Eda Zari dhe Entropy/ Aty ku Bizanti takon Jazz-in

Postuar në 28 Dhjetor, 2016 09:57
Mikaela Minga

Ka qenë fillimi i vitit 2014, kur Eda Zari më foli për idenë e një albumi të ri, frymëzuar nga muzika bizantine. Në fakt, nuk është fjala thjesht për ‘muzikë’, se sa për një kant liturgjik, i cili i përket traditës shpirtërore të krishtërimit lindor. Ky kant zë fill me ardhjen në pushtet të Kostandinit të Madh dhe krijimin e perandorisë romake të lindjes, me qendër Kostandinopojën. Sot praktikohet në variante lokale dhe gjuhë të ndryshme në komunitetet fetare respektive: në Ballkan, në Evropën Lindore, Itali, Turqi, Lindjen e Mesme, Egjipt, Etiopi, Indinë e Jugut. Është një botë e përveçme, ndonëse me afinitete nga tradita të tjera kristiane, islame, hebraike, budiste, e hinduiste. Në dhënien zë të Fjalës së shenjtë, kjo muzikë – edhe brenda kornizës celebrative të ritit – ka “magjinë” e vet tingullore, që në situata të caktuara arrin të emetojë një vokalitet joshës, me një bukuri sublime. Ky potencial vokal ka qenë ndoshta nxitja fillestare e Eda Zarit, për ta materializuar idenë e saj  në një projekt artistik të guximshëm dhe unik në llojin e vet. Pas rreth dy vjetësh rrugëtimi nga biseda paraprake me të, kam në dorë Entropy (Entropi), albumi i ri, publikuar nga shtëpia diskografike Enja Records dhe shpërndarë në tregun shqiptar përmes rrjetit të librarive Adrion Ltd dhe Hemingway Fun Club Tirana. 

Te ky album, kanti liturgjik bizantin takon jazz-in, falë veprimit transformues të entropisë: “Entropy: Where Byzantium meets Jazz”. Ky është, përmbledhtas, kumti estetik me të cilin prezantohet albumi, shoqëruar me vargjet sugjestionuese të William B. Yeats, “Duke lundruar për Bizant”. Dhe në fakt, Zari është frymëzuar pikërisht nga tradita bizantine e Kostandinopojës me variantet lokale dhe individuale që frymojnë aktualisht brenda saj. Sidoqoftë, fokusi primar i artistes mbetet Shqipëria me praktikat e saj ( Theofan S. Noli (përkthyer e përshtatur), Kremtore e Kishës Ortodokse, 1947; Theofan S. Noli (përkthyer e përshtatur), Triodi dhe Pesëdhjetorja, 1947; Theodhor Peci (përshtatur, kompozuar), Anastasimatari, 2015).  Ajo ka përzgjedhur tropare dhe himne që interpretohen në gjuhën shqipe, duke bashkëpunuar në disa prej tyre me Korin e Psaltëve “Joan Kukuzeli”, të katedrales ortodokse në Tiranë dhe protopsalltin Theodhor Peci. Tekstet janë marrë nga përshtatjet e Fan Nolit. Në album gjejmë troparet dhe lutjet më të njohura në traditën shpirtërore të krishtërimit lindor, siç janë Kyrie Eleison (Mëshiro o Zot) dhe Krishti u ngjall  –  të trajtuara me një larmi timbresh instrumentale dhe improvizimesh solo, që i bashkëngjiten vokalit në një marrie e dhënie tepër evokative e transparente njëherësh.

Gjashtë himne të shkëputura nga shërbesat e ndryshme liturgjike plotësojnë korpusin e albumit. Këto himne janë ndër më pikantet dhe krijojnë një denduri emocionale që shkon nga vajtimi, adhurimi, himnizimi, por edhe situatat me kontraste e kundërvënie të brendshme. Do veçoja O bukuri me nam, Eni shihni, dhe sidomos Lavirja dhe Zoti është bashkë me ne. Te këto të fundit, për mendimin tim, pikat kulmore të gjithë albumit, arrihet një climax absolut, rezultat i kësaj energjie krijuese melo-ritmike. Kjo energji i rrëzon kufijtë ndarës mes formulave strikte muzikore dhe abstragimit e improvizimit; mes zërit dhe instrumenteve; mes fjalës së adhuruar dhe muzikës, dhe më në fund, mes bizantit dhe jazz-it (megjithëse thellë-thellë ndërmjetësojnë gjithashtu jehonat e rilindjes muzikore, barokut evropian, si dhe universalizmi i një zhanri si ai i muzikës së dhomës – chamber music).

