Votimi dixhital, PD-ja arrin kulmin e seriozitetit: Nxjerr në skenë Ekspertin dixhital
Partia Demokratike prej disa kohësh po kërkon votimin elektronik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duke këmbëngulur se kjo mënyrë shmang të gjitha manipulimet. A është serioze opozita në këtë kërkesë?
Ka disa shenja se jo.
Së pari investimi për këtë kërkesë ka pak javë, çka do të thotë se ky “argument” është nxjerrë nga xhepi në kohën kur dihet se ai është praktikisht i pamundur. Nëse PD-ja do të kishte vërtet synime për zgjedhjet dhe integritetin e tyre, do ta kërkonte këtë gjë menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2015, kur u dëmtua në disa zona nga blerja e votës. Por ajo nuk e bëri një gjë të tillë.
Së dyti, PD-ja ka ekspertë që kanë përvojë shumë të mirë me zgjedhjet, që e dinë shumë mirë se ku çalon sistemi dhe ku mund të ekspozohet ai ndaj manipulimit. Një nga rrjedhojat e përvojës me zgjedhjet është se asnjë sistem nuk ofron garanci të plotë, pasi asnjë sistem sigurie nuk është i pathyeshëm. Absolutizimi që po i bën PD-ja kësaj mënyre e dekonspiron seriozitetin që do të kishte një iniciativë e tillë.
Së treti është trajtimi i këtij propozimi si ankand lëkurësh në pazarin e (ish)gjësë së gjallë. Propozimi për votimin elektronik është në vetvete edhe një projekt teknik apo teknologjik. Aq më tepër që PD-ja kërkon dhe sugjeron që me këtë mënyrë do të kenë mundësi të votojnë edhe 1 200 000 votues emigrantë. Duke theksuar se synimet formale janë shumë të mira, do të duhet që kjo parti të paraqiste një maket – model, bashkë me demonstrimin, ta bënte atë publik, në mënyrë që të shtynte idenë se një gjë e tillë është e realizueshme. Kjo kërkon nga pas edhe një faturë, pra sa kushton ndërtimi i kësaj infrastrukture.
Sot PD-ja pretendon se me mënyrën e votimit elektronik do të aplikohet zgjidhja ideale mes dhënies së shenjave të gishtërinjve që mandej identifikon direkt votuesin duke përjashtuar mundësinë e dublikatës. Mirëpo, si një parti që ka lidhur konçesionin e dokumenteve të identifikimit, PD-ja e di shumë mirë se banka e të dhënave biometrike të shqiptarëve posedohet nga Aleati, që për të vënë në dispozicion një bazë të madhe të dhënash, patjetër që do të kërkojë para. Ky koncesion është ndër më të errëtit e këtij vendi dhe ka zëra që thonë se edhe për identifikimet kriminalistike, paguhet tek Aleati. Por këto janë të pakonfirmuara si lajme.
Në çdo rast, nuk ka ende sot që flasim, as në organin zyrtar të PD-së, “Rilindja Demokratike” një trajtim serioz të kësaj çështjeje. Kulmi pastaj arrin sot kur ish-kryeministri Sali Berisha e hedh diskutimin duke sjellë për mendim të specializuar “Ekspertin dixhital” që sqaron falas për shqiptarët teknologjinë për votimin dixhital dhe të mirat e saj.
Në fakt z. Berisha duhet ta dijë se shqiptarët, përfshirë ndjekësit e tij në Facebook, duhen marrë më seriozisht sesa kjo tallje 2 minutëshe e hapjes së inbox, copy – paste dhe postim. Përndryshe, legjenda e zgjedhjeve që do vidhen në paradhënie nuk bind njeri, pasi për të nuk është serioze as opozita që po kërkon me çdo kusht të na bindë qysh tani se atë do ta vjedhin.
Add new comment