Të zhdukurit e regjimit komunist, OKB: Shqipëria pa një memorial
Zyrtarët e OKB-së u kanë bënë thirrje autoriteteve shqiptare që të japin më shumë para për kompensimin e 6 000 familjeve, të afërmit e të cilëve u vranë dhe u zhdukën gjatë regjimit komunist. Siç raporton Associated Press, Znj Houria Es-SLAMI në cilësinë e kreut të Grupit të Punës së Kombeve të Bashkuara mbi Zhdukjet përfundoi javën e dytë të dhjetorit një vizitë Tiranë. "Të gjitha të zhdukurit me dhunë- tha ajo- dhe të afërmit e tyre kanë të drejtë për kthimin e plotë, kompensimin dhe rehabilitimin nga padrejtësitë e regjimit të kaluar”
Gjatë regjimit komunist u vranë rreth 6 000 njerëz, u burgosën 34 000 dhe më shumë se 50 000 u internuan. "Asnjë nga rastet e zhdukjeve të atyre viteve nuk ka arritur gjykatat shqiptare"- thotë raporti i OKB-së. Kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së iniciativës nga ana e prokurorëve, injoranca e të afërmve për të apeluar në gjykatë, dhe mosbesimi te institucionet ligjore.
Zyrtarët e OKB-së thanë se Shqipëria, e cila ka ratifikuar një konventë ndërkombëtare të zhdukjeve në vitin 2007, duhet të ketë një qasje më gjithëpërfshirëse për të mos u mohuar viktimave dhe familjeve të të drejtën e rehabilitimit të së vërtetës dhe rivendosjes së drejtësisë.
Asnjë nga qeveritë post-komuniste të Shqipërisë nuk ka financuar ngritjen e një memoriali përkujtimor për të zhdukurit, pavarësisht nga numër i madh i kampeve të punës, burgjeve dhe të paktën 29 vendeve të dyshuara për varrimin e tyre. Vetëm muajin e kaluar, qeveria ktheu në muze një ish-bunker për të treguar se si policia e epokës komuniste përndiqte kundërshtarët e regjimit.
Familjarët e viktimave duhet të kalojnë nëpër të paktën pesë institucione publike për dokumentacionin e kompensimit. Ekspertët e OKB-së kanë rekomanduar një "konsultim kombëtar publik për trashëgiminë e së kaluarës komuniste" dhe një qasje “one stop shop” për kompensimin.
Add new comment