemi parë të dalë në dritë një mur me gjerësi rreth 2,80 m, të cilën e çmoj nga distanca si segment i një strukture fortifikimi. Teknika e faqes së jashtme të tij është në Durrës karakteristikë e shek. 13-14 (fugat e gjëra midis gurëve i japin sipas nesh kohës së ndërtimit të këtij muri shekullin 15 si ante quem). Kjo strukturë murore nuk datohet kurrsesi në mes të shek. 19 apo në shek. 19 siç mendon drejtori i Institutit Arkeologjik zoti Përzhita bashkë me kolegun e tij zotin Shehi. Rrjeta e mureve standarde të banesës që i mbështeten këtij muri fortifikimi përmes fugave të dallueshme ndërtimore, nuk duhet unifikuar si ndërtim i një kohe. Ka qenë e zakonshme në periudhën osmane, kur mbi strukturat fortifikuese të rrënuara apo jashtë funksionit qytetarët mbështesnin apo mbivinin banesat e tyre. Kujt i takon ky mur?
Siç dihet, pas tërmetit të madh të vitit 1273, i cili shkaktoi rrënime të mëdha të murit rrethues të Durrësit (asokohe kryeqendra e Mbretërisë së Vendit të Albanëve), zotëruesit e tij anzhuinët bashkë me aristokracinë iliro-shqiptare (arbër, familja Thopiaj) ndërmorën shumë riparime dhe rindërtime, të cilat pasqyrohen në burimet e shkruara midis viteve 1274 dhe 1284 (burimet origjinale cituar edhe nga Šufflay, Ducellier, etj.). Nga kjo kohë përmenden ndërhyrje ndërtimore të fortifikimeve të qytetit, të cilat rrallë japin mundësi të pozicionohen topografikisht. Kështu përshembull në vitin 1280 përmendet një Kryekullë (turris magistra), një kullë vëzhgimi (donzhon) me një çisternë. Përmendet gjithashtu dhe një kullë me një kapelë (turris ubi est capella, Acta et Diplomata I, 410), e cila nën shembullin urban të kohës kapela duhet të ketë qenë brenda hapësirës së kullës. Interesant është se kjo e fundit përmendet në vitin 1399 nga një burim venecian, se shërbente si mbrojtëse e kapelës së Shën Ilisë brenda saj, që ishte në vetvete shenjti mbrojtës i Durrësit të asaj kohe (turris S. Eliae, Acta et Diplomata II, 616). Në vitin 1440 u quajt gati i gjithë qyteti si Kështjella e Shën Ilisë (Castellum S. Eliae). Kulla e madhe në perëndim të qytetit, e cila me tërmetin e 1273 po ashtu ishte rrëzuar, duket se nuk u rindërtua më. Në vend të saj në fund të shek. 13 u ngrit një kullë rrethore e madhe dhe e fortë pranë detit, e vendosur në anë të mureve fortifikuese të qytetit, e cila rezulton të jetë në vendin e Torres së sotme Veneciane.
