Matteo Renzi njofton dorëheqjen
Matteo Renzi ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e kryeministrit të Italisë. Siç kishte bërë të ditur për mediat, ai doli në një konferencë për shtyp dhe në dritën e rezultatit të referendumit për reformën kushtetuese, deklaroi largimin.
“Populli italian ka folur në mënyrë të qartë”, tha Renzi duke shtuar se reforma synonte ndryshimin e elitave në një vend ku siç u shpreh ai “politikanët janë përherë të njëjtët njerëz”.
“Nuk ia dolëm kështu që karrigia që bie është ajo e imja. Përvoja ime me qeverisjen përfundon këtu”, tha Renzi ndër të tjera.
Referendumi me këtë rezultat nënkupton zgjedhje të reja, prej nga ku do të vlerësohet kursi i Italisë edhe në raport me Bashkimin Europian. Ka muaj që flitet se vota për referendumin mund të kthehet në një episod të dytë si ai BREXIT, por kësaj radhe nga një vend që është themelues i BE-së dhe pa të cilin vështirë se Europa e Bashkuar mund të imagjinohet.
Add new comment