Asnjë marrëveshje për Sirinë. Kremlini pranon largimin e militantëve të Al Nusras nga Halepi. SHBA rikonsideron opsionin e bombardimeve
Ambasada ruse në Tiranë shpërndante sot një lajm të Ria Novosti, sipas të cilit hetimi i ekspertëve të pavarur të OKB-së, mbi bombardimin e konvoit në Halep, ka nxjerrë të dhëna që hedhin poshtë teorinë e bombardimit nga ajri.
“Urm al-Kubra gjendet në territorin e kontrolluar nga luftëtarët e Frontit al-Nusra, për më tepër, ky territor konsiderohet si një rajon me përqëndrim të madh të luftëtarëve. Po të bëni një përmbledhje të ngjarjeve të 19 shtatorit, do të zbuloni se pikërisht në atë vend dhe në atë kohë, luftëtarët e al-Nusrës ndërmorrën një sulm në shkallë të gjerë ndaj Alepos, të mbështetur nga artileria e rëndë, nga tanket dhe nga raketahedhësit shumtytësh”, citohet në dokument.
Duke pasur parasysh këto të dhëna, ekspertët theksojnë se analiza e fotografive tregon që bëhet fjalë për një inskenim të sulmit. Për shembull, kabina e njërës prej makinave të autokolonës me ndihma humanitare ishte e paprekur dhe “nuk kishte shenja të ndonjë shpërthimi të ndodhur afër, as shenjat e ciflave, as vrima. Pësoi dëme vetëm ngarkesa, e cila u vu në flakë”.
Përveç kësaj, anët e të ҁarave të kamionëve të dëmtuar nga ciflat ishin të mbuluara me ndryshk. Rruga ishte e padëmtuar, pa asnjë gropë. Dhe nëse do të ishte kryer ndonjë sulm ajror, atëherë “e gjithë sipërfaqja e rrugës do të kishte shenja”, pohojnë ekspertët.
Kjo analizë bie ndesh me lajmin e para disa ditëve se konvoi që po çonte ndihma humanitare në Halep u godit nga ajri. Loja informative është hapur kështu sërish, pasi ky sulm u bë shkak që perëndimi të akuzonte Moskën për krime lufte në Siri.
Mirëpo diplomacia dhe politika e jashtme e Kremlinit nuk kanë qëndruar pasivë. Para disa ditësh, kur në disa media perëndimore, kryesisht amerikane, doli në qarkullim lajmi i goditjeve ajrore ndaj regjimit të Assad, Rusia nxitoi të instalonte në Siri, kryesisht afër bazave të veta, sistemin raketor anti-ajror S300, që ishte një nga arsyet pse Senati amerikan nuk i dha dritën jeshile Obamës për të kryer fushatë ajrore disa vite më parë. Zyrtarë rusë kanë theksuar se do të godasin çdo avion që drejtohet drejt rajoneve ku janë bazat e tyre dhe trupat, duke paralajmëruar për konfrontime direkte me SHBA-të.
Opsioni i ndërhyrjes nga ajri vjen në një kohë kur shpresa se Halep do të kthehej në një makth për trupat ruse dhe ato të Assad është rrëzuar. Ditë pas dite njoftohet marrja e lagjeve të reja nga forcat e Assad, krahas bombardimeve të parreshtura, për të cilat mediat perëndimore flasin se po shoqërohen me armë të ndaluara, si bombat antibunker dhe ato me fosfor. Por asgjë nuk duket se e ndal dot më ofensivën përveçse përfshirjes direkte të SHBA, që do të thotë prag konflikti.
Një hap lehtësues në këtë drejtim, ndonëse shumë poshtërues, është bërë sot nga ministri i Jashtëm rus, Lavrov, i cili ka deklaruar se Rusia është e gatshme të lejojë trupat e grupit Fatah al –Sham, ose Al Nusra të dalin nga Halepi.
Lavrov bëri deklaratën pasi doli lajmi se i dërguari special i OKB-së Steffan de Mistura kërkoi që të ishte personalisht në terren kur militantët e Al Nusras të largohen bashkë me armët e tyre. Një propozim që i lejon SHBA-së të ruajë fytyrën para humbjes në Halep, qyteti kryesor i Sirisë pas Damaskut.
Ndërkohë që loja në Siri po luhet në favor të Kremlinit, ky i fundit nuk ka munguar që të shtojë dozën e provokimit për Washingtonin. Zëdhënësi i Kremlinit Dimitry Peskov dhe zv.ministri i Mbrojtjes, Nikolai Pankov kanë folur sot për mundëisnë e rihapjes së bazave ushtarake në Vietnam dhe në Kubë, çka do të vendoste Rusinë dhe SHBA-në në gjendje paralufte. Nuk dihet si do të procedohet në këtë drejtim, por një problem jo i vogël është identifikuar brenda vetë SHBA nga dy kandidatët për president, politikat e të cilave prekin statusin e vendit në një hapësirë vitale si Paqësori. Në një opinion shkruar për “Foreign Policy” dje, ish-komandi suprem aleat, gjenerali me katër yje, James Stavridis, e cilësonte planin e dy kandidatëve, Clinton dhe Trump, për të rinegociuar Marrëveshjen e vendeve të Paqësorit, një shprehje të dytë të Brexit, kësaj radhe jashtë Europës. Stavridis konsideronte se përveç Kinës që është problemi i madh për interesat amerikane në Azi, edhe Vietnami do të bashkohet në paktin prej 6000 faqesh ku shpresohet të rregullohet rruga kryesore e tregëtisë së botës. Dalja nga ky traktat sipas tij do të ishte një "gabim kolosal" dhe ata që i shfrytëzojnë këto nuk mungojnë.
Add new comment