Ndihmë nga Merkel për zhbllokimin nga Serbia të interkonjeksionit me Kosovën. Për çfarë shërbejnë takimet me "mikun Aleksandër" dhe diplomacia e gallatës?
Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ka deklaruar sot se Serbia po bllokon, "për arsye politike" funksionimin e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
"Fatkeqësisht, për arsye politike kjo linjë akoma nuk është vënë në funksionim me gjithë lobimin tonë dhe përpjekjet tona. Unë mund të përfitoj nga rasti dhe jam i sigurtë se kryeministri Rama do ta bëjë të njëjtën gjë në Berlin kur të takojë kancelaren Merkel, që na duhet që ky proces të përfundojë siç duhet dhe kjo linjë të jetë funksionale”, tha Gjiknuri.
Teknikisht, linja e interkonjeksionit me Kosovën, një projekt me kosto 42 milionë euro, ka përfunduar prej muajsh, por është ende jofunksionale. Kjo pasi Serbia nuk njeh Operatorin e Transmetimit të Kosovës dhe për rrjedhojë edhe sistemi europian nuk e njeh.
Shqipëria është ankuar që në muajin tetor për këtë problem në rrugë zyrtare. Aq më tepër që është BE-ja që ka financuar projektin me një kredi të butë. Ç'është më komike vjen nga fakti se kryeministri ka reklamuar përherë marrëdhënie të reja me Serbinë, miqësi me homologun e tij Vuçiç, por me sa duket diçka të tillë nuk e ka zgjidhur dot. Mund të pyetet se për çfarë shërbejnë tërë ato takime e deklarata përveç se një shfaqjeje më shumë? Për ata që kanë marrë pendën e ulen e zografisin fjalë të mira për mjeshtërinë e Edi Ramës në politikën e jashtme, ndoshta duhet të konsiderojnë edhe këto situata që pasqyrojnë një realitet që është shumë më pak entuziast sesa selfiet me mikun Aleksandër.
Add new comment