Një komedi amerikane/Mediat jashtë rolit: I bëjnë gjyqin moral Trump

Postuar në 09 Tetor, 2016 14:42

Të gjithë lexojmë shpesh kritika për median shqip. Kritika që nisin që nga keqraportimi, njëanësia, censura, mungesa e seriozitetit dhe deri te roli i saj si zgjatim i pushtetit. Të gjitha janë legjitime dhe në përgjithësi të vërteta. Media shqip i ka të gjitha këto simptoma dhe ka dëshmuar pak vullnet për korrigjim. Kjo ka disa arsye që lidhen edhe me normën e shoqërisë, faktin se në betejën e denoncimit media në Shqipëri nuk e ka drejtësinë si aleate për ato probleme që dihen, por edhe sepse në mediat tradicionale, pronarët janë të lidhur detyrimisht me paranë publike që duan ta përfitojnë. Nga kjo pikëpamje media ka një problem që gjenerohet në thelb edhe nga sistemi aktual.

Kur kritikohet media zakonisht mbahet parasysh si model pozitiv për standardin etik, moral dhe profesional, media perëndimore, kryesisht ajo amerikane. Dhe kjo epërsi – që padiskutim që është reale dhe shumë e madhe -  mbahet në rezervë të argumentit dhe kritikës duke lënë të shkojnë pa kritikë ato që media perëndimore bën gabim, duke u dëshmuar edhe ajo si një zgjatim i pushtetit, apo establishmentit.

Ka rëndësi ky moment sepse në Shqipëri së fundmi ka një përpjekje të strukturuar dhe të financuar edhe për të “reformuar nga lart” median, sa nga pushteti, aq edhe nga ndonjë seli diplomatike që ofron kurse të posaçme. Njësoj si për sistemin e drejtësisë që sot na ofrohet si i shpëtuar dhe drejt reformimit, nuk është çudi që nesër të kemi një media të “re”, gazetarë të trajnuar, apo edhe shkrime që “bëjnë bujë” e hapin një erë të re gazetarie. Është e lehtë të imagjinohet sesi nesër një shkrim investigativ merret në trajtim nga ndonjë nga këto organet e reja të drejtësisë për të dhënë atë fryt që nuk është parë deri më sot. Dhe për ta diskredituar përfundimisht median shqip, modelin e saj të dështuar. Që kjo nuk është një teori konspirative këtë e konfirmon heshtja e koordinuar që mbahet për shumë probleme të qeverisë, drogën, apo edhe për atë vettingun e dështuar për gjykatësit e Strasburgut që u kthyen mbrapsht sepse procedura nuk ishte transparente. Po çfarë i jep vlerën e një skandali një ngjarjeje? Raportimi në media? Jo vetëm. Është riprodhimi i saj, i lajmit, trajtimi dhe zgjerimi i saj, interpretimi dhe perspektiva që krijon. Është kjo “zhurmë” e cila sintetizohet si kërkesë llogarie ndaj pushtetit që e detyron atë të flasë. Siç shohim diferencimi i mediave sjell relativizim të skandaleve, aq më tepër kur ke një drejtësi që është e kapur.

Një rast që provon më së mirë këtë aspekt funksional të medias – universal ky – është ajo që po ndodh me Donald Trump në SHBA. Ndonëse e hapi rrugën e vet duke provokuar më shumë sesa duke thënë ndonjë gjë të thellë, Trump erdhi në garë duke përdorur instrumentin mediatik dhe atë cen të shoqërisë së sotme që më shumë tërhiqet nga spektakli sesa nga analiza dhe thellësia.

Deri këtu jemi brenda sistemit që është krijuar dhe i shërben. Në momentin e zyrtarizimit të kandidaturës ndaj Trump nisi një ofensivë e vërtetë duke emfatizuar provokimet e tij si shenjë e rrezikut dhe budallallëkut në Presidencën amerikane. Pa asnjë argument real, pa një kritikë që të mund të shkonte përtej publicitetit të deklaratave. Të paktën kaq shihet nga mediat amerikane sot, shoqëruar në kor nga mediat e mëdha europiane.

Rasti i fundit i videos së vitit 2005 ku ai shprehet për femrat është kulmi i kësaj sjelljeje të mediave që kultivojnë si vlerë hipokrizinë. Trump një miliarder thotë se me femrat mund të bësh ç’të duash. Me të gjitha standardet praktike dhe të jetës mund të pyesim: a është skandal që një miliarder të deklarojë një gjë të tillë? Sot Trump është kandidat për president dhe i duhet të distancohet nga këto lodra erotike të së shkuarës, ndërkohë që ndaj tij ka nisur gjyqi moral. Një gjyq që konsiston në një përrua gjigand statusesh nga të gjitha mediat amerikane, të cilat e kanë “kapur gafil” republikanin. Edhe vetë republikanët u distancuan nga kandidati i tyre, kurse eminenca e tyre, McCain tha se nuk do ta votonte. U gjet pra një mënyrë që të legjitimojë braktisjen e Trump në marrëzinë e vet dhe në lirinë e shfrenuar të gojës. Media i dha kështu botës negativin, atë që nuk e bëri dot në fazën e parë, ku ky showman i manovori të gjithë duke i skualifikuar. Morali i shtirur u bë kështu streha e vërtetë e horrave që po lënë mënjanë skandalin e e-maileve të Clinton(Edhe video e De Niro ishte realizuar përpara se të dilte video e Trump dhe nuk ishte publikuar sepse u gjykua shumë partizane. Sapo video e Trump doli, u publikua edhe ajo e De Niro). 

Gjithë kjo propagandë e shfrenuar për të mbjellë të mirin dhe për të shkulur të keqen që na sjell atë model universal në veprim, që kaq shumë kritikohet këtu në Shqipëri. Natyrisht Trump i ka dhënë të gjitha arsyet që të konsiderohet një kandidat aspak normal, ai krijon shumë pasiguri, njësoj si premtimet e tij për politikën e jashtme destabilizojnë besimin e shumëkujt te SHBA. Por ai nuk po sulmohet më për këto. Jo. Ai po kritikohet pse 11 vjet më parë, kur ishte vetëm një biznsmen miliarder dha një konsideratë për femrën, e cila i dukej një aksesor. Dhe kërkesa për falje nuk vlen. Sepse siç e dimë edhe ne në Shqipëri: Saliu është i mirë kur është Berisha. Edhe Donaldi duhet të jetë Trump, në mënyrë që Clinton t’ia dalë.

Për t’u kthyer tek ajo “reformë e medias”: ky është modeli që ofrohet. Një promovim i disa njerëzve për axhenda të caktuara. Asgjë më shumë. Pa harruar atë që tashmë është konfirmuar: Barack Obama është në presidencën amerikane edhe si pasojë e aftësisë së tij dhe stafit të tij për të shfrytëzuar mediat dhe ato sociale sidomos. Obama arriti deri aty në flirtin e tij me mediat, saqë edhe një drejtues i njohur si John Stewart është përfolur si këshillues i tij, ndërkohë që vazhdonte luftën dhe goditjen ndaj “maskarennjve republikanë”.

Ja ku jemi sot në fund të presidencës së tij me një bilanc pozitiv vetëm Nobelin e paqes dhuruar papritur e papandehur. A erdhi ndryshimi që kaq shumë u pompua? Padyshim që jo, por skema ama funksionoi për bukuri. Sepse Fasada është filozofia. Ky nuk është një reduktim i medias në SHBA drejt propagandës, pasi po flasim për median më të zhvilluar në botë. Por që dimensioni i saj propagandistik ekziston, e madje së fundmi po bëhet dominues ky është fakt. 

 

Comments

Submitted by tomi (not verified) on

Rasti i fundit i censures qeveritare ndaj mediave; nderprerja e emisionit Publicus ne Vizion+, brenda 24 oreve "me urdher nga lart". Do te kisha deshire qe ju te Respublica-s ta "germonit" pak kete fakt. Mediat ketu po fshehin edhe lajmin (jo te gjitha).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.