Përkujtohet revolta e studentëve, përleshje mes anarkistëve dhe policisë në Athinë
Në Athinë gjatë natës ka patur përleshje intensive mes protestuesve dhe forcave të policisë. Përleshjet ishin përqëndruar në zonën rreth universitetit politeknik, ku 43 vjet më parë tanket e juntës ushtarake ndërhynë për të shtypur revoltën e studentëve.
Rreth 300 persona që vetëpërcaktohen si anarkistë, zaptuan një nga godinat e universitetit dhe ngritën barrikada në rrugët përreth.Anarkistët i sulmonin me bomba molotov, gurë dhe sende të tjera forcat e policisë, që nga ana e tyre përdorën masivisht gaz lotsjellës.
Ndërsa shumë prej rrugëve kryesore në qendër të Athinës ishin të bllokuara, përleshjet kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit të së premtes. Dëme serioze janë shkaktuar në rrugë, dyqane dhe në mjediset e universitetit, nndërsa janë djegur disa automjete.
Policia bëri të ditur se ka arrestuar 13 persona. Përleshjet filluan pak para përfundimit të marshimit përkujtimor për revoltën e studentëve. Më shumë se 16.000 njerëz marshuan paqësisht nga qendra e Athinës dhe u tubuan për të protestuar para ambasadës amerikane, teksa vazhdojnë të akuzojnë shtetet e bashkuara për mbështetjen që i ofruan juntes së kolonelëve që sundoi deri në 1974 në Greqi.
Add new comment