Manovra me “një letër nga Europa” për ligjin e mbetjeve. Protestë më 24 nëntor, por a do të jetë e njëkohshme në disa qytete?
Nicholas Hanley, përgjegjës i zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Zgjerimit, në Drejtorinë e Përgjithshme për Mjedisin në Komisionin Europian, ka nisur një mendim për ligjin e mbetjeve që qëndron i pamiratuar ende në Kuvend, pas kthimit të tij nga Presidenti. Letra e zyrtarit të KE-së u publikua sot pasi ishte paralajmëruar se “mendim i BE-së”, nga Eduard Shalsi, iniciator i ligjit. Por Aleanca Kundër Importit të Plehrave mendon se kjo manovër e vockël me një “letër nga Europa” ka karakter manipulativ dhe asnjë nuk ka sesi të pranojë sugjerimet e saj. Fundja në Shqipëri jetojmë ne, jo zotëria në fjalë.
“AKIP hedh poshtë me neveri cdo tentativë nga inciatorët e ligjit të importit të plehrave për të manipuluar ligjëvënësit shqiptarë dhe opinionin publik, me shënimin e një zyrtari të Komisionit Europian, pikërisht tani në orët e fundit të marrjes së vendimit të pritshëm të Kuvendit të Shqipërisë, vendim që Shqiptarët e kanë thënë me vendosmëri të palëkundur prej vitesh dhe sot më shumë se kurrë fjalën e tyre për ndalim të cdo lloj importi të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Një farë Nicholas Hanley, përgjegjës i zyrës së Mardhënieve Ndërkombëtare dhe Zgjerimit, në Drejtorinë e Përgjithshme për Mjedisin në Komisionin Europian paska dërguar një shënim adresuar, nuk dihet se kujt me subjekt “ Shqiperia- vlerësim për amendamentet e fundit të ligji të menaxhimit të integruar të mbetjeve”. Ky z. Nicholas qysh në fillim bën kujdes të theksojë se është opinion i tij dhe jo i Komisionit Europian. Më pas ai shkruan një frazë që për cilindo do dukej e çuditshme. Ai thotë se edhe pse Shqipëria ka mungesë të infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve amendamentet janë të përshtatshme për Shqipërinë (që të kujton shprehjen “buono per Albania”)”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e AKIP.
Sot Aleanca ka zhvilluar edhe një tryezë për organizimin e një proteste në datën 24 nëntor, ndërkohë që në Fier prej ditëhs vazhdon protesta e banorëve në Mbrostar kundër ndërtimit të një impianti. Në Elbasan qeveria ka miratuar proceisn e djegies së mbetjeve në funksion të përfitimit të energjisë, çka e bën faktik zbatimin e ligjit, vetëm se mund të vonojë disi importin për qëllime të ngjashme. Nisur nga kjo situatë, e mira e punës e kërkon që protesta të jetë e njëkohshme në të gjithë vendin, jo vetëm në Tiranë.
Add new comment