Kjo energji vihet në lëvizje nga melodibërësja, Eda Zari. Nën një petk të tillë, kaq thelbësor për artin psalltik bizantin, ajo krijon laboratorin e vet. Duke përbrendësuar logjikën poetiko-muzikore të këtij arti, ajo injekton në të njëjtën kohë përvojën e saj artistike, ku rezonojnë vokalitetet tradicionale të Shqipërisë, sidomos ato të polifonisë së jugut, një vokalitet blues, shumë fin dhe arti klasik lirik. Muzika merr një rëndësi të barabartë me fjalën, ndërsa njëzërëshi (monodia) e kantit “dorëzohet” natyrshëm mbi shumëzërëshin me iso (polifoninë). Këto janë dy tiparet më të veçanta të Entropy-së. Bëhet fjalë për  përplasje dhe pajtim të papajtueshmeve. Muzika te kanti bizantin i shërben fjalës, kurse jazz-i nuk ka nevojë për fjalën. Dhe ndodh që jazz-i bëhet instrument i fjalës, ndërsa muzika, shkëputet dhe fiton valencë estetike e koncertale. Është kjo një formë dekonstruktivizmi, e cila më sjell ndërmend fjalët kuptimplota të troparit të Krishtlindjeve “edhe dheu i blaton të Paafruarit shpellën”.

Ndërkohë, udhëtarët që i janë bashkuar pelegrinazhit të saj janë figura të njohura të skenës jazz dhe avangardë sot në botë. Ibrahim Maalouf-i me trompën në çerek-ton; janë ritmet e Rhani Krija-s, finesa tingullore e Hayden Chisholm-it dhe Ditmar Fuhr-it. Ndërsa, produksioni muzikor dhe aranzhimet e materialeve mbajnë firmën e Florian Weber, kompozitor, pianist i afirmuar për stilin e tij të përveçëm midis jazz-it, muzikës avangardë dhe asaj klasike, fitues ndër të tjera i çmimit prestigjioz Echo Jazz Aëard. Aranzhimet e Weber-it janë një humus shumë i gjetur tingullor,  timbrik e ritmik për këtë kant. Ato kanë një qasje ekspresioniste dhe minimaliste njëherësh, që zbulohet nëpërmjet temave e motiveve të kursyera, harmonive transparente, larmisë ritmike (ku nuk mund të mungonte edhe 7/8-i tipik i muzikës sonë) dhe “prekjes”  origjinale që Weber ka kur luan në piano.

Marrja në shqyrtim e këtyre detajeve ka rëndësi për të kuptuar risinë dhe guximin e këtij albumi. Risi në shprishjen e kodeve qindravjeçare të kantit të traditës dhe guxim për të marrë përsipër “rrezikun” e mospërputhjes me pritshmëritë e publikut të gjerë apo të ngushtë; me rënien ndesh me bindjet fetare të dikujt, apo edhe me vetë pikëpamjet e “ruajtësve” dhe promovuesve të kësaj trashëgime aktualisht. Nga kjo pikëpamje, Entropy mund të cilësohet si një “concept album”, pra një album i cili përshkohet nga një koncept unik (entropia) që lidh të gjitha materialet  në një  mjedis të përbashkët. Te ky album mbivendosen një sërë shtresëzimesh muzikore, por edhe kulturore, të cilat mendoj se do të zbulohen në mënyrë graduale qoftë nga dëgjuesi perëndimor, i pajisur me një përvojë të caktuar dëgjimi por pak i njohur me këtë kulturë; qoftë nga ai shqiptar, tek i cili një traditë shpirtërore si ajo kantit bizantin është thuajse fare e panjohur për të mos thënë e zhytur në mite paragjykuese. Gjithsesi, do të doja të zbuloja këtu njërën prej këtyre shtresëzimeve. Në mënyrë të ndërgjegjshme ose jo, Entropy referon idenë e “tjetrit” që vetë Perëndimi e fabrikoi gjatë kolonializmit  dhe që u bë mbizotëruese. Kjo “tjetër” (jo-evropiane, bizantine, femërore) vjen te Entropy me një energji krijuese të veçantë.

Pra, Entropy është një përvojë tingullore, rëndësia e së cilës nuk qëndron vetëm te emocioni dhe forca narrative, por edhe te potenciali për t’u përballur me to. Falë  kësaj përballjeje, mund të kuptojmë se çka është në gjendje të mbijetojë në muzikë nga e shkuara; çka është në gjendje të rezistojë dhe duke rezistuar, të turbullojë, të provokojë, të ngrejë pyetje në të tashmen dhe unitetin e rrejshëm të saj. Entropy, më në fund,  është një përvojë dëgjimi, e cila duke lundruar drejt Bizantit, na sjell afër muzikës dhe vlerës së pamatshme që ajo ka në ekzistencën tonë.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.