Transformimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në hapësirë politike provokuese
Carlo Bollino – gazetar dhe kurator I përgjithshëm i Bunk’Art 2 – del sot në gazetën e tij, “shqiptarja.com” me një opinion titulluar: “Kush ka frikë nga Bunk'Art dhe nga kujtimi i krimeve komuniste”, përmes të cilit bën një mbrojtje të projektit, por edhe gjuan në distancë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Në parantezë duhet thënë se ky simetrizim artificial që vërehet shpesh kur për çdo kritikë apo akuzë, Berisha kërkon një socialist dhe e anasjellta, pra kur për çdo të keqe publike, dikush kërkon patjetër përgjegjësinë e Berishës që të bëjë kauzë, e bën artificial diskutimin. Pasi ka edhe njerëz që mendojnë pavarësisht këtyre.
Shënimi i Bollinos ka një farë interesi pasi ai përshkruhet nga një ton shantazhi, që është kultivuar bajagi mirë në Shqipëri. Ai e nis me një introduktë pak pompoze: “Të rrëfesh tmerret e komunizmit mbetet një punë jo e lehtë. U bënë mbi 20 vjet që përpiqem, po tani e kuptoj se jo vetëm që ka shumë ende për të rrëfyer, por mbi të gjitha, bllokada kulturore e përbërë nga paragjykime e tabu’ që pengojnë përhapjen e kësaj, është ende e fuqishme, e ushqyer jo aq nga zemërimi nostalgjik i komunistëve, se sa nga urrejtja e antikomunistëve…”, duke shtuar se puna për dossierin e komunizmit ka nisur me Dashnor Kaloçin në “Gazeta Shqiptare”. Diçka që ka vërtetësi.
Më tej, Bollino del te teza Berisha duke akuzuar hapur:
"Për mua, që vija nga një vend ku gazetat shkruanin vetëm gjëra lidhur me aktualitetin, ishte një surprizë e madhe të zbuloja që për Shqipërinë gjëja më aktuale për të rrëfyer ishte Historia. Po ato muaj nisën ndaj meje kundërshtimet e para të fuqishme nga ana e Sali Berishës dhe kalemxhinjve të tij (që nga viti 1993, doktori ka patur rreth vetes gjithnjë gazetarë-killer): për vite të tëra besova se gjithë kjo armiqësi ndaj meje vinte nga fakti se “Gazeta Shqiptare” në atë moment ishte e vetmja gazetë që në Shqipëri botonte lajme mbi kriminalitetin, temë tjetër kjo që rregullat e ngurta komuniste e kishin ndaluar për 45 vjet. Ndërsa sot arrij të kuptoj se Berisha nuk më urrente vetëm sepse kisha thyer tabunë e kronikës së zezë, por edhe pse shkoja të gërmoja nëpër arkiva për të rrëfyer tmerret e komunizmit. Kush e di se nga çfarë trembej se do të zbuloja…”.
Pas kësaj tirade për gazetarët Killer – për kë ta ketë fjalën botuesi në fjalë?! – Bollino vazhdon deri në fund me një apologji për Bunk’Art, sesi ai evidenton historinë në mënyrë korrekte, sesi ai është vazhdim i asaj pune të palodhur të kërkimit në arkiva që bëhej dikur me “Gazeta Shqiptare” , e sesi kritikët dhe analistët pranë Berishës – këta ish-gazetarë Killer – e sulmojnë veprën nga zilia, nga frika, por edhe nga marazi se Bollino e bashkë me të, Edi Rama, po u marrin kauzën e antikomunizmit.
Çështje të ndërlikuara këto të njerëzve që mendojnë në mënyrë ideologjike, ndonëse duhet thënë dhe kjo ka rëndësi, që ndërsa Bunk’art, 1 dhe 2, janë gjetje dhe mund të kthehen në pika referimi për Tiranën, ato janë edhe Biznes. Jo vetëm biznes në kuptimin financiar, por edhe biznes politik.
Dossieri për të cilin sot mburret Bollino, në fakt nuk ka bërë asgjë më shumë sesa – ndoshta padashur - ka shtuar mistifikimin e elitës komuniste, Sigurimit dhe sidomos të Enver Hoxhës, e cila sa më shumë shfaqet kriminale, aq më shumë amplifikohet si e aftë “për shumëçka”, në kushtet kur nuk ka një dënim të krimeve të komunizmit, nuk ka një pastrim. Dossieri për të cilin flet botuesi ka prodhuar tirazh të lartë dhe shitje të mirë të gazetës, duke ofruar fragmente policore e spiunazhi, dosje hetuesie që legjendonin një të shkuar që shfaqet si biografi e “burrave të shtetit” që ende veprojnë në Shqipëri.
Dossieri, në vend se të shërbente si apel për pastrim, evidentoi krimin në një kontekst thjesht të kuriozitetit dhe dëshirës për të “vrarë sekretin” në një shoqëri ku shteti dështon rregullisht. I dha pra rregull imagjinatës kolektive për një shtet që funksionon. Kjo është arsyeja pse lloj lloj veteranësh e heronjsh, magazinierësh e operatorësh, ish-nëpunës shfaqen e rishfaqen duke stërthënë të njëjtat gjëra e duke konservuar të njëjtin kujtim. Dhe është po kaq domethënëse që vetë Bollino, ka hequr dorë nga ky zhanër, për t’iu përkushtuar tanimë ekspozitave si Bunk’Art. Një aredim interesant që i shton krimin shqiptar komunist - zhytyr në një qeli – bunker - madhështisë së arkitekturës fashiste që identifikon Tiranën. Një profil province në shkallaret e artit të vetëm funksional të kryeqytetit shqiptar – godinave të ministrive, pagëzuar nga epoka musoliniane dhe veneruar nga të majtët e Edi Ramës. Estetikisht Bunk’Art 2 qëndron si metaforë, apo alegori e shqiptarit kriminel në Firencen e bukur të artit, ndaj të cilit ai vjen si shtojcë antropologjike, në mos si aksident.
Kjo shtojcë do marrë me kohën kuptimin e pjesëmarrjes, pjesëmarrje në histori, në qytetërim duke na bërë që edhe njehërë të “biem në dashuri” me imazhin tonë të mishëruar te krimi. Natyrisht të evidentosh të shkuarën është punë e mirë, por të evokosh ekskluzivisht krimin si atu të një shoqërie dhe të një sistemi, është në fakt diçka bizarre. Duhet pak më shumë kujdes, pasi ajo ora historike që po ndërtohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, edhe me ndihmën e veçantë të z. Bollino, nuk i qëndron shumë të vërtetës.
Një bulevard ku celebrohet jo antikomunizmi, por Komunizmi si shprehi kriminale shqiptare, krahas emfatizimit të figurave katolike që nisin me sheshin “Nënë Tereza”, vazhdojnë me bustin e Papa Françeskut, Këmbanën e paqes, të treja në zonën më rezidenciale, në raporte të mirëgjetura në hapësirë, e që "spostojnë" si teprica, bustin e Ismail Qemalit, të vëllezërve Frashëri dhe atë monumentin e Pavarësisë, të trija në MJEDISE ME AKTIVITET PRIVATE. Është një kontrast i vështirë për t’u përtypur edhe pse duhet ta pranojmë, vështirë se në Tiranë gjen dot një njeri aq të zgjuar sa Bollino.
Por ky aspekt duhet parë më me kujdes ndoshta, sidomos tani që sheshi “Skendërbej” e humbi kuptimin politik si shesh tubimi. Transformimi i sheshit në një mjedis tregëtar e hapësirë shlodhëse, e ripërmason rolin e bulevardit kryesor të Tiranës, një qytet që nuk është policentrik. Bulevardi shënon të gjitha momentet historike, por në vend të kultivimit të kujtesës, aty po provokohet identiteti politik, sa kohë që ne shqiptarëve na është mohuar njohja e historisë sonë të afërt. Pasi siç na thotë vetë Bollino, dosjet duhet t’i rrëmosh, pasi ato nuk hapen. Ndaj duhet - ç'të mbetet tjetër - shkuar në Bunk'Art nëse do të shijosh pak histori...
Add new comment