Në Shqipëri ka filluar të flitet për rraca politike, deputetja e PD kërkon dekorimin e viktimave në masakrën e Qafë-Valmerës
Debati që lindi pas dekorimit të 67 anëtarëve të Ballit nga presidenti Nishani duket se po rithemelon një debat të pabarabartë lidhur me heronjtë dhe tradhëtarët e Luftës Antifashiste. Historiografia e regjimit diktatorial ngriti në zenit luftën partizane, duke anatemuar rolin e nacionalistëve, sidomos atyre të rreshtuar me Ballin Kombëtar. Gjesti i Nishanit edhe pse i diskutueshëm për llojin e dekoratës ngjalli reagimin e atyre që i kanë dhënë atributin vetes të identifikohen si pasardhës të fitimtarëve dhe kësisoj të rreshtuar sipas tyre në anën e duhur të historisë. Është një pasaportë që fatkeqësisht prodhon ende vota dhe pushtet në Shqipëri.
Por boja e lavdisë heroike të partizanëve shqiptarë ka nisur të çngjyroset dhe t'u lërë më shumë vend dritëhijeve të historisë që shoqëruan krijimin e Partisë Komuniste, rolin në Luftë dhe marrjen e pushtetit pas Luftës së Dytë Botërore. Me të njëjtin metër duhet parë edhe roli i nacionalistëve. Në këtë konekst një tjetër propozim për dekorimin nga Presidenti i Republikës i 14 të vrarëve në masakrën e Qafë-Valmerit jo vetëm që po gjen mbështetje publike dhe politike nga deputetë të Partisë Demokratike, por e çon edhe më tej retorikën e përplasjes më atë që sot quhet e majtë në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën "Shekulli", deputetja e Lezhës, Albina Deda flet për persekutim mbi baza rracore nga regjimi komunist.
"Pak kohë më parë ishte 67 vjetori i masakrës se Qaf-Valmerit e kryer në 17 gusht të vitit 1949. 14 burra u masakruan në Qafë-Valmer për vrasjen e Bardhok Bibës, i cili u vra nga vetë regjimi por me të padrejtë ia faturuan vrasjen antikomunistëve mirditorë. Faji i tyre i vetëm ishte qenia e tyre patriotë nacionalistë, antikomunistë. Mund të bëjmë një lidhje me Mehmet Shehun pasi ai ka drejtuar dhe në Mirditë operacionin ndëshkimor nën pretekstin e vrasjes së Bardhok Bibës. Në Mirditë njerëzit i kanë futur të gjallë në varr të përbashkët. Masakër që nuk e lan as deti. Dikush nuk e duron dot as sot "racën tonë”, gjenin tonë, sepse i verbon ajo që përfaqësojmë dhe karakteri që trashëgojmë. Këta janë po ata të djeshmit", -shprehet deputetja e PD.
Kjo lloj akuze ngre një diskutim të ri mbi përkatësinë politike të partive që kanë administruar dhe pretendojnë pushtetin në Shqipëri dhe aq më tepër të dilemës se kush është rreshtuar në anën e drejtë të historisë. Ka gjasa që askush nga palët të mos ketë qenë në lartësinë e duhur të momentit historik.
Add new comment