Gjiknuri i heq konçesionin e kromit "Kurumit" dhe ortakut "Sichuan" (dokumenti)
Veprimtaria e kompanisë turke Kurum në Shqipëri është shoqëruar gjatë gjitjë këtyre viteve me hije të mëdha dyshimi mbi aktivitetin e saj në Elbasan, blerjen e hidrocentraleve, shkrirjen e skrapit apo nxjerrjen dhe pasurimin e mineraleve. Së fundmi Ministria e Energjisë i ka hequr nga duart koncesionin e minierës së kromit në Kalimash dhe Vllahna, si dhe dy fabrikave të pasurimit të kromit në Kalimash dhe Bakrit në Golaj.
Sipas vendimit, i cili mban datën 20 tetor, shkaku për zgjidhjen e menjehërshme të kontratës është se “KURUM”, së bashku me ortakun kinez “Sichuan Jiannanchun International Group Ltd”, nuk kanë përmbushur kushtet e kontratës.
Sipas dokumentit, shkeljet e koncesionarit janë të shumta. Më konkretisht, ministria vëren se “KURUM” dhe kompania “Sichuan” nuk kanë realizuar planin e detyrueshëm të investimeve, nuk kanë filluar prodhimin sikurse detyrohet nga kontrata koncesionare, si dhe nuk kanë paguar në shtet tarifën vjetore të koncesionit prej 303 mijë eurosh.
Për këto arsye, ministria ka vendosur zgjidhjen e menjehërshme të kontratës dhe rikthimin e këtyre pasurive në pronësi të shtetit. Ajo e Kalimashit është miniera e dytë më e madhe e kromit në vend, pas Bulqizës. Sipas vlerësimeve zyrtare, rezervat e kromit në këtë minierë llogariten në 7.9 milionë tonë, me pastërti 25 për qind.
Add new comment