Kryeministri kundër portaleve me "klikavarazhin" e një interviste
Kryeministri ka dalë sot në komunikimin e javës me nje mesazh të pazakontë. Ai është marrë me mediat, me portalet, me analistët dhe gazetarët, duke i stigmatizuar si përherë. Lënda e parë ka qenë intervista e tij në "Klan Kosova", të cilën Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, e cilëson fatkeqësisht si fitore të tij ndaj mediave dhe portaleve. Ai flet për një kryengritje digjitale, e cila ka vënë para gazetarët me mençurinë e turmës. Një shfaqje që nuk ka ende emër, e që neutralizon edhe vlerën e atyre të vërtetave për mediat që Rama i përmend jo pa të drejtë. Akuzon mediat për politikë klikimesh e shikimesh, por vetë e supozon suksesin e arritur pikërisht mbi komentet online dhe reagimet. Pra mbi të njëjtin mekanizëm.
Kryeministri duket se ka një problem me mediat online, herë me të drejtë, e herë pa të drejtë, pasi siç e dimë, ai nuk është një politikan që nuk e njeh ndërhyrjen. Megjithatë nuk ndalet kur vjen puna për të bërë moral, edhe kur kjo shoqërohet me lexime të gabuara. Nuk është kryeministri që cakton polet e medias, qendrën dhe periferinë; nuk janë as klikimet, për të cilat ai vuan kaq shumë, e mbi të cilat ndërton gjykime mbi një media të preferuar e një tjetër. Media online në Shqipëri është dukuri e re, ajo është ende në fazë shoshitjeje e kristalizimi, ku redaksitë e lajmeve ende janë në embrion. E megjithatë ja kanë prishur gjumin këtij kryeministri që sot mburret me klikavarazhin e një interviste. Ky është gabim, edhe sikur të përdorim atë "logjikë" të zotërisë: Qentë le të lehin, karvani shkon përpara. Pra, në mungesë të një kritike e përballë një lufte budallaqe ka vlerë të themi: Kryeministri le të flasë, vargu i portaleve shtohet.
Add new comment