Manovra Ahmetaj për amnistinë e bizneseve, a po fshin qeveria borxhet e ARMO-s?

Postuar në 18 Tetor, 2016 20:22

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha sot se qeveria shqiptare ka arritur në parim dakordësinë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, për fshirjen e plotë të detyrimeve të bizneseve në Tatime e Dogana të para vitit 2010 dhe për thjeshtimin e borxhit nga 2010 -ta në 2014 -ën.
Nga sa kuptohet ka një dakordësi në parim që ministri kërkon ta promovojë, duke lënë pas shumë pikëpyetje mbi këtë kërkesë të qeverisë shqiptare për të fshirë detyrimet tatimore e doganore para vitit 2010 si dhe për të amnistuar kamatat e gjobave dhe detyrimeve përgjatë periudhës 2010-2014.
Qeveria nuk e ka shoqëruar këtë nismë me një raport transparent lidhur me faturën financiare të këtij operacioni. Sa biznese janë debitore para 2010 dhe sa është shuma që ato i detyrohen shtetit? Po ashtu edhe për periudhën 2010-2014 nuk është raportuar ndonjë bilanc. A e ka vënë vërtet dorën në zemër qeveria për bizneset apo po operon me parimin se djalli fshihet në detaje? Kjo qeveri ka dhënë prova sa dashamirëse është më biznesin, ku jo më larg se një ditë më parë faturoi detyrime të cilat kishte premtuar fshirjen e tyre meqënëse ishin gabim i sistemit. Po ku fle lepuri? Ajo që dihet është se një nga debitorët më të mëdhenj ndaj shtetit është kompania ARMO.
Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës, një shumë kjo që është gati sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Ndaj dhe një nismë e qeverisë do të fshinte një pjesë të mirë të borxheve që ka kompania ARMO, e cila është një nga gropat financiare në kurriz të qeverisë.

Detyrimet e rafinerisë ARMO

Kompania audituese Deloitte ka audituar bilancin e ARMO-s të vitit 2013. Audituesi pa të gjitha bilancet në vite dhe gjeti mosrakordime shifrash në vlera të konsiderueshme. Rezultoi që kompania në katër vite kishte falsifikuar inventarët duke shmangur pagesën e taksave, por këtë aksionerët e rinj që blenë rafinerinë në gusht të 2013-s e konstatuan shumë vonë.
“Shoqëria zbuloi se detyrimi për tatimet e shtyra nuk ishin njohur në pasqyrat financiare për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2012 dhe 31 dhjetor 2011”, thotë raporti i Deloitte. Në bazë të rivlerësimit që u bë në bilancet e ARMO-s, detyrimet tatimore të shtyra arritën në 73 milionë dollarë. Sot kompania numëron këto detyrime në administratën shtetërore: 54 milionë dollarë janë tatim i shtyrë në vite, i cili është krijuar përpara vitit 2012, çka bën që të përfitojë nga amnistia fiskale. Ky detyrim është ulur për shkak të pagesës që kanë bërë pronarët në këtë periudhë. Por pavarësisht shlyerjes së tyre, kompania ka krijuar detyrim të ri prej 25 milionë dollarësh ndaj Drejtorisë së Doganave dhe 5 milionë dollarë ndaj tatimeve shkruan Monitor.
Në total shuma e borxhit të saj ndaj buxhetit shkon në 85 milionë dollarë. Detyrimet më të larta janë gjoba që autoritetet kanë vënë për llogaritjen e gabuar të akcizës, taksës së karbonit dhe taksave kombëtare. Të gjitha këto penalitete përfitojnë nga falja, në bazë të nismës së ndërmarrë për amnistinë fiskale. Edhe pse nuk ka depozituar në Drejtoritë Tatimore pasqyrat financiare, ARMO ka bërë depozitim të deklaratave të cilat automatikisht e bëjnë subjekt përfitues.

Pronësia e dyshimtë e ARMO-s

Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) është kompania që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Lajmi është bërë i ditur nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga Qeveria Shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesën e prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol.
Ionian Refining dhe Trading Co, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin, duke vijuar me “traditën” e kompanive më aksionerë të panjohur që hyjnë në aktivitetin e naftës në Shqipëri.
Nga Ministria e Industrisë dhe Energjisë, që ende zotëron 15% të aksioneve të ARMO nuk ka informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re me rafinerinë ARMO dhe si do të veprohet me detyrimet e shumta që ka ARMO.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.