Kumuria e Rrugës së Elbasanit
Shumëkush e cilësoi si tërmet atë që ndodhi me Ylli Manjanin. Për mendimin tim, intervista agresive ndaj qeverisë në “Top Channel” e Ministrit të Drejtësisë, ishte prova më e fundit e Ilir Metës për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Pra ishte një tërmet i krijuar me dashje (kundër Saimir Tahirit) për të provuar rezistencën e koalicionit. Sizmiologët shpjegojnë, se, kur lëkundja e tokës është dukuri natyrore, njeh dy faza. Tërmetin kryesor dhe pas-tërmetet që vijnë duke u shuar. Për lëkundje para-tërmet nuk kemi dëgjuar. Patjetër ato ekzistojnë, por njerëzit nuk i kuptojnë. Thonë, se, në çastet e fundit, ato i parandjejnë vetëm minjtë. Por, gjithsesi, për t’u ruajtur nga katastrofat e shembjeve që shkaktojnë tërmetet, njerëzit e mençur, para se të ndërtojnë, bëjnë studimin e strukturës së tokës. Pra, për të provuar se sa mban trualli, kryejnë testin e fortësisë së tij. Kjo realizohet duke shkaktuar vetë artificialisht disa mikrotërmete. Shpohet një vrimë në thellësi të tokës dhe plaset një sasi dinamiti. Me anë të një mjeti të veçantë regjistrohen amplitudat e dridhjeve dhe nga rezultati që del, përcaktohet pastaj edhe lartësia e lejuar e ndërtesës. Për trojet kështu. Ndërsa për njerëzit, testit të rezistencës ndaj korrupsionit, amerikanët i thonë vetting...
Pikërisht, me këto lëkundje të këtij test-tërmeti dhe jo me tërmetin natyral ngjan episodi me Ylli Manjanin. Ilir Meta dhe të tijtë (në të njëjtën mënyrë si Basha dhe Berisha) kanë kohë që goditjet i kanë përqendruar tek Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Pas votimit të detyruar të ligjit të Vettingut, ata kanë pasur më shumë kohë për ta bërë hapur këtë. Pa u lodhur, ata “kompesojnë” akuzat e munguara të ndonjë ndërkombëtari të rëndësishëm për “kanabizimin” e Shqipërisë. Është e çuditshme gjithashtu, se si në Uashington nuk del kush “të ketë kurajo”, por gjejnë gjithmonë një të tretë për t’u marrë vesh me Saimir Tahirin?! Edhe për Klement Balilin po kështu... Nuk harruan të “porositin” Ilir Metën?!.
Dikur, u përfol nën zë, se, aparatin përgjues që u gjet në zyrën e ministrit Tahiri tek godina e Gardës, e kishin vendosur njerëzit e LSI-së, por kjo, duket se “u harrua” që të provohej nga socialistët apo ndonjë tjetër që i udhëzon ata... Edhe nëse “harrojnë” ata, duket se është dikush tjetër që nuk harron për asnjë çast rëndësinë e numrave në Parlament. Deri para 21 korrikut të 2016-s ishte 93-shi numri magjik që shpërfillte konsensusin për Reformën në Drejtësi. Tani, e deri në qershor të 2017, mbetet 71-shi numri që çon në zgjedhje shqiptarët pasi të ketë filluar vetting-u. Prandaj, deklarata e Ilir Metës se: “Nëse kryeministri Rama konfirmon se i ka 71 mandate legjitime, LSI del në opozitë që tani” ishte e tepërt. Është e disata herë që Ilir Meta e thotë këtë gjë “me qetësinë dhe dashurinë” që e karakterizon.
E provoi dhe në verën e vitit që shkoi, se shantazhet e tij me numrin 71 nuk pinë ujë te ai që vendos. Të gjithë e pamë se ishte tjetërkush ai, që në mesnatën midis 21 dhe 22 korrikut, provoi se ka fuqinë që t’i rreshtojë të 140 deputetë e kusarë bashkë në rresht për të votuar ndëshkimin e tyre… Prandaj kam bindjen se Ilir Meta gabon kur kujton se numrat e tij që kushtëzojnë 71-shin është arma e tij e fuqishme. Numri “71”, për të cilin Edi Rama iu përgjigj në çast se e ka edhe pa LSI-në, është vetëm mbijetesa e të dy atyre deri më 18 qershor të 2017-s. Prandaj, deri para funksionimit më të thelluar të vetting-ut, nuk janë të besushëm as sondazhet për rezultatet e zgjedhjeve të qershorit…
Nuk mund të shantazhohet ai që vendos për këtë në politikën shqiptare. Ai as nuk mund të “testohet” me “tërmete” të stisura të tipit Manjani. Prandaj rezultati i gjithë këtij test-tërmeti, ishte vetëm dekonspirimi i emrit të Atij që vendos. Donald Lu është ende, edhe pas zgjedhjes së Donald Trump-it. Ai është ende, edhe pas bastit të humbur të Edi Ramës për zonjën Klinton, sepse interesat strategjike të Amerikës janë përtej simpative personale presindenciale. Adashi im nuk po tregohet hiç i zgjuar me këto test-tërmete të panevojshme. Problemi i shqiptarëve në Ballkan nuk është as Saimir Tahiri, as paaftësia e tij për të kapur katundarët që mbjellin ashash, as Klement Balili dhe. as dashnoret e ministrave që flenë në hotelin e tij… Ilir Meta e di mirë këtë. Edhe shqiptarët e kuptojnë se ata që ai përdor, si edhe ata që nxjerr nëpër studio televizive, nuk e justifikojnë dot atë… Ata vetëm sa dekonspirojnë situatën e tij të vështirë. Ndërsa Ylli i zverdhur, që dukej tmerrësisht i trembur, duke qarë më shumë hallin e Kryetarit se të vetin, na tregoi se: “Ilir Metës i këndojnë njëmijenjë kumuri mbi kokë”. Por të gjithë e dinë, se nuk janë njëmijenjë, por vetëm një “kumuri” ajo që “i këndon mbi krye këngën e vetting-ut” të gjithë të inkriminuarëve. Është “kumuria” tek Rruga e Elbasanit që këndon. “Kumuria”, që mes ca djelmoshash e vajzash nga Elbasani, me daulle, cyrle dhe fizarmonikë, me një këngëtar çam në të djathtë, duke mbajtur ritmin me ksistër në dorë, na përshëndeti në natën e ndërrimit të viteve me këngën “Ja na erdhi Viti i Ri”. Nuk ka kumuri të tjera. Ai është vetëm...
Comments
Nje shkrim që na qartëson të
Nje shkrim që na qartëson të gjithëve!
Add new comment