Me konçesion edhe shërbimet portuale për ankorimin e anijeve
Qeveria do të japë edhe e shërbimet në porte me koncesion. Ky shërbim duhet të paguhet nga të gjithë bizneset të cilët kanë anije, tragete apo barka për të ankoruar në Port. Deri tani, ka patur vetëm një agjenci e cila kryesisht punonte në Portin e Durrësit dhe ndihmonte kompani të ndryshme detare për ankorimin e mjeteve në det. Burime për Televizionin Klan, thonë se kontrata e kësaj firme përfundon në muajin mars, ndaj është vendosur që ky shërbim t’i rijepet një operatori privat, por këtë herë për të gjithë portet detare të vendit.
Janë gjithsej 6 porte në Shqipëri, 4 shtetërore (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) dhe 2 privatë (Porto Romano dhe Petrolifera), të cilët kryejnë më shumë se gjysmën e shkëmbimeve tregtare të mallrave në vend. Volumi i ngarkim – shkarkimit në portet shtetërore është 3 milion ton, ndërsa numri i pasagjerëve që kalojnë aty 1.4 milion në vit. Në dokumentet e tenderit thuhet se fituese do të shpallet oferta më e mirë, por nuk përcaktohet sa do te jete tarifa që do të paguajnë bizneset apo qytetaret qe do ta marrin këtë shërbim.
Add new comment