Kryeministri në rolin e Santa Claus
Kjo e sotmja është një opozitë sipërfaqësore, e dhënë pas temave të lehta, pas show-t, jo tek thelbi i gjërave. Shpesh herë duket si një komisariat policie që monitoron kanabisin dhe çdo kronikë të zezë, duke iu larguar për herë e më larg ekonomisë dhe financave. Është e pakuptueshme se si miratohet nga qeveria ndryshimi i buxhetit me akt normativ, vetëm disa ditë para mbylljes së vitit, pa pasur asnjë kundërshtim apo reagim serioz. Asnjë analizë nga opozita mbi ligjshmërinë apo mbi shifrat konkrete.
Së pari, mund të diskutohej nëse kishte apo jo ndonjë urgjencë që e bënte të domosdoshme ndryshimin e buxhetit. Do të thoshim se buxheti u ndryshua në funksion të axhendës ditore. Shpërblimet e fundvitit për pensionistët dhe shtresat në nevojë nuk janë urgjencë, prandaj duhej të planifikoheshin në buxhet qysh në fillim të vitit. Për më tepër, shpërblimet e Vitit të Ri, po të shohësh shifrat e aktit normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit, janë vetëm maja e aisbergut të lëvizjeve brenda financave në fund të vitit 2016, në funksion të buxhetit elektoral 2017.
Le të shohim me radhë ndryshimet:
- Në skemën e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, transferta për rritjen e pensioneve nga buxheti bëhet 635 milionë lekë; por ishte ishte 1 112 milionë lekë; Pse është përgjysmuar? Përgjigja gjendet tek një shifër tjetër: Shtohet zëri i ri, transferta për shpërblimin e pensionistëve prej 3 636 milionë lekë. Pra, paratë për rritjen e pensioneve kalojnë në këtë fond. Por, duhet akoma lekë për të mbushur thesin e Santa Claus.
Në skemën e sigurimit suplementar , transferimet nga Buxheti i Shtetit ishin 4 333 milionë lekë, por ulen në 4 238 milionë lekë; Po në këtë skemë, fondi për rritjen e pensioneve ulet në 35 milionë lekë, ndërkohë që ishte 58 milionë lekë. Ndërkaq, shtohet zëri “transfertë për shpërblimin e pensionistëve 114 milionë lekë”. Në buxhetin e sigurimeve shëndetësore për vitin 2016, shpenzimet bëhen 35 794 milionë lekë, por ishin 36 244 milionë lekë. Qeveria është detyruar të ulë edhe huadhënien për energjinë, që mbulon garancitë shtetërore për huat e marra nga KESH dhe OSHEE në vite, tek bankat private. Kështu, huadhënia për energjinë bëhet 3 000 milionë lekë, nga 5 000 milionë lekë, që ishte planifikuar në ligjin buxhetor 2016.
Po ashtu, me këtë akt normativ vendoset që transferta specifike sipas funksioneve të pushtetit vendor, e papërdorur gjatë vitit buxhetor, trashëgohet në vitin buxhetor 2017. Por, ky akt normativ, ka një lëvizje pozitive, që i jep mundësi qeverisë të risë shpenzimet në fillim të vitit të 2017, në prag të zgjedhjeve. Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të borxhit të shtetit dhe atij të garantuar të shtetit, në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2016, është ulur në 36 730 milionë lekë, nga 38 031 milionë lekë që ishte planifikuar.
Cili zë i borxhit është ulur? Për huamarrjen e brendshme vjetore kufiri ulet deri në 16 997 milionë lekë, nga 20 979 milionë lekë, që ishte në plan (pra janë bono thesari që nuk janë shitur në treg). Fondi “Për huamarrjen neto për financimin e projekteve të huaja” ishte - 548 milionë lekë dhe bëhet -4967 milionë lekë. Për mbështetjen e huaj buxhetore nga institucionet ndërkombëtare dhe nga burime të tjera, fondi bëhet 21 100 milionë lekë, ndërkohë që ishte 14 000 milionë lekë. Megjithëse në tabelën e të ardhurave nuk ka asnjë ndryshim, kryeministri Rama ia ka dalë që me këto manovra të realizojë axhendën e tij politike, duke përmirësuar perceptimin e një pjese të popullsisë ndaj qeverisë, të paktën për Vitin e Ri.
Manovrat e kryera, duke shtyrë për në pranverë rritjen e pensioneve dhe duke shkurtuar fondin e garancive, apo duke hequr ca para nga fondet e pushtetit vendor, kanë krijuar buxhetin modest të shpërblimeve të Vitit të Ri. Në fund, kryeministri Rama merr notën 10 si xhongler në spektaklin e fundvitit, ndërsa opozita mbetet e “habitur”. Këto të vërteta shihen nga të gjithë, por jo nga ekspertët e PD-së, ndoshta sepse, kur ishin vetë ministra, e ndryshonin në të njëjtën mënyrë buxhetin (me akte normative), sa herë që ua kërkonte nevoja e ditës.
"TemaTv"
Add new comment