Mbi të pavërtetën e “rilindjes” së çështjes Çame me qeverinë aktuale. Dëshmitë historike thonë të kundërtën

Postuar në 26 Tetor, 2016 15:07

Kohët e fundit, për nevoja qartazi elektorale, ka një shtim të retorikës për çështjen çame. Politika është në të drejtën e vet të ndjekë këtë axhendë, sa kohë Parlamenti shqiptar ka miratuar rezolutë për këtë çështje.  Por duke qenë se për të shpenzohen energji dhe kredenciale të institucioneve shqiptare, është e udhës që kjo temë të shkëputet nga koneksti thjesht elektoral, për t’u afirmuar si një çështje që përcjell edhe në planin shoqëror jehonë pozitive. Z. Idrizi është kryetar partie dhe ai pikë së pari ka axhenda pushteti, ndonëse i kamuflon ato pas kauzave të tilla. Pas tij po rend për nevoja ekskluzivisht elektorale edhe ministri i Jashtëm me kryeministrin, në një kurs që çon në përplasje me palën greke. Shqipëria dhe Greqia kanë nënshkruar dokumente dypalëshe që skicojnë një rrugë për trajtimin e pronave të qytetarëve shqiptarë çamë dhe të tjerë dhe nëse marrja e tyre është detyrim i shtetit shqiptar, administrimi dhe trashëgimi i tyre, kalon patjetër nga dialogu dhe duhet të shërbejë si urë për të ardhmen, e jo si farë konflikti. Nga kjo pikëpamje, parashtrimi që bëhet këtu: http://27.al/kur-athina-firmoste-varrezen-e-partizaneve-came-ne-greqi/, përbën kontribut, në të kundërt me frymën partizane të dyshes PS-PDIU. Zgjidhja e çështjes së pronave të çamëve është interes i përbashkët pse heq një barrë nga marrëdhëniet dypalëshe që janë shumë komplekse, por ajo nuk mund të afrohet me këtë retorikë. Dhe as me politkën e “kohës zero”, siç bën sot PS-ja, që pretendon se po e hap ajo për herë të parë çështjen.

 

Më poshtë po sjellim të plotë konferencën për shtyp mes ish-kryeminsitrit Aleksandër Meksi dhe homologut të tij grek, Konstandin Micotaqis më 3 maj të vitit 1992.

Më herët shteti shqiptar kishte folur në Konferencën e Paqes në Paris, por jo në raporte dypalëshe. Aty Micotaqis, një politikan i së djathtës greke, pranon  të drejtën e pronave, por jo kthimin e çamëve. Ky ishte një fillim që çoi në Traktatin e vitit 1996, por mund të vihet re se qeveria dhe pushteti i asaj kohe në Shqipëri nuk ka munguar në diskutimin e problemeve me palën greke. Ndaj mburrjet e sotme nuk shërbejnë veçse si kolektor votash dhe emocionesh negative, sidomos pastaj kur fantazohen konspiracione siç shkruan z. Idrizi.  

 

Më poshtë konferenca e shtypit:

MICOTAQIS: Në bisedimet që zhvillova me zotin Meksi prekëm disa tema që ishin të lidhura me marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Folëm për shembull për funksionimin e konsullatave dhe ramë dakord të fillojmë nga konsullata e Gjirokastrës, pastaj me një konsullatë tjetër në Janinë dhe sipas marrëveshjes në të ardhmen do të vazhdohet të hapen një ose edhe dy të tjera. Ramë dakord që të zhvillojmë kontaktet ndërmjet dy popujve tanë dhe të shqyrtojmë mundësitë që të japim hyrje e dalje të tjera, veç atyre që ekzistojnë tani.

Na preokupon mjaft emigracioni shqiptar në Greqi. Kjo është një temë shumë serioze për miqtë tanë shqiptarë. Sot në Greqi janë rreth 150 mijë shqiptarë që punojnë, gjysma e të cilëve janë legalisht, ndërsa gjysma janë ilegalisht. Ramë dakord që të arrijmë në një marrëveshje për të legalizuar të gjithë situatën, pra të japim mundësinë që të punojnë sa më shumë shqiptarë në Greqi. Konfirmova se ne do të preferojmë shqiptarët, nga kombësitë e tjera, prandaj është e nevojshme funksioni i konsullatave për të dhënë viza.

Folëm për problemet e Jugosllavisë. Folëm për problemin e Republikës së Shkupit. Jemi dy vende ballkanike, ramë dakord që të kemi kontakte të vazhdueshme dhe ta forcojmë bashkëpunimin ballkanik, kur të mbarojë kriza e sotme e Jugosllavisë. Ramë dakord që të jemi të shpejtë dhe temat t’i bisedojmë, që të mundim të ecim shpejt. E ftova Kryeministrin Meksi të vijë në Greqi, jemi gati për të nënshkruar një marrëveshje miqësie dhe bashkëpunimi, për të zhvilluar akoma më mirë marrëdhëniet tona. Në emër të Presidentit të Greqisë ftova Presidentin e demokracisë, zotin Sali Berisha të vizitojë edhe ai Greqinë. Shpresoj se vizita ime do të përbëjë stacion në rrugën e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe marrëdhëniet greko-shqiptare qysh sot hyjnë në një rrugë të re.

Kjo është deklarata e parë që kisha për të bërë, mbasi të flasë edhe zoti Meksi, në qoftë se keni pyetje, m’i bëni.

MEKSI: Takimi i sotëm me zotin Micotaqis, i pari takim zyrtar i qeverisë së re, me një Kryeministër të një vendi me të cilin ne jemi në marrëdhënie, ishte i nevojshëm dhe i dobishëm. Qeveria e re shqiptare është e vetëdijshme se dialogu është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet dy vendeve, për afrimin dhe kontaktet ndërmjet dy popujve tanë, në të gjitha fushat, me dobi për të dy palët. Ne dëshirojmë të kemi marrëdhënie sa më të mira, për problemet që kemi ndërmjet nesh, dhe në këtë aspekt takimi i sotëm ishte i dobishëm dhe një hap i parë për vendosjen e kontakteve ndërmjet qeverive të të dy vendeve, si dhe në mes organizmave të tjera qeveritare.

Temat u diskutuan nga secila palë dhe secila palë paraqiti mendimet e saj, për marrëdhëniet politike në dobi të afrimit të të dyja palëve, si edhe të futjes së Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. U fol për masa konkrete, për shtimin e takimeve dhe për marrëveshje dypalëshe, të cilat realizohen në fushat prioritare për Shqipërinë e sotme, siç janë marrëdhëniet dhe marrëveshjet dypalëshe në tregti, për investimet dhe për hapjen e bankave, për emigracionin e organizuar, për përmirësimin e statusit të gjendjes së shqiptarëve që ndodhen në Greqi, për problemin e vizave, për hapjen e konsullatave dhe të pikave të reja të kalimit kufitar dhe siç thamë më parë për organizimin e shpejtë të kontakteve dypalëshe, për realizimin sa më të shpejtë dhe më të mirë të këtyre problemeve.

Bisedimet ishin të hapura dhe ne nënvizuam mendimin se krijimi i besimit është mjeti themeltar për thellimin e marrëdhënieve dhe se dialogu do të jetë mjeti për rrugëzgjidhjen e problemeve tona. Në këtë kuadër ne i bëmë prezent qeverisë greke për zgjidhjen e drejtë të problemit të çamëve, gjithnjë sipas normave e dokumenteve ndërkombëtare, eventualisht për kthimin e tyre në vatrat dhe varret e të parëve dhe për problemin e pronave të tyre. Ne do të ngulmojmë edhe në të ardhmen, me mendimin që të ketë mundësi më të mëdha për një mirëkuptim dhe për zgjidhjen me interes dhe me dobi nga të dy palët.

Ne folëm për preokupimin tonë për “zjarrin” që marrëzia e serbëve, po ndez në shtetet sovrane të Kroacisë e Bosnje-Hercegovinës. Incidenti i djeshëm është flagrant dhe mjaft shprehës dhe për rrezikun e përhapjes në minutë të luftës në tokat shqiptare të Kosovës.

Ne shprehëm mendimin tonë për mospranimin e Republikës Federative të Jugosllavisë, si një vazhduese të Jugosllavisë së deridjeshme, por si një Serbi, që është një bashkim i komunistëve jashtë vullnetit të popujve të këtyre vendeve. Gjithashtu ne shprehëm mendimin tonë për të drejtën e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre të pavarur, Republikën e Kosovës, për realizimin e të drejtës themelore për vetëvendosje dhe për shtetformim.

E siguruam zotin Micotaqis se minoriteti grek në Shqipëri do të ketë të njëjtat të drejta që kanë shqiptarët, ato që thuhen në dokumentet ndërkombëtare, të drejtën e ushtrimit të fesë së tyre, të drejtën e arsimit të të gjitha niveleve, në zonat ku banojnë. Folëm, gjithashtu, për marrëdhëniet ekonomike, që ne na preokupojnë, për bashkëpunimin tregtar dhe doganor, për lehtësira në aspektin e vizave për tregtarët shqiptarë, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për emigracionin, probleme për të cilat gjetëm një mirëkuptim.

Gjithashtu, gjetëm mirëkuptim për problemin e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe politike edhe në të ardhmen, për nevojën e mbështetjes së Shqipërisë në planin ndërkombëtar, në Komunitetin Evropian, në grupin e 24-ve dhe qeveria greke na i siguroi këto. Ne besojmë se takimi ishte i frytshëm dhe do të pasohet nga takime të tjera të të ngarkuarve të të dy palëve për të realizuar marrëveshjet, të cilat ne i shprehëm më lart, në nivele nga më të ndryshmet. Ne falënderojmë zotin Micotaqis dhe personat që e shoqërojnë, për ardhjen në Shqipëri, për bisedimet konstruktive dhe të frytshme dhe për ftesën që na u bë për të vizituar Greqinë.

MICOTAQIS: Pozita greke duhet të jetë krejtësisht e pastër. Për sa i përket temës së çamëve, e bëra të qartë në të gjitha nivelet e palës shqiptare, deri te Presidenti. Greqia nuk do të pranojnë kthimin e tyre në Greqi, për arsyet, që nuk është nevoja t’i paraqes. Thashë që mund të diskutohet tema e pasurive, në bazë të një reciprociteti, të çamëve që erdhën nga Greqia në Shqipëri dhe të atyre që kanë ardhur në Greqi, me origjinë greke.

Tema e dytë është Jugosllavia: i thashë palës shqiptare se Greqia ndjek një politikë të Komunitetit Evropian dhe në qoftë se do të njihet ose jo Jugosllavia, Serbia me Malin e Zi, si vazhdimësi e Jugosllavisë Federative, kjo do të varet nga njohja e Evropës. Pra Greqia do të ndjekë çdo detyrë që do të marrë Komuniteti Evropian.

Folëm për Republikën e Shkupit. Dëgjova Presidentin, zotin Sali Berisha, për fjalën Maqedoni dhe kërkova që të mos njihet nga pala shqiptare Republika e Shkupit, në qoftë se nuk do të njihet më përpara nga Evropa, ai më premtoi se do ta bëjë këtë. Pala shqiptare më shpjegoi pozitën e saj në Kosovë, u shpjegova miqve shqiptarë, se çështja e vetëvendosjes është shumë e avancuar, se në realitet kjo tregon lëkundje kufijsh, diçka që besoj se në rrethanat e sotme nuk është e mirë, por dëgjova me shumë kujdes pikëpamjet e tyre. Këtë desha të sqaroja.

Për sa i përket minoritetit grek, jemi plotësisht të kënaqur nga sa u thanë, edhe për sa i përket kishës ortodokse dhe kishave të tjera, theksova se minoritetin grek e shikojmë si hallkë që na bashkon dhe jo si një hallkë që na veçon dhe rekrutimin që bëjmë karshi Shqipërisë, nuk e bëjmë vetëm karshi Shqipërisë së Jugut, por karshi gjithë Shqipërisë, dhe natyrisht për çdo gjë rashë dakord edhe me palën shqiptare.

MIKELI (zëdhënësi i Qeverisë shqiptare): Atëherë zotërinj gazetarë, të shfrytëzojmë kohën për pyetje, për çështje të cilat nuk dolën gjatë deklaratave të zotërinjve Micotaqis dhe Meksi.

BEDRI ISLAMI (gazeta “Kosova”): Zoti Micotaqis, në çfarë ligje bazoheni që u hani çamëve të drejtat për t’u rikthyer në trojet e tyre stërgjyshore? Cilat janë arsyet që e njohët nga të parët shtetin e ri jugosllav?

MICOTAQIS: Pjesa e dytë e pyetjes ka një gabim, nuk njohëm një shtet të ri jugosllav, ne presim të marrë vendim Komuniteti Evropian. Për sa i përket çamëve bazohemi në ligjet e në kushtetutën greke dhe nuk dua të futem në hollësi të mëtejshme.

NJË GAZETARE GREKE:  Sa e llogaritni shifrën e të ashtuquajturve çamë që duan të kthehen në Greqi, pra sa është numri i tyre? Nuk ka dijeni qeveria shqiptare që këta kanë qenë bashkëpunëtorë të okupatorit gjerman? Në rastin konkret, duhet t’u bëjmë thirrje ligjeve ndërkombëtare për këtë problem?

MEKSI: Ne për numrin e çamëve dimë që kur kanë ardhur në Shqipëri kanë qenë rreth 24-25 mijë vetë, kjo sipas statistikave të OKB-së për refugjatët në atë kohë. Në atë kohë unë kam qenë i vogël por këtë gjë e mbaj mend, megjithatë problemi nuk shikohet te numri i tyre. Ky është një problem që mund të zgjidhet nëpërmjet një dialogu për të parë mundësitë e realizimit, duke pasur secila palë kërkesat e saj, mendimin e saj, prandaj si gjithë problemet që janë ndërmjet vendeve fqinje, është mirë t’i jepet rrugëzgjidhje nëpërmjet bashkëjetesës. Kështu si na kuptojnë grekët, edhe ne ata i kuptojmë, por unë do të thosha se nuk ka ndonjë ligj ndërkombëtar që në qoftë se një individ është kriminel lufte, të dënohet tërë familja e tij. Për këtë do të desha, meqenëse po reagoni, t’ju kujtoj një diplomë të perandorit të Bizantit, Krisovulën të Andronikut të Dytë, Paleologut, në vitin 1307, kur i shkruan peshkopit të Kaninës që nuk ka qenë në zakonin e të parëve tanë, as në tonin, që për fajet që bën një individ, të përgjigjen të afërmit e tij. Unë mendoj se kjo është një temë që mund të dialogohet, me kohë mund të gjendet mundësia.

GAZETAR I GAZETËS “Zëri i Rinisë: A mendoni zoti Micotaqis se epoka e re e marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona, e cila sapo filloi sot, do të përjashtonte ekskluzivisht pretendimet e qarqeve vorio-epiriote greke për Shqipërinë e Jugut?

MICOTAQIS: Greqia nuk ka pretendime territoriale karshi Shqipërisë, kjo është një deklaratë kategorike.

NJË GAZETAR GREK: Do të desha të pyes zotin Kryeministër, që shfaq një ndjeshmëri për sa i përket problemit çam, se a shfaq të njëjtin ndjeshmëri për pasuritë dhe kryesisht për monumentet kishtare që gjatë kohës së regjimit të vjetër, që është e ditur, kanë pësuar shumë katastrofa?

MEKSI: Zotëria më pyeti në një fushë që është profesioni im, ai i studiuesit dhe restaurimit të veprave mesjetare. Shqiptarët e ndershëm, ku jam munduar të bëjë pjesë edhe unë, janë munduar të shpëtojnë monumentet, në të gjithë territorin e Shqipërisë, t’i restaurojnë, t’i studiojnë, t’i publikojnë, në një kohë mjaft të vështirë dhe të gjatë, që mbase vëllezërit tanë edhe mund të mos e kenë provuar edhe aq shumë. Themi se kemi bërë maksimumin e asaj që mund të bëhej. Sot ato ndërtime i janë kthyer kultit dhe po përdoren. Me gjithë kushtet e vështira ekonomike, në të cila ndodhet Shqipëria, mendohet që të vazhdojnë punimet dhe restaurimet nën kujdesin e shtetit, dhe ashtu siç janë publikuar deri më sot, ato do të publikohen edhe në të ardhmen.

MICOTAQIS: Sipër kësaj teme desha të shtoja se jemi të kënaqur nga qeveria e re demokratike dhe edhe zoti Berisha ra dakord që të shikojmë çështjen e pronave në bazën e një reciprociteti, diçka që konsiderohet shumë pozitive.

BASHKIM KUÇUKU (Gazeta “Çamëria”):  Zoti Micotaqis, mund të na citoni cili është ai ligj ndërkombëtar që quan kriminel një popull prej 60 mijë veta, fëmijë, pleq, burra, gra, që mbetën nga lufta, pra a mund të quhen të gjithë këta kriminelë? Ku është ky ligj ndërkombëtar, ku përfshihet?

MICOTAQIS: Thashë ato që kisha për të thënë për çamët dhe besoj se nuk ka dobi vazhdimi i kësaj teme, janë nga ato tema që nuk ramë dakord.  Ramë dakord vetëm në pjesën e dytë të kësaj teme, prandaj nuk dua të diskutohet pjesa e parë. Të dy vendet janë të lumtur, në qoftë se biem dakord për 90 për qind të temave që diskutohen, nuk ka nevojë të bien qind për qind.

NJË GAZETAR GREK:  Desha të pyes zotin Meksi për çështjen e huas që qëndron pezull akoma, për huan që ka dhënë Greqia për Shqipërinë, çfarë parashikon qeveria?

MEKSI: Ne diskutuam sot për këtë, ministrat e ekonomisë vazhduan më tej dhe ne i quajmë bisedimet e dobishme dhe do të avancojmë më tej në kontakte të mëtejshme, sepse Shqipëria është e interesuar jo vetëm për këtë hua, por edhe për investime.

ARBEN MANAJ: (Radioja e Jashtme): Zoti Micotaqis, ju thatë se çështja e vetëvendosjes së popullit të Kosovës është e avancuar, cila është alternativa që vepron?

MICOTAQIS: Mendimi im është se duhet të ekzistojë autonomia, jo një autonomi e avancuar,  jo vetëvendosje,  që do të thotë se ndahesh nga shteti dhe këtë e thashë me palën shqiptare dhe me udhëheqësit e partive të ndryshme politike që kisha takim.

NJË GAZETAR GREK: Do të desha të pyes Kryeministrin e Shqipërisë, se këtu u tha që Shqipëria ka rivendikim për shpalljen, shkëputjen e Kosovës, për vetëvendosje. Pra jo vetëm nga qeveria, por kjo u mbështet edhe nga vetë gazetarët, me të cilët kishim kontakt. Në bazë të kësaj politike e njeh të drejtën e vetëvendosjes edhe për minoritete të tjerë?

MEKSI: Unë shpreha që ne e njohim të drejtën e shqiptarëve në Kosovë, që nuk përbëjnë një pakicë, por gjysmën e shqiptarëve, që historikisht janë në trojet e tyre. Ne i njohim atyre të drejtën që të vendosin për fatin e tyre, e drejtë që jepet nga të gjitha dokumentet ndërkombëtare. Ne nuk u diktojmë atyre mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështje, kjo është një e drejtë vetëm e tyre. Sigurisht, ne jemi të shqetësuar, kur aty shkelen të drejtat më elementare të njeriut, kur aty rrezikohen për një masakër dhe për më tepër e ndjejmë që ai front kalon edhe në Shqipëri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.