Më tej burimet veneciane përmendin në mënyrë të përsëritur dy kështjella në Durrës, përshembull njërën më 1387 (“... terram Durachii cum castris ...”) dhe tjetrën më 1396 (“Pro reparatione amborum castrorum Durachii expendantur ducati 400.”). Ato dallohen nga njëra tjetra, njëra si kështjella e sipërme (castrum principale, castrum superius, castello de supra), tjetra si Kullë e poshtme (1392 turris inferior) apo si një kështjellë në afërsi të Portit (1402 “... castri superioris et castri inferioris a portu …“). Këto përmendje kanë ngacmuar interpretime të ndryshme nga studiues dhe hulumtues në literaturë. Ne kemi ardhur kështu në përfundimin se mbetjet e murit fortifikues me gjerësi 2,8 m të dala në dritë nga gërmimi lidhen me Kështjellën e Poshtme pranë Portit /Kullën mbrojtëse të kapelës së Shën Ilisë e datuar ante quem në vitin 1280, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në mobilizimin shpirtëror të banorëve të qytetit të Durrësit në mbrojtje të qytetit të tyre në shek. 13-15. Pikërisht porta e kësaj Hyrjeje të qytetit, quhej Porta e Detit apo nga të huajt si Porta Yali prej kapelës së Shën Ilisë. Kështjellën e Poshtme/Kullën e kapelës së Shën Ilisë mund ta shohim edhe në planin e paraqitur nga Heuzey (1876). Mbi këtë mur fortifikimi është ngritur në Kohën e Ré ndërtesa e guvernatorit osman të qytetit (“Konaku i Durrësit”) e cila së fundi u rikonstruktua 1914 për Pallatin e Princ Wied-it. Besoj se me këtë informacion të nxjerrë nga volumi i dytë i librit “Dyrrahu ilir (Illyrisches Dyrrah) që është tashmë përgatitur për tu botuar ne fund të këtij viti, i kemi shërbyer ruajtjes së rrënojave të dala në hapësirën e ndërtimit të Skulpturës Vela prej betoni, domethënë kujdesit që duhet të këtë Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe Instituti Arkeologjik pranë Qendrës Akademike të Albanologjisë për vendimmarrjen në zbatim të ligjit dhe të interesit të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Kaq për këtë radhe!
***
Së fundi duke parë zhvillimin tekniko-organizativ të projektit Vela, shoh disa probleme që nuk do të sjellin sukses as në konceptin ligjor financiar, as në ciklin kohor për realizimin arkeologjiko-ndërtimor të projektit dhe as në rezultatet shkencore të gërmimit arkeologjik. Së pari, nga pikëpamja ligjore financiare kjo veprimtari ndërtuese-gërmuese e këtij projekti ka statusin e një gërmimi shpëtimi dhe në bazë të ligjit nuk i takon absolutisht të kryhet nga një institucion kërkimor shkencor, veçse nga një shoqëri (firmë) private të licencuar për gërmime dhe dokumentime arkeologjike. Rrjedhimisht nuk e kuptoj, se me çfarë të drejte ka firmosur Institucioni shtetëror i Arkeologjisë një kontratë financiare me një investitor si Bashkia e Durrësit dhe njëkohësisht me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik pranë Ministrisë së Kulturës, kur në të njëjtën kohë punonjësit e Institutit Arkeologjik marrin rroga për të realizuar një punë të planifikuar shkencore nga Akademia e tyre, për të cilën justifikojnë ekzistencën e tyre! Pse i duan këto pará të investitorit për t’i futur plus në xhepa? Ku do t’i çojnë ato? A nuk është kjo një shkelje për t’u denoncuar?
Së dyti, problemi më i madh që shohim aktualisht me ndërhyrjen “Vela” është puna tejet e dobët e institucioneve vendimmarrëse dhe kontrolluese të Ministrisë së Kulturës dhe ngathtësia profesionale e Institutit Arkeologjik për të kryer me kualitet shkencor dhe me shpejtësinë që kërkon gërmimi arkeologjik i shpëtimit i paguar nga investitori (në këtë rast Bashkia e Durrësit). U bënë gati tre muaj që Instituti arkeologjik ka marrë në përgjegjësi zyrtarisht vendimin e KKAsë për kryejen e gërmimeve arkeologjike në hapsirën Vela dhe ka avancuar vetëm jo më shumë se tre ditë pune, në krahasim me ritmin e punës që do të kryente një shoqëri e licensuar në arkeologji. Dëshiroj të kujtoj pa as më të voglën ambicie profesionale, aq më pak financiare dhe shumë më pak politike, se Instituti Arkeologjik nuk posedon më asnjë arkeolog të mjediseve urbane qytetare as të lashtësisë, as të antikitetit, as të mesjetës dhe aq më pak të periudhës osmane dhe kurrfarë të Kohës së Ré. Arkeologjia ndërtimore urbane e qyteteve të mëdha antike e mesjetare është një shkencë e ré edhe në vendet e përparuara të Europës, e jo më në Shqipëri. Arkeologët, restauratorët dhe institucionet tona të kësaj lëme kanë një çerek shekulli që kanë dështuar në pasurinë arkeologjike të nëntokës së Durrësit në përleshje me boom-in ndërtimor, qoftë nga pikëpamja e aftësisë teorike e praktike ligjore, qoftë nga pikëpamja profesionale e nxjerrjes në dritë të pasurisë arkeologjike, të dokumentimit apo të ruajtjes dhe mbrojtjes së pasurisë së mbitokës –monumenteve të kulturës. Do dështojnë me siguri edhe te projekti në fjalë.
Çfarë kapacitetesh financiare, logjistike, profesionale, ekonomike, teknike, organizative, etj. ka një institut kërkimor-shkencor sot në këtë Republikë që të përballojë një gërmim arkeologjik shpëtimi, i cili duhet të realizohet minimumi dhjetë herë më shpejt, se një gërmim mësimor shkencor për të kualifikuar studentët. Pyetja ime është, pse ia beson Ministria e Kulturës dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik këtë punë Institutit Arkeologjik? Për të marrë pará? Po si do të marrin të drejtën ligjore për të deklaruar paratë pranë Zyrës së Tatimeve nga kjo veprimtari, sepse kështu Instituti Arkeologjik po bën një punë private për një të Tretë, ç’ka është e ndaluar me ligj?
Së treti, që të zbulosh ato që thamë më sipër duhet që arkeologët të krijojnë kushte për të arritur me zbulimet e tyre deri në 4,5 metra thellësi nga sipërfaqja e sotme. Por asnjë arkeolog i Institutit të Arkeologjisë nuk ka mundur të hyjë deri në këto thellësira në Durrës, por i ka braktisur 100 sheshe ndërtimi deri në 2,5 m thellësi, sapo është shfaqur uji nëntokësor. Që të gërmosh në 4,5-5,o m thellësi në Durrës duhet të realizosh më parë një sistem pengues të ujit nëntokësor dhe burimor, që të dyja të ndalohen nga një pritë dhe të mos e mbysin substancën arkeologjike të zbuluar. Nuk ka kuptim të gërmosh, të zbulosh një monument kur nuk je në gjendje ta ruash dhe ta mbrosh atë nga dëmtuesit natyrore. Një mur kalaje i zbuluar kërkon mirëmbajtje, konservime, konsolidime deri edhe restaurime që të mbijetojë. Ka Ministria e Kulturës sot këto mundësi, këtë kulturë pune, këtë mënyrë profesionale të menduari?! Lëreni të qetë murin rrethues të qytetit aty ku është. Nipërit dhe mbesat e qytetarëve durrsakë do të jenë më të ditur, më të pasur, më patriotë, do kenë dëshirë të vishen me identitet kombëtar shumë-shumë më tepër se né sot. Lerjani atyre t’i bëjnë këto punë. Ne na takon të ndërtojmë vetëm skulptura me vela dhe anije skulptorike futuriste aty ku nuk dhunojmë trashëgiminë. Kaq!
“shqiptarja.com”
Comments
Nje histori e vertete: gjate
Nje histori e vertete: gjate hapjes se themeleve (2014-1015) te nje pallati aty prane stacionit te autobuzave, pallat i cili i perkiste dhe i perket kryetarit te bashkise se Durresit, punetoret e ndertimit zbuluan objekte te lashtesise. Ne baze te ligjit, ne keto raste nderpriten punimet derisa ekipi arkeologjik te beje zbulimin e plote te objekteve te lashtesise. Mirpo, me urdher te ketij kryetari, njekohesisht edhe pronari pallatesh (!), objektet e lashtesise u mbuluan perseri dhe punimet e pallatit vazhduan!!! Cfare mund te presesh nga keta njerez dhe ky vend?!?
Add new comment