Çfarë fshehu qeveria/BE, Progres-Raporti 2016: Papunësia tek të rinjtë, në nivel rekord
Mazhoranca dhe opozita i kanë hapur njëra tjetrës një luftë retorike për të interpretuar në favor të tyre ato që i perceptojnë si “arritje të tyre” në raportet e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Vlen të theksohet se dështimet i takojnë politikanëve, kurse arritjet e Shqipërisë drejt rrugëtimit evropian janë falë atyre të rinjve dhe të rejave që nuk zhbëhen përparuar vështirësive të bashkëkohësisë por me guxim dhe vullnet përpiqen të jenë të suksesshëm dhe investojnë në ngritjen e tyre intelektuale, janë falë atyre prindërve që sakrifikojnë për të rritur dhe shkolluar fëmijët e tyre që të bëhen të zotët e vetës dhe rrjedhimisht të dobishëm për shoqërinë, dhe janë falë të gjithë atyre sipërmarrësve të ndershëm që ndërmarrin projekte të guximshme për të prodhuar punësim dhe sjellë zhvillim, duke i rezistuar “përlyerjeve” partiake dhe njëkohësisht dhe sulmeve politike që duan t’i falimentojnë.
Le t’i kthehemi kastës politike aktuale. Gjëja më minimale që mund të bëjnë në favor të integrimit evropian të Shqipërisë është të përkthejnë dhe të publikojnë në shqip Raportin 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian. Dhe më pas ta shpërndajnë nëpër faqet online të institucioneve dhe dikastereve. As kaq nuk kanë bërë! Por pse nuk e kanë bërë? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Ky raport nxjerr ne pah paaftësinë e kastës aktuale për të qeverisur. Gjithashtu nxjerr në pah edhe dështimin e qeverisë për të siguruar mirëqenie për qytetarët e vet.
Mungesa në sundimin e ligjit frenon investimet
Në Raportin e vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian thuhet se ka pasur rritje të përshpejtuar ekonomike. Kjo është pozitive. Dhe kjo është arritje e shqiptarëve të ndershëm, jo e politikanëve. Tani të shkojmë ke pjesa e dështimit të politikanëve. Po sipas këtij raporti thuhet që papunësia është e madhe si edhe borxhi publik vazhdon të jetë i lartë dhe nuk ka filluar të ulet; kreditë e këqija rëndojnë sektorin bankar; dhe më e keqja: mungesa në sundimin e ligjit frenon investimet. Ja pse nuk kanë interes forcat politike qeverisëse të publikojnë për qytetarët shqiptar dhe të zbërthejnë në mënyrë analitike Raportin e vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian
“Rritja ekonomike u përshpejtua dhe situata e tregut të punës u përmirësua, por papunësia është ende e lartë. Borxhi publik është i lartë dhe nuk ka filluar ende të ulet, ndërsa mospërmbushja e përsëritur e shpenzimeve qeveritar (investimet) vazhdon. Sektori financiar është i qëndrueshëm. Megjithatë, sektori bankar është i rënduar me kredi të këqija dhe kreditimit po rritet me ritme të ngadalta. Rregullat që lidhen me sipërmarrjen janë rënduese dhe mungesa në sundimin e ligjit vazhdon të frenojë investimet. Reforma në drejtësi, që është në proces, pritet të ketë një ndikim financiar në mjedisin e sipërmarrjes”, thuhet në faqen 5, të Raportit të vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian.
Papunësia e të rinjve në nivel rekord
Një qeveri quhet e suksesshme kur ndërmerr politika që lejojnë punësimin. Por siç u tha në raportin e Komisionit Evropian, mungesa në sundimin e ligjit frenon investimet. Duke frenuar investimet sipërmarrjet nuk zhvillohen. Duke mos pasur zhvillim të sipërmarrjeve, atëherë nuk ka krijim vendesh pune.
Shifrat e Raportit të vitit 2016 për Shqipërinë të Komisionit Evropian tregojnë se niveli i papunësisë në vitin 2015 (17.1%) ishte më i lartë se në vitin 2011 (14.0%). Këto janë shifrat e analizës së Komisionit Evropian. Një gjë tjetër që vihet re sipas këtij raporti është se niveli i papunësisë i grave dhe vajzave në vitin 2015 (17.1%) është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2011 (14.4%).
Por ajo që është më e trishtë është fakti, që pjesa më energjike e popullsisë, pjesa e të rinjve, përjetoi nivelin rekord të papunësisë në vitin 2015 (38.9%), krahasuar me vitin 2011 (23.6%).
A ishte ky Raport për Shqipërinë i Komisionit Evropian më i miri për Shqipërinë? Duke parë shifrat e borxhit publik, shifrat e papunësisë si edhe çfarë po i ndodh sipërmarrjes, sipas këtij Raporti në fjalë, arsyetimi logjik të çon në përfundimin se ky ishte një ndër Raportet më pak të mirë për klasën tonë politike, për të mos thënë ndër më të këqinjtë.
Add new comment