Loloja në politikë

Postuar në 22 Tetor, 2016 15:23

Në vitin 2012 kur veriu u përfshi nga përmbytjet, një skuadër politike nga Partia Socialiste me në krye kryetarin Edi Rama, u nis me makina e me varka në zonën e Lezhës. Ishte një nga ato bujtjet “me dorë në zemër” që çdo opozitë aktron për të treguar se është me hallexhinjtë. Askush nuk mban mend se çfarë tha e çfarë premtoi, e si u soll aty kjo skuadër milionerësh. E vetmja gjë që mbeti ishin disa foto njerëzish të veshur shumë mirë që lundronin në varka në përrenj të sapokrijuar.

“Pas perdes” së këtij teatri u përfol një barsaletë. Tregonin se disa banorë, sapo kishin parë varkat me socialistë që po i afroheshin “bregut” nisën të bërtasin: Sali Berisha, Sali Berisha. Duke zbritur, Rama dhe të vetët që ndoshta po imitonin Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin në Durrës, ua ktheu aty për aty: “Ç’keni? Nuk kam ardhur për ju. Kam ardhur për lopët e ngordhura”.

Nuk ka rëndësi sesa e vërtetë është kjo. Rëndësi ka këtu fakti se në Shqipëri, pushteti dhe konformimi me të, është kaq manifestues saqë çon në kultivimin e një gjuhe të caktuar nga opozita.

E vetmja kohë në 25 vite kur është bërë opozitë morale dhe deri diku me disa ide ka qenë ajo e viteve 1992-1997. PS-ja asokohe nuk kishte forcën që pati më vonë, por ama arriti që të imponohej në perceptim si një subjekt që ka disa gjëra ndryshe.

Opozitarizmi i drejtuar nga Berisha pas vitit 1997 u infektua që në fillim nga nevojat e këtij të fundit për të mbijetuar politikisht me çdo kusht. Këtu gjejnë arsyen protestat absurde dhe bojkoti i çdo gjëje, sulmet e forta ndaj institucioneve dhe gjuha politike që kishte si lëndë të parë antikomunizmin.

Kjo nuk funksionoi. Aq sa nga viti 2002 e më pas, kur Berisha erdhi në Pazar me socialistët dhe nisi diversionet politike me kostot e likujdimit të Fatos Klosit, Arben Rakipit, presidentit të ri, e më tej edhe të Ilir Metës, nis një etapë e re opozitarizmi. Berisha kuptoi se gjuha politike efikase në një terren social si ai shqiptar, i mbushur me paradokse dhe përmbysje morale, është ajo që Fatos Nano përdorte në KPD. Një gjuhë prej Braushi, po të përdorim një shembull nga kinemaja shqiptare e para viteve ’90. Dhe Berisha nuk u dëshmua i paaftë në këtë drejtim.

Nisi edhe ai periudhën e krijimtarisë së neologjizmave që bënin për të qeshur një publik të tërë, pa folur se në këtë mënyrë, pra mes stigmave dhe ofezës brutale, shenjoheshin kufij të moralit të ri politik. Ky është një rol prej loloje por në vetë të parë, i cili përmes spektaklit që ofron, merr kapacitetin e gradimit të humorit të publikut. Aty ku ka diçka serioze ajo relativizohet, aty ku simulohet përftohet diçka serioze. Një rol që ecën dora dorës me atë degradim të plotë të aftësisë për të reaguar me të vërtetë.

Në këtë kontekst hyri edhe kryeministri aktual, madje si virtuoz. Rromuze për Fatos Nanon, cinizëm për Doktorin nga ana tjetër, ironi për Metën diku tjetër, sulm “parimor” ndaj mediave që nuk dinin të kritikonin pushtetin dhe ja, polemisti i ’90-ës merr formën e politikanit. Kuptohet kjo është një zhurmë që mbulon dhe tërheq vëmendjen nga rekuizita e pasur e një kryetari Bashkie, e atij që Berisha e quante “lavatriçe e Ballkanit”, por që në përmbushje të rolit të vet, merrej po aq seriozisht, sa komisioni hetimor që u drejtua nga Olldashi.

Kjo lloj gjuhe perverse e “opozitarit doç” po rezulton shumë e dëmshme për të gjithë dhe është një nga ato sëmundje të tranzicionit që provon se sa pak vlerë kanë institucionet në këtë vend.

Së pari, ajo ushqen kërkesën për një “lider” që s’ia hedh dot. Por çfarë pune do bëjë ky “lider” nesër dhe ku i hyn kjo zgjuarësi prej dollibashi në një vend ku diskutohet mjerimi?

Së dyti, loloja në politikë si formë e përmbajtje verbale aludon për imunitet të pakufishëm në atë që thuhet e në atë deklarohet, duke eliminuar kufijtë e debatit që shpesh kapërcejnë në terren penal. Berisha është kampioni i kësaj gjëje, por roli i tij është konvenient për rolin e sotshëm të Edi Ramës.

Së treti, kjo gjuhë ka vendosur një standard amoral për vlerat e përfaqësimit. Ti s’mund të jesh njeri normal, as të flasësh për programe e të diskutosh në parim, pasi kjo qasje do të shfryhet përballë pritmërive.

Këtë realitet të sëmurë e kalëron sot mirë, kryeministri. I cili e ka ngritur atë në parim të marketimit politik.

Nga vizta në vizitë, nga takimi në takim, ne shohim të publikohen batutat e Edit me fermerët, me fshatarët. Këtu u flet për gruan, këtu i ngacmon për rakinë, atje më tutje për hashashin. Pa harruar ëmbëlsirën që është Saliu.

Edhe në lëmin e qeverisjes e njëjta përrallë vanitoze: kryeministri reklamon me të madhe rilindjen urbane të Himarës, e cila për këdo që do ta shikojë është një shëtitore 100 – 150 m, ku janë hedhur ca pllaka e mbjellë ca pemë dhe nuk thotë gjysmë fjale për linjën e tensionit të lartë që është shtruar nga Saranda deri në Vlorë. Një punë që mbetet.

Kryeministri merret edhe me bunkerin e gjermanëve në Pogradec, me shkollat që restaurohen, ai pret pyetje “të goditura” dhe me vend. Të tjerat i sikteris e të bën rezil se i Madhi edhe e ngre zërin.

Ky është një kurth retorik që e vë opozitarin e radhës në një sifdë të vështirë. Çfarë përralle dhe të fortash të tregojë kryetari i saj që si fillim të legjendohet si “dobiç”?

Ja të marrim Bashën. Çfarë të thotë ai? Të flasë për komunizmin, për programin e PD-së, për korrupsionin, për pronat? Këto s’i ha njeri. Lezeti i rrëfenjës për Kokoshin 200 milionësh u tret ndërkohë që llafi ka dalë se “Edi e ka mbyllur pazarin me çamët”. Një opsion është të presë. Të presë radhën, të durojë. Edhe duke humbur. Aq më mirë madje. Në humbje e menaxhon Berisha që nuk do ende ndoshta një fitore pa e gërryer mirë Lulzim Bashën dhe imazhin e tij si lider i ri.

Shikoni reformën në drejtësi. Çfarë nuk u tha e çfarë nuk u kërcënua. Në fund fjalën për SPAK-un e gjetën. Ndodh kjo tallje pse politika po apelon vetëm drejt një mishele sociale krijuar nga militantët dhe oportunizmi e pragmatizmi i të tjerëve, heshtja e dhe mospjesëmarrja e një grupimi tjetër; një përzierje që e legjitimon lolon dhe lojën e tij në politikë. Që ka asgjësuar çdo moral dhe që ka zbrazur Fjalën nga çdo kuptim e çdo përmbajtje. Që po shtyn deri në kufij mjeranë ambicien për më shumë kraragjozllëk të njërit e të tjetrit si e vetmja formë mbijetese. 25 vite ndoshta janë shumë sa për të vijuar të duartrokitet kjo shfaqje e shpëlarë. Por është pyetje e vështirë sesi të mposhtet ky model...Ndoshta me pyetjet e duhura, apo ato që nuk u pëlqejnë këtyre. P.sh le të na thotë kryeministri: do kishte hyrë dot në shkollë për pikturë me sistemin arsimor që po aplikon tani vetë?  Jo se kjo ka ndonjë rëndësi për pikturën, por për standardin po. Ka që ç’ke me të. Por edhe për të detyruar të ndërrojë përrallën që na tregon sot, pasi ka shumë dyshime nëse ai dhe të tjerë si ai dinë realisht të flasin ndryshe, apo të veprojnë tjetërsoj nga sot.

Në një vend si Shqipëria, me një pol të vetëm që është pushteti, narrativat dhe stilistika nuk konkurohet dot. Arti, letërsia, kinemaja, intelektualët, janë inekzistentë si formësues të ndërgjegjes dhe kulturës publike. Rrjedhimisht piramida e ngritur nga maja e së cilës hidhet si ushqim vetëm një nacionalizëm bosh dhe pa kuptim, do dojë kohë të rrëgjohet. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.