Recidivistë...Kundër Gjykatës me histeri
Gjykata Kushtetuese vendosi sot të pezullojë ligjin për vettingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve duke kërkuar një mendim për këtë nga Komisioni i Venecias. Pak ditë më parë, Komisioni i Venecias solli një përgjigje për një procedurë të ngjashme që ishte vënë në lëvizje nga Gjykata Kushtetuese për ligjin e pronave. Sjellim këtë analogji për të tërhequr vëmendjen se procedurat janë procedura dhe se janë aty edhe për të kultivuar një regjim nervor të përshtatshëm për këtë sistem që e quajmë demokraci.
Procedura i ka të gjitha hiletë brenda, afatet, interpretimin, qëllimin e zvarritjes, konsumimin e shumë hallkave etj., por është rënë dakord që më mirë me procedura sesa pa to. Pasi kështu edhe zbatohet më mirë parimi i kontrollit dhe balancimit.
Duke qenë se vendimi i Gjykatës Kushtetese nuk bie ndesh me asnjë nga dispozitat ligjore që rregullojnë punën e saj, është e udhës, ose më mirë, është etike, që ndaj vendimit të saj të merren qëndrime politike zyrtare, që komentojnë, reagojnë, apo edhe i bëjnë me dije opinionit hapa të caktuar.
Për ta ilustruar këtë çark të domosdoshëm që ngre demokracia apo sistemi kushtetues që kemi, mund të sjellim dy shembuj, që ndoshta nuk u pëlqejnë socialistëve të sotshëm, që vetëkonsiderohen ende të majtë.
E para është dorëheqja e Fatos Nanos nga kryeministër në shtator të vitit 2005 kur mes të tjerave, në dijeni të lojës manipuluese që u bë me çertifikatat, Nano ndër të tjera tha:
“...zgjedhje të Papranueshme politikisht, por të çertifikuara nga KQZ”. Që do të thotë se humbja është e tillë kur emetohet nga institucionet përkatëse, edhe pse në përmbajtje çon përpara një padrejtësi.
Shembulli i dytë është dorëheqja e Sali Berishës, i cili nga selia e PD-së, cilësoi si humbje të plotë zgjedhjet, tri ditë pas votimit, kur shumica e kutive ishin numëruar. Berisha deklaroi përgjegjësi të plotë personale për humbjen duke shtuar atë që po provohet e vërtetë e hidhur për të gjithë qytetarët:
“...kundërshtari im bëri premtime që unë nuk mund t’i bëja”.
Pra rezultati konfirmon një realitet juridik kur ka sipër një procedurë dhe firmë të institucionit përgjegjës. Dhe si i tillë, ai ose ankimohet, ose kontestohet zyrtarisht.
Kështu ka ndodhur sot edhe me dy selitë diplomatike, atë të SHBA-së dhe atë të BE-së, të cilat, si protagoniste të reformës së drejtësisë, dolën me një deklaratë të përbashkët ku njohën të drejtën e Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjin e vettingut në Komisionin e Venecias, një arbitër i gjithëpranuar.
Nuk ka sot një qëndrim nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë procedurë të vënë në lëvizje nga Gjykata. Nuk ka qëndrime as nga Grupet Parlamentare, as nga partitë politike.
Ka vetëm pasthirrma histerie nga deputetë të caktuar në Facebook, nga ndonjë ish-ministër që është në letargji politike si kryetar i një partie që është vetëm akt juridik. Pasthirrma që infektojnë edhe vetë pozicionin me heshtje të PS-së që është “palë e dëmtuar” nga kjo lëvizje e Gjykatës. Ndodh kështu sepse riprodhimi i statueseve në Facbook të individëve të caktuar asociohet si mesazh i PS-së për këtë vendim të Kushtetueses, sa kohë nuk dimë se çfarë mendon PS-ja, ombrella e tyre për këtë gjë.
Është mirë që të mbahet heshtje dhe të pritet, pavarësisht se cilat janë qëllimet e supozuara të Gjykatës që është vetë objekt i ligjit. Njësoj siç është shumë mirë që ai Kodi i Etikës që u miratua në punimet e Asamblesë së fundit të vihet në veprim, për të mirën e përbashkët që kalon nga nervat e qeta dhe respekti i procedurës. Në fund të fundit edhe rrëzimi i ligjit, nuk do të thotë atë që përpiqen të na thonë disa, se u godit reforma. Pasi po bie vetëm një version i vettingut, kundër të cilit parimisht askush nuk ka dalë. Njësoj si drafti fillestar i paketës së reformës, e cila u shit si shpikje e çertifikuar, por që mori një pastrim rrënjësor nga Komisioni i Venecias. Procesi vazhdoi me negociime dhe sot kemi një Kushtetutë të ndryshuar, në përmbajtjen e së cilës ka një standard të ri pune që nuk i jep askujt ekskluzivitetin.
Është për të ardhur me të vërtetë shumë keq që një parti si PS-ja, që dikur mburrej me të drejtë me ekspertët e saj, sot ndodhet në këtë pozitë që asemblon histerinë si qëndrim politik e që i apelon emocioneve si zgjidhje për të ardhmen. Është për të ardhur shumë keq sepse po provohet që nuk do të mësojë dhe nuk ka mjedis për korrigjime. Nuk do të mësojë nga praktika e kauzave false si ajo e kutive në vitin 2009, që iu shmang për qëllime politike Procedurës. Dhe nuk do të korrigjojë asgjë, pse duket se lexon më shumë vota te kjo situatë e mahisur me keqkuptime, një prej të cilëve është edhe ai “pro dhe kundër Amerikës”.
Në çdo rast i ka duart të lidhura dhe është e detyruar të presë. Ajo, por edhe ata të cilëve u është premtuar punë dhe karrierë në gjyqësorin e ri. Sepse vështirë të shohësh tërë këto çjerrje më shumë sesa interes të ngushtë.
Add new